1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjykata Kushtetuese Gjermane feston 60 vjetorin e themelimit

"Dhe nëse do të jetë e nevojshme do të shkojë deri në Karlsruhe!" Kush e thotë këtë nuk e ka fjalën për qytetin e bukur në jugperëndim të Gjermanisë por për Gjykatën Kushtetuese e cila ndodhet në këtë qytet.

Pamje nga Gjykata e Lartë Kushtetuese

Pamje nga Gjykata e Lartë Kushtetuese

"Instanca për super-revizionin" tingëllon pak sikur të flitet për një superman, apo për një fuqi të mbinatyrshme, që kontrollon gjithçka dhe mund t' i kthejë të gjitha mbrapsht. Gjykata Kushtetuese gjermane nuk trajton të gjitha çështjet ligjore dhe nuk është instancë e super-revizionit. Por gjykatësit e Karlsruhes kontrollojnë gjërat bazë. Kushdo që mendon se nëpërmjet një akti të shtetit është prekur në të drejtat e veta themelore, mund të bëjë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, pasi ka kaluar pa sukses të gjitha instancat normale të gjykatave. Ankesa të tilla janë proceset më të shpeshta dhe më të njohura që zhvillohen në Gjykatën Kushtetuese. 

Gardianë të kushtetutës

Gjykata kontrollon, nëse një organ shtetëror i ekzekutivit ka shkelur ligjet apo vetë kushtetutën. Pra shkalla matëse është vetëm kushtetuta gjermane. Kryesisht të drejtat themelore, të vendosura në mënyrë prominente në nenet 1 deri 19, për ta bërë të qartë se janë baza e kushtetutës së pasluftës, për të cilat qytetarët në Gjermani janë shumë të ndërgjegjshëm. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për dinjitetin njerëzor për të cilin flet neni 1 apo për të drejtat personale nga neni 2, apo për lirinë e profesionit sipas nenit 12 dhe të drejtës së pronës së nenit 14.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Pra, nuk është shumë korrekte nëse Gjykata Kushtetuese quhet "Gjykata më e lartë gjermane". Sepse ajo nuk është në krye të të gjithë instancave. Cilësimi i tillë ndodh me siguri sepse vendimet e marra nga Gjykata Kushtetuese janë të detyruara t' i zbatojnë të gjitha organet e landeve, federatës, të gjitha gjykatat dhe autoritetet. Në pjesën më të madhe të rasteve, kjo vlen për rastet konkrete që trajtohen. Megjithatë fjala e Gjykatës së Karlsruhes, e cila është organ kushtetues, ka peshë edhe për vendime të ngjashme që merren në të ardhmen.

Edhe nëse vetë studiuesit e ligjeve dhe gjykata të tjera nuk janë të të njëjtit mendim, nëse çështja shkon deri në Karlsruhe, atëherë fjala e fundit thuhet atje. Nëse kemi të bëjmë me pyetjen nëse ligjet janë në përputhje me kushtetutën, atëherë vendimi i Gjykatës Kushtetuese merr fuqinë e ligjit.

Ligjet vihen në provë

Gjykatësit e Karlsruhes nuk vendosin vetëm për ankesat që bëhen në Gjykatën Kushtetuese. Në të ashtuquajturin kontrolle të normave, Gjykata Kushtetuese kontrollon nëse ligje të caktuara janë në përshtatje me Kushtetutën.

Për këtë një Gjykatë e specializuar prezanton për kontroll normën në fjalë, nëse mendon se ajo shkel kushtetutën apo nëse në raste të caktuara ka rëndësi të madhe për dhënien e gjykimit. Përveç këtij kontrolli konkret, ekziston edhe i ashtuquajturi kontroll abstrakt i normave. Ai ndodh kur një ligj federal apo landi, kontrollohet me kërkesën e të paktën një të katërtën e deputetëve të parlamentit.

Në një grup tjetër rastesh, që quhen procese ku në konflikt ndodhen organet, Gjykata Kushtetuese duhet  të kufizojë të drejtat dhe detyrimet e organeve shtetërore. Në grindjet midis federatës dhe landeve bëhet fjalë për të drejtat dhe detyrimet kushtetuese. Në procese të tjera bëhet fjalë për ndalimin e partive apo për efektet e të drejtave themelore.

16 gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese punojnë të ndarë në dy senate. Senati i parë merret me çështjet e të drejtave themelore, senati i dytë me të drejtën shtetërore. Gjykatësit e të dy senateve mblidhen në dhomat që përbëhen me nga tre gjyqtarë, të cilët vendosin për ankesat kushtetuese. Çdo vit aty përfundojnë gati 6 mijë ankesa kushtetuese. Deri tani ka patur 7 mijë vendime të senatit dhe më shumë se 130 mijë vendime të dhomave.

Vendime me forcë politike

Gjykatësit duhet të vendosin në unanimitet. Për mendimet mospajtuese, ofrohet i ashtuquajturi vendim me "votim të veçantë". Për të fituar një gjyq normalisht mjafton, nëse shumica e gjykatësve ka të njëjtim mendim si ankuesi apo ai që bën kërkesën. Në raste të veçanta, nëse ndodh një shkelje e të drejtave themelore, duhet të merret aprovimi nga shumica e dy të tretave të senatit, pra gjashtë nga tetë vota.

NO FLASH Urteil BVG

Gjykata Kushtetuese ndodhet midis politikës dhe ligjeve. Sepse nga njëra anë vendimet e saj kanë ndikim mbi politikën, nëse për shembull nëse një ligj i aprovuar nga parlamenti shihet si në kundërshtim me kushtetutën. Kritikat që vijnë kryesisht nga politika, e akuzojnë Gjykatën se bën politikë në mënyrë të paligjshme.

Nga ana tjetër, gjykatësit e Karlsruhes duhet dhe duan të kenë "vetëm" Kushtetutën si masë për marrjen e vendimeve të tyre, dhe jo konsideratat politike. Prandaj, gjykata bëhet objekt kritikash, që të jetë më e qartë me deklaratat që bën në adresë të politikës.

 

Autore: Daphne Grathwohl / Aida Cama
Redaktoi: Esat Ahmeti