1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata e Tiranës - vendim për Gërdecin

12 Mars 2012

Në vendimin final të gjykatës bie në sy një zbutje e viteve të dënimit për të akuzuarit kryesorë në raport me vendimin e prokurorisë. Vendimi erdhi pas një procesi maratonë disa vjeçar.

https://p.dw.com/p/14JFL
GerdecFotografi: AP

Një trup gjykues në Tiranë, i kryesuar nga Ridvan Hado, ka shkarkuar nga akuza e vrasjes në rrethana të cilësuara për 28 të pandehurit e asaj që njihet si tragjedia e Gërdecit. Të hënën paradite në bazë të vendimit final të gjykatës, binte në sy një zbutje e viteve të dënimit për të akuzuarit kryesorë në raport me vendimin e muajve më parë nga ana e prokurorisë.

Dënimin më të rëndë e morën Ylli Pinari, ish-shef i kompanisë shtetërore të tregtimit të armatimit dhe Dritan Minxholli, administrator i kompanisë që kryente demontimin e armëve dhe lëndëve luftarake, me 18 vite heqje të lirisë secili. 10 vite burg gjykata ka dhënë për Mihal Delijorgjin, ndërkohë që për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Luan Hoxha vetëm 6 vjet. Mes të akuzuarve pati dhe nga ata që u cilësuan si të pafajshëm nga Gjykata e Tiranës.

Pamjet pas shpërthimit në Gërdec
Pamjet pas shpërthimit në GërdecFotografi: AP

Familjarët të pakënaqur me vendimin

Vendimi i shkallës së parë të gjykimit vjen pas një procesi maratonë disa vjeçar, me qindra seanca, që nga Qershori i vitit 2009, ku pjesa më e madhe e tyre janë shtyrë për procedura të ndryshme. 4 vjet më parë, më 15 Mars 2008, në një ambient demontimi të armëve dhe lëndëve luftarake, në fshatin Gërdec, afër 25 km larg Tiranës, pati një seri shpërthimesh që shkaktuan 26 të vrarë, afër 300 të plagosur dhe që shkatërruan shumë objekte publike dhe private në atë zonë. Një pjesë e familjarëve të viktimave të kësaj tragjedie, të cilët ishin prezentë në dhënien e vendimit të Gjykatës së Tiranës, shprehën indinjatë dhe pakënaqësi duke bllokuar për disa çaste derën hyrëse të institucionit. Sipas tyre vendimi i së hënës “është një turp për sistemin e drejtësisë".

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi