1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia feston Krishtlindje modeste

Një shtëpi e zbukuruar, ushqim i mirë dhe shumë dhurata për fëmijët - kjo është tradita e Krishtlindjeve edhe në Greqi. Por kriza ekonomike bën që sivjet festa të jetë më modeste.

Krishtlindjet në Greqi

Krishtlindjet në Greqi

Rruga e dyqaneve në Glyfada, një lagje të pasurish në Jug të Athinës. Dyqane nobël, kafene luksoze, por ato janë të zbrazura. Një grua e veshur me shije bashkë me të shoqin shëtit duke kaluar pranë dyqaneve: Vitrinat dalim t'i shohim, por nuk jemi më në gjendje të blejmë - madje as tani për Krishtlindje, thotë ajo:

"Ne as nuk do të blejmë, as nuk do të zbukurojmë pemën e Krishtlindjes dhe as nuk do të përgatisim ndonjë ushqim të veçantë feste. Unë jam tani e papunë, ndërsa pensioni i tim shoqi është përgjysmuar. Ne nuk jemi në gjendje të blejmë asnjë dhuratë për nipin tonë. Krishtlindje? Sivjet do ta harrojmë këtë fetsë."

Në Greqi dhurata u jepen kryesisht fëmijëve. Kush këndon mbrëmjen e shenjtë "Kálanta", shpërblehet me para dhe me ëmbëlsira. Për Krishtlindje familja mblidhet për festuar së bashku lindjen e Krishtit. Dhuratat e vërteta i sjell Shën Vasili - tradicionalisht natën e vitit të ri. Disa rite nga vendet e tjera kanë hyrë edhe në Greqi. Kësisoj zbukurimet e ndritshme për Krishtlindje si dhe për pemën tradicionale shpesh herë janë prej plastike.

Qarkullim më i vogël mallrash e parash në Krishtlindje

Edhe në Greqi biznesmenët gjatë periudhës së Krishtlindjeve shënojnë kulmin e xhiros vjetore - por sivjet xhiroja nuk është aq e lartë sa në të shkuarën. Dega e shitjes së lodrave për fëmijë llogarit sivjet një humbje prej dhjetë përqind krahasuar me një vit më parë.

Një vizitë në dyqanin e lodrave për fëmijë në Metro Mall të Athinës. Këtu nuk preferojnë të flasin lidhur me xhiron e fitimit. Por edhe në dyqane të tjera ndodh e njëjta gjë dhe i njëjti ritual si në të gjithë Greqinë: Njerëzit sorollaten nëpër dyqane, por nuk blejnë asgjë. Sipas të dhënave të sindikatës GSEE një në katër vetë në Athinë është i papunë. Edhe atyre që punojnë u mbeten fare pak para në xhep: Që nga viti 2010 rrogat janë ulur me një të tretën, sipas të dhënave të sindikatës. S'të habit fakti, që pronarja e një dyqani ëmbëlsirash nuk dëshiron të flasë për xhiron e këtij viti:

"Unë tani s'mund të flas, e dashura ime, jam e zënë me punë dhe kam frikë se më vjedhin, ndërsa ne flasim. Mos ma merr për të keq."

Krishtlindjet në Greqi

Krishtlindjet në Greqi

Në rrugën Ermou, shëtitorja qendrore në sheshin Syntagma, vezullojnë dekorimet e Krishtlindjes nëpër vitrina. Në një rrugë paralele e ka dyqanin Dimitrios Katifelis. Ai shet sende dekorative të sezonit. Pikërisht tani dyqani është plot me babagjyshë të Krishtlindjes, ëngjëj, kalendarë të Ardhjes së Krishtit dhe artikuj të tjerë për dhurata. Në Greqi, thotë ai, ka disa tradita: festohen martesat, pagëzimi, Pashkët e po ashtu edhe Krishtlindjet. Pastaj zbukurohet shtëpia, takohesh me familjen dhe shpërndan dhurata, kryesisht për fëmijët. Ndërsa tani shumë gjyshër kanë vetëm 400 euro pension:

"Ata vijnë në dyqan dhe thonë: Djalosh gjithçka më pëlqen këtu. Por na kanë shkurtuar pensionet. A ke ndonjë gjë që të kushtojë pesë deri në dhjetë euro?"

Por sidoqoftë grekët ia vështirësojnë jetën njëri-tjetrit, thotë ai, sado që i kuptoj demonstruesit që vijnë çdo ditë këtu në qendër:

"Çdo ditë ka grevë, çdo ditë rrugët janë të bllokuara. Përpara dy javësh ata paralizuan qarkullimin e metrosë, tani disa qindra demonstrues bllokojnë rrugën. Ky është problem i madh. Kur vjen në qytet, shkon edhe për të blerë e ke kënaqësi. Por kur gjithçka është bllokuar, askush nuk vjen të blejë."

Disa hapa më tutje një grua e moshuar shet misra të pjekur. Nëse e pyet për dhuratat për nipër e mbesa ajo vetëm sa qesh e trishtuar:

"S'ka më dhurata për nipërit e mi. Do t'u duhet të mjaftohen me ëmbëlsira. Më shumë se kaq s'mund të dhurojmë."

Paratë pothuajse nuk mjaftojnë as për shpenzimet e ditës.

Autor: Daphne Grathwol / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi