Google- Street View në Gjermani
11 Gusht 2010Megjithë kritikat në rritje, Google kërkon të fillojë deri në fund të vitit edhe në Gjermani shërbimin me harta, Street View. Oferta me prezantimin e përgjithshëm të rrugëve dhe shtëpive do të bëhet fillimisht për 20 qytete që ndodhen midis Mynihut dhe Hamburgut, bëri të ditur Google të martën (10.08). Pronarë shtëpish dhe qiramarrës kanë mundësinë që duke plotësuar paraprakisht një formular online të kërkojnë që ndërtesa e tyre të mos njihet në internet.
I ngarkuari me mbrojtjen e të dhënave në Hamburg, Johannes Caspar kritikon si të nxituar futjen e këtij shërbimi interneti.
Banorët e 20 qyteteve me ofertën e Street View do të kenë mundësinë pas javës së ardhshme, që nëpërmjet një formulari online të kundërshtojnë nëse duan prezantimin e ndërtesës së tyre online. Nëpërmjet teknikës "blurring" fotografia e ndërtesës së tyre do të bëhet e panjohshme në internet, dhe do të duket vetëm skema.
Google ka filluar në vitin 2007 me Street View në SHBA. Vendi i parë evropian, me të cilin Google Maps zbaton këtë shërbim të integruar ka qenë Franca. Gjermania është vendi i 24 në botë që përdor këtë ofertë.
Autor: (DPA) Christof Kerkmann / Aida Cama
Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora