1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Godole: Pakkush beson në hapjen e dosjeve para zgjedhjeve 2017

Hapja e dosjeve, përvoja e Lindjes, ndryshimi i kurrikulave shkollore, kujtesa tek rinia: Drejtuesja e IDMC-së, Jonila Godole mbi rrugën e gjatë të shoqërisë shqiptare për të krijuar kujtesën e vërtetë për diktaturën.

Albanien Jonila Godole - Memory Days (IDMC)

Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC, gjatë aktivitetit "Ditët e Kujtesës"

Deutsche Welle: "Ditët e Kujtesës" të organizuara nga data 24-28 Tetor 2016  nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer e shoqata të tjera „Ditët e Kujtesës" përfunduan. Sa mundi të rizgjohet vëmendja e shoqërisë shqiptare për kohën e diktaturës me këto ditë?

Jonila Godole: „Ditët e Kujtesës" u iniciuan për të sjellë në qendër të vëmendjes së shoqërisë ballafaqimin me të shkuarën për sa kohë mungon një ditë që të njihet dhe të pranohet nga të gjithë për krimet dhe pasojat e regjimit komunist. Ndërsa kemi rreth 700 lapidarë dhe „vepra të Partisë" të ngritura me punë të detyruar nga ish-të burgosurit. Dhe kur një ditë e tillë mungon, krijon një boshllëk që lë vend për spekullim, për relativizim, dhe kjo ushqen harresën. Kjo harresë përcillet pastaj nëpër breza, duke rritur e edukuar një rini pa kujtesë për atë se çfarë njerëzit mund t'u shkaktojnë njerëzve. Synimi jonë si organizatorë të aktivitetit ishte të ulnim me njëri-tjetrin ekspertë brenda dhe jashtë vendit që të shkëmbenin punën dhe përvojën e tyre në fushën e kujtesës për ta njohur publikun me zhvillimet më të fundit në debatin mbi kurrikulat shkollore; mbi hapjen e dosjeve, mbi projektet konkrete të grupeve të interesit etj. Numri i lartë i vizitorëve gjatë këtyre ditëve tregoi interesin që ka shoqëria për këto tema, të cilat nuk i has në axhendën e politikës dhe të medias.

Deutsche Welle: Në aktivitet ishin ftuar institutet e ballafaqimit me të shkuarën komuniste nga disa vende lindore. Çfarë ndihmese mund të japin ata në drejtim të ballafaqimit të shoqërisë shqiptare me të shkuarën?

Jonila Godole: Historia shqiptare është pjesë e historisë europiane dhe kësisoj edhe e kaluara e saj në diktaturë dhe pasojat që ka lënë deri më sot, nuk mund të trajtohen më jashtë perspektivës europiane. Nga ana tjetër duke njohur të kaluarën e vendeve të tjera që kaluan një kalvar vuajtjesh të ngjashëm me ne, kemi mundësi të reflektojmë më mirë për historinë tonë. Përballja me përvojat e huaja gjatë DITËVE TË KUJTESËS, tregoi sa pas jemi në këtë proces dhe sa të papërgatitur për të folur të njëjtën gjuhë me shoqëritë e vendeve lindore. Sidomos në kurrikulën shkollore gjendja u shfaq problematike. Edhe pse janë ndërmarrë nisma pozitive për të rishkruar tekstet e historisë, mënyra si janë shkruar ato mbetet problematike. Çdo institucion përpiqet t'ia hedh fajin tjetrit, duke mos mbajtur në fund asnjëri përgjegjësi për cilësinë e teksteve me të cilat mësojnë të rinjtë shqiptarë. Si përfundim humb e gjithë shoqëria. Sepse katarsi me të shkuarën do të na kishte shërbyer të gjithëve jo thjesht ish-të burgosurve politikë, të internuarve etj.

Deutsche Welle: Gjatë "Ditëve të Kujtesës” u vu një fokus i veçantë tek tërheqja e rinisë. A e ka rinia shqiptare sot një vetëdije për të shkuarën e vendit në diktaturë dhe vlerën e lirisë e demokracisë?

