1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grekët polakë, refugjatët e harruar

Elżbieta Biś/Amarildo Topi30 Nëntor 2013

Sot shumë refugjatë të cilët ikin nga lufta në vendet tyre kërkojnë një strehë në Greqi. Por para 60 vitesh ishin grekët ata që kërkonin një strehë. Disa prej tyre shkuan në Poloni, aty ku jetojnë edhe sot.

https://p.dw.com/p/1AQmj
Fotografi: DW/E. Bis

Pranverë 1949. Kur komunistët humbën luftën civile, guerrilasit shkuan në fshatin ku jetonte 9 vjeçarja Ewangelia Chondrajan, së bashku me nënën dhe 5 motrat e vëllezërit e saj në Greqi. Guerrrilasit shkuan për të marrë fëmijët, për t'i çuar më pas jashtë vendit. “Ne duhet të shkonim në Jugosllavi, por përfunduam në Shqipëri. Atje qëndruam për katër muaj në Tiranë”, kujton Ewangelia. Ishte një stacion i përkohshëm, sepse destinacioni përfundimtar ishte Polonia komuniste.

Griechen in Polen
Fotografi: DW/E. Bis

Eksod mbi një anije

Udhëtimi nisi nga Shqipëria, kaloi në Ngushticën e Gjibraltarit, Kanalin Anglez dhe më pas përmes Detit Balltik në qytetin e vogël Dziwnów. Ishte një rrugë e gjatë, por më e sigurta. Ata fshiheshin poshtë kuvertës, kur anija kalonte kontrollet e kufirit ose kur afroheshin rojet bregdetare. “Ne kishim bebe me vete. Atyre duhet t'u mbyllej goja me rroba në mënyrë që të mos u dëgjoheshin të qarat”, thotë Ewangelia. Fëmijët transportoheshin së bashku me guerrilasit e plagosur.

Ewangelia Chondrajani ishte mes 14,500 refugjatëve të çuar në Poloni. Pjesa më e madhe fëmijë, gra, të moshuar dhe guerrilas të plagosur. Madje për ata u ngrit edhe një spital i përkohshëm në Dziwinów, që u quajt spitali ‘grek'. Guerrilasit pas shërimit duhet të ktheheshin dhe të luftonin në vendin e tyre, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë.

Informacione konfidenciale

Emigrimi i grekëve dhe maqedonasve në Poloni në fund të viteve 40' dhe fillim të viteve 50' u mbajt sekret. “Në kohën e ashtuquajtur Lufta e Ftohtë, nuk duhej të zbulohej se Polonia ishte duke ndihmuar lëvizjen e ekstremit të djathtë”, shpjegon Mieczysław Wojecki nga Zielona Góra, dokotrant, shkencëtar dhe aktivist i kulturës greke në Poloni, gjithashtu edhe presidenti i parë i Shoqatës së Miqësisë Greko-Polake. Refugjatët cilësoheshin si tradhëtarë nga autoritetet greke dhe u hiqej nënshtetësia.

Griechen in Polen
Ewangelia ChondrojaniFotografi: DW/E. Bis

Autoritetet polake krijuan kushtet e përshtashme për refugjatët nga Greqia. Polonia doli e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, por sërish refugjatët grekë sot kujtojnë se atyre nuk u mungoi asgjë. Ata u strehuan, iu dha ushqim, rroba, u krijua mundësi për edukim dhe argëtim.“Mësimi dhe studimi ishin dy nga karakteristikat e refugjatëve grekë në Poloni, çka bëri që brezat e rinj të arrinin të ecnin shumë në jetë. Diçka që ata vetëm mund ta ëndërronin në vendin e tyre”, thotë Wojecki.

Ewangelia Chondrojani si një emigrante e re, ia dedikoi jetën e saj vetëm shkencës. “Unë e dija që nuk kisha ku të mbështetesha përveç vetes. Kur shkova në Krakovë për të studiuar, e privova veten nga argëtimet. Vetëm studioja”, thotë ajo.

Ajo krijoi familjen e saj më pas dhe ndërroi mbiemrin në Łuczko. “Kur shkova të vizitoj fshatin ku jetova për herë të parë, pas 28 vitesh, e vlerësova atë që kishin bërë polakët për ne. Grekët nuk mund të shkruanin dhe lexonin greqisht”, thotë ajo. Refugjatët grekë ishin persona pa nënshtetësi. Statusi i tyre ilegal mund të rregullohej vetëm në bazë të ligjeve ndërkombëtare. Por siguria e jetës së tyre dhe sigurimi i të ardhmes, ishin gjërat më të rëndësishme.

Jetë sekrete

Vendi më i madh i grumbullimit të refugjatëve në Poloni ndodhej në Zgorzelec në Jug-Perëndim të Polonisë, në kufi me Gjermaninë Lindore, ku ishite ngritur edhe një qendër për fëmijët. Kjo qendër më pas u mbyll dhe fëmijët u lëvizën në qytetin e Police afër Szczecin Veri-Perëndim të Polonisë.

Griechen in Polen
Fotografi: DW/E. Bis

Police dukej si zgjidhja e duhur. Mbi të gjitha për të mbajtur gjithëçka kofidencale. Si vende strehimi u përdorën banesat ku kishin qendruar punëtorët gjermane para Luftës së Dytë Botërore. Autoritetet përshtatën 130 ndërtesa për të strehuar 2500 fëmijë grekë dhe maqedonas. Sot, Ewangelia Łuczko e mban mend shumë mirë kohën e kaluar në Police. Pas shumë vitesh ajo tregon vendet që i kanë mbetur në mendie. “Në këtë ndërtesë ishte dhoma e kujdesit shëndetësor. Unë u çova në atë dhomën atje, pasi theva gjurin.” Zonja Łuczko tregon edhe vendin ku ishte sajuar një skenë ku bëheshin aktivitete të ndryshme kulturore.

“Dita greke”

Shumë polakë u surprizuan nga prezenca e grekëve dhe maqedonasve në vendin e tyre. Ata qenë skeptikë në fillim, por më pas u bënë të sjellshëm dhe i pranuan. Me kalimin e kohës emigrantët u shkrinë në realitetin polak, pasi shumë prej tyre bënë martesa me polakët. Shumë prej tyre ndihen gjysëm polakë, ndërsa disa të tjerë ruajnë ende traditat e tyre kombëtare. Edhe polakët janë duke ndihmuar për një gjë të tillë. Gjimnazi numër 21 në Szczecin çdo të shtunë organizon orën greke dhe tregon për kulturën greke. Në tetor 2013 shkolla organizoi të parën “Ditë Greke”.

Prej shumë vitesh edhe në Police, në fund të Marsit organizohet Dita Greke. “Komuniteti grek është pjesë e komunitetit tonë në Police. Unë nuk mund ta imagjinoj qytetin pa ata”, thotë kryetari i bashkisë së Police Władysłaë Diakun.