Greqi: zgjedhje evropiane me peizazh të paqartë për fituesin
3 Qershor 2009Sondazhet parashikojnë 35-40 % abstenim të grekëve në zgjedhjet parlamentare në Greqi
Katër ditë para zgjedhjeve europarlamentare të së Dielës peisazhi mbetet i paqartë në Greqi, si për fituesin po kështu dhe për abstenimin e përfolur, që dy javë më parë parashikohej se do të shënonte një rekord të ri. Shoqëritë demoskopike bënë fjalë për 35-40 % të elektoratit. Një shifër që krahasimisht me vendet e tjera të Bashkimit Evropian duket e ulët, por që partive politike, sidomos atyre më të mëdha, Demokracisë së Re në pushtet dhe PASOK-ut në opozitë, u kujtoi makthin e abstenimit të zgjedhjeve të 2004-ës. Atëherë 1.313.000 votues preferuan tre muaj pas zgjedhjeve europarlamentare të mos votojnë për zgjedhjet kombëtare parlamentare. Frika e konsolidimit të këtij precedenti, si indeks i dështimit të politikës lindi edhe parullën që u bë motoja e të gjitha partive “Votojmë për Evropën, vendosim për Greqinë”.
Iliopullos 'Sinaspismos': Abstenimi nuk do të jetë i madh për votuesin grek
Kjo në një kohë që shprehen opinione të kundërta. Partitë e mëdha bashkohen me pozicionimin e vetë kryetarit të Parlamentit Evropian Hans Gert Pëtering (Pöttering) në median greke se abstenimi favorizon partitë e vogla me tendenca nacionaliste dhe raciste. Partitë e vogla mendojnë ndryshe.
“Në parim abstenimi favorizon dy të mëdhenjtë, ” thotë për Deutsche Welle-n, Nasios Iliopullos i partisë së majtë Sinaspismos. Ai vlerëson se abstenimi nuk do të jetë i madh për votuesin grek, i cili e ndjen “se nuk i ka zgjidhur problemet e tij”. Vërtet, anketimi më i fundit ul në 28.2 % kuotën e mundshme të abstenimit, fryt ndoshta i përshkallëzimit të skajshëm të ballafaqimit ndërpartiak me bosht skandalet dhe goditjet poshtë brezit të ditëve të fundit.
Alarmi Ortodoks Popullor - e vetmja forcë parlamentare e ekstremit të djathtë me tendenca ksenofobe
E rëndësishme është se për hesape të sigurta përfitimi politik nuk ofrohet as tema e preferuar e migracionit. Në debatin televiziv midis pesë krerëve politikë çështja u “monopolizua” nga Jorgos Karaxhaferis, i Partisë Alarmi Ortodoks Popullor, e vetmja forcë parlamentare e ekstremit të djathtë me tendenca ksenofobe.
“Çështja e imigrantëve është e madhe në Greqi. Kemi pothuajse 2 milionë, 20 % të popullsisë, kur në Itali dhe në Hollandë janë 2-3% të popullsisë. Kjo çështje do të shpërthejë së shpejti dhe nuk do të mund ta kontrollojmë. Le të shkojë dikush në Shën Panteleimon, në Menandrou, në Omonia dhe do të shikojë se si ndihen qytetarët,” deklaroi Karaxhaferis duke prekur sigurisht nervin e ndjeshëm të qytetarëve për situatën e krijuar në qendër të Athinës nga klandestinët afroaziatikë.
“Ne grekët kemi frikë të jetojmë këtu. Nuk mund të qarkullojmë,” thotë një banor i zonës, kur qytetarë të veçantë me mbështetjen e organizatës neonaziste 'Agim i Artë' u ndalojnë imigrantëve të dalin me fëmijët në park.
Analisti Terzis: Kemi paaftësinë e qeverisë për të përballuar problemin e migracionit
Ngjarje të tilla sidomos si ai i protestave të dhunshme të myslimanëve për shkak të grisjes së Kuranit të një imigranti irakian nga një polic grek janë “gëzimi” i eksponentëve të kësaj partie.
“Shyqyr që ndodhën tani para zgjedhjeve,” u shpreh zëdhenësi i partisë Nikos Gjeorgjadhis, që bën çmos të tërqeqë kundërshtarët e tij politikë - por pa rezultat - në terrenin rrëshqitës të migracionit dhe ksenofobisë.
“Po, çështja e migrantëve është gjithsesi një problem qendror për shoqërinë greke. Kemi paaftësinë e qeverisë për të përballuar problemin, ka të pakënaqur në shumë shtresa nga këto probleme dhe sigurisht Karaxhaferis përpiqet ta shfrytëzojë mundësisht sa më shumë,” thotë për DW-në gazetari grek Kostas Terzis, i cili ndërkohë sheh një ndarje rolesh: retorikë të ashpër nga disa kuadro dhe qëndrim më të moderuar nga kryetari për të marrë me vete të pakënaqurit e partisë në pushtet. Cila është arsyeja?
“Nuk mendoj se kemi shfaqjen e një pakënaqësie të përgjithshme në këto momente nga ana e shoqërisë greke ndaj imigrantëve. Kemi ndërkohë deklaratat e kryepeshkopit për ngritjen e varrezave për myslimanët dhe mjediseve të kultit të tyre fetar në Athinë,” shton Terzis, i cili vlerëson se kursi i partisë së Karaxhaferis është “thikë me dy presa” për ambicjet e tij elektorale. “Nuk mendoj se janë zgjuar reflekse ultra të djathta kaq të mëdha në shoqërinë greke. Ekziston një klimë, por nuk mendoj se do të rrisë kuotën e votave të saj kjo parti” thotë edhe Iliopullos. Vetë kryetarit Karaxhaferis iu desh të përgenjeshtrojë si keqdashëse gjetjet e anketimeve se partia e tij nuk e kapërcen cakun e 5 %. Në qoftë se kjo ndodh vërtet të dielën, do të jetë sigurisht nga rezultatet më interesante të këtij ballafaqimi elektoral.
Autor: Niko Anagnosti/ Athinë
Redaktoi: Auron Dodi