Jonila Godole: Në realitet kemi një rini që rritet pa kujtesë historike për diktaturën. Dhe nuk ka nga ta ketë fituar vetëdijen për të shkuarën, kur në shkolla flitet pak ose aspak, në media përciptazi, në shtëpi vetëm atëherë kur kanë provuar persekutimin mbi shpinë. Mbi të gjitha qeveritë nuk kanë qenë kurrë të interesuara për të hartuar politika të vërteta që do të kishin mbështetur zbardhjen e të shkuarës. Ky është dështimi ynë, dhe në fakt duhet të ishte detyrim që kemi ndaj brezit të ri. Kush thotë se të rinjtë nuk interesohen për të shkuarën, gabon. Në takimet që ne bëjmë me të rinjtë nëpër shkolla, duke i përballur ata me histori personale të personave që vuajtën gjatë regjimit, hasim një interes të madh dhe pyetje, se përse takime të tilla me dëshmitarë të kohës nuk organizohen rregullisht, siç bëhet me veteranët, vizitat e të cilëve janë pjesë e natyrshme e kurrikulës. Pjesëmarrja e tyre masive në konkurse kreative si „Born in the 90s" me 2015 dhe „Pyet Gjyshërit" 2016 tregon se ata kanë interes për të këtë periudhë dhe janë gati të bëjnë pyetje, madje edhe të vështira si në familje ashtu edhe jashtë saj. Gjithashtu, vetëm gjatë këtij viti, interesimi i të rinjve, studentëve, mësuesve, pedagogëve për të vizituar „vendet e kujtesës" (Burgun e Spaçit, të Telepenës, Burrelit etj) është dy-trefishuar gjë që na përforcon bindjen se misioni ynë në këtë drejtim duhet të vazhdojë.

Deutsche Welle: Një debat tjetër, ku u fokusua kjo iniciativë ishte edhe „Hapja e Dosjeve". Çfarë debati ishte ky, kur qeveria shqiptare vërtet e ka një ligj për hapjen e dosjeve, por realisht asnjë dosje të hapur?

Jonila Godole: Debatet për dosjet janë pozitive dhe duhet të jenë të vazhdueshme, edhe pse për momentin kemi një situatë absurde: kur ekziston ligji për hapjen e tyre që prej 30 prillit 2015, por ende nuk është ngritur autoriteti përkatës për to. Por është e rëndësishme të flitet për pasojat negative që moshapja dhe vonesa shkaktojnë për shoqërinë shqiptare. Ndarja me të shkuarën duhet të ishte bërë që në fillim, por edhe tani hapja e dosjeve përveçse do t'u jepte mundësi viktimave të njiheshin me dokumenta të rëndësishëm që ndryshuan rrjedhën e jetës së tyre, ajo do të na tregonte të gjithëve si shoqëri se si funksiononte makineria e propagandës dhe terrorit instaluar për afro pesëdhjetë vjet në shqipëri.

Deutsche Welle: Si reaguan të ftuarit nga vendet e tjera për këtë situatë, si thoni ju "absurde"?

Jonila Godole: Të ftuarit në debat ishin përfaqësues gjermanë dhe shqiptarë, ekspertë në fushat e tyre. Ata sollën jo vetëm perspektiva të reja në këtë çështje, por e njohën publikun edhe me vështirësitë që sjell mospërballja me të shkuarën për shoqërinë, dhe për viktimat e diktaturës, të cilët janë të detyruar të përballen me një sërë problemesh dhe traumash që ende ua vështirësojnë jetën.

Deutsche Welle: Dosjet janë tema më e keqpërdorur në politikën shqiptare. Duket se zvarritjet e kanë bërë efektin e tyre …pakkush pyet sot për dosjet në Shqipëri. A prisni reagim nga politika për debatin për hapjen e dosjeve pas këtij aktiviteti?

Jonila Godole: Është e vërtetë se dosjet janë përdorur dhe stërpërdorur nga të gjitha qeveritë deri tani pa u hapur në fund. Dhe pakkush ka shpresë se ato do të hapen para zgjedhjeve 2017. Megjithatë anëtarë të parlamentit siguruan se po ndërmerren hapa dhe masa që autoriteti të plotësohet me kandidaturat që mungojnë deri në fund të muajit nëntor. Këto kandidatura duhet të propozohen në parlament nga të paktën 28 deputetë çdonjëri. Por mbi të gjitha nëse do kishte hapje të dosjeve që vitin tjetër duhej parashikuar që tani buxheti për autoritetin në vitin e ardhshëm, që akoma nuk është në rend të ditës.