Gjithshka varet nga kancelari – Qendra qeverisëse në Gjermani
15 Shkurt 2010Formalisht Presidenti Federal, Presidenti i Këshillit Federal dhe Presidenti i Parlamentit kanë më shumë të drejta. Por faktikisht, kancelari, ose aktualisht kancelarja është politikani më i fuqishëm i Republikës Federale Gjermane. Kancelari ka kompetencat drejtuese, pra vendos parimet bazë të politikës së brendshme dhe të jashtme. Duke qenë kryetar i qeverisë ai drejton kabinetin me ministrat e fushave të ndryshme. Së bashku ata krijojnë qeverinë federale, udhëheqjen politike të vendit.
Populli gjerman nuk mund ta zgjedhë direkt kancelarin, por ai vendos për të një herë në katër vjet në zgjedhjet parlamentare. Kandidati për kancelar i propozuar nga fraksioni më i madh në parlament, është njeriu i paraparë për tu bërë kancelari i ri. Zakonisht ai duhet të kërkojë partnerë koalicioni, në mënyrë që qeveria e tij të përkrahet nga shumica e parlamentit. Tradicionalisht qeveritë e koalicionit në Gjermani përbëhen nga dy parti të ndryshme.
Cili ministër, në cilën fushë?
Kur ka gjetur partnerin e koalicionit, kancelari merret me krijimin e qeverisë, pra me zgjedhjen e ministrave. Ai merr vendimet sa sektorë politike dhe ministri do të ketë qeveria e tij. Ndër sektorët më të rëndësishëm bëjnë pjesë ekonomia, drejtësia, sektori i brenshëm, ai i jashtëm, financat dhe mbrojtja, por edhe familja, transporti dhe shëndetësia. Ministrat federalë drejtojnë sektorët e tyre, nën përgjegjësinë personale, sipas ligjeve të dhëna.
Zgjedhja e kancelarit bëhet në fund
Kancelari i propozon Presidentit ministrat e zgjedhur prej tij. Presidenti i emëron ata për një post katërvjeçar. Përveç kësah Presidenti ka për detyrë të propozojë si kancelar të ri të vendit, kandidatin e parashikuar. Zgjedhja bëhet nga deputetët e parlamentit. Shpesh kjo bëhet pasi ka marrë fund krijimi i qeverisë, pra janë krijuar sektorët dhe janë ndarë postet e ministrave.