1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjorgje Ivanov president i ri i Maqedonisë

Angelina Verbica6 Prill 2009

Kandidati i VMRO-DPMNE-s për president Ivanov fitoi në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor është arritur censusi 40% i pjesëmarrjes së votuesve për zgjedhjen e presidentit.

https://p.dw.com/p/HR9G
Gjorgje IvanovFotografi: AP

Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski ka fituar bindshëm edhe në zgjedhjet lokale. Prej 84 komunave ata kanë korrur fitore në 56. Partia shqiptare në pushtet BDI ka fituar 15 kryetarë komunash .

Në orët e hershme të mëngjesit, kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor ka bërë të ditur se kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov ka fituar në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni.

“Pjesëmarrja e votuesve për zgjedhjet presidenciale ka kaluar 40% me çka është arritur censusi për zgjedhjen e presidentit. Gjorgje Ivanov ka fituar 437.455 vota, ndërsa kandidati i socialdemokratëve Lubomir Frçkoski 252.195 vota”, ka deklaruar Aleksandar Novakovski, kryetar i KSHZ-së.

Para simpatizantëve dhe qytetarëve të grumbulluar në sheshin e qytetit, fituesi i garës presidenciale Gjorgje Ivanov ka thënë se qytetaret ia kanë besuar mandatin që në katër vitet e ardhëshme ai të udhëheqë Maqedoninë.

“Qytetarët më dhanë besimin që të marr përgjegjësinë për një Maqedoni evropiane, Maqedoni pa viza të Shengenit, për një Maqedoni anëtare e ardhshme e NATO-s, kjo përgjegjësi nënkupton edhe një qasje më serioze në zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë” ka deklaruar Gjorgje Ivanov, fitues në zgjedhjet presidencialeFitoren Ivanovit ia ka uruar edhe kryetari i opozites Zoran Zaev. Sipas tij, VMRO-DMNE tani ka pushtetin absolut në Maqedoni, andaj përgjegjësia politike në të ardhmen i takon vetëm VMRO-DPMNE-së. Lubomir Frçkovski ka thëne se zgjedhjet ishin të qeta dhe demokratike.

Gjorge Ivano (r) und Ljubomir Frckovski (l)
Lubomir Frckovski djathtas, Gjorgje Ivanov majtasFotografi: picture-alliance/ dpa

”I falendëroj qytetarët për mënyrën dinjitoze të realizimit të së drejtës demokratike për të zgjedhur një kandidat për president. Ia uroj fitoren kundërshtarit tim Gjorgje Ivanov dhe Zoti i qoftë në ndihmë Maqedonisë.” ka thënë Frçkovski.

Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski ka korrur fitore absolute edhe në zgjedhjet lokale. Prej gjithsej 84 komunave ajo ka fituar në 56. Sipas shefit të shtabit zgjedhor të partisë shqiptare në pushtet BDI, Gëzim Ostreni kjo parti ka fituar në këto komuna:

”Qair, Tearc, Bogovinë, Bërvenic, Vrapqishtë, Likovë, Zhelinë, Dibër , Zajaz, Osllomej, Saraj, Plasnicë dhe Strugë ”

PDSH ka fituar në Tetovë, DR në Haraqinë, ndërsa kandidati i pavarur Rufi Osmani në Gostivar.

Autor:Fatos Musliu

Redaktoi:Angjelina Verbica