1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjermania - vendi i parë që do të vizitojë Emmanuel Macron

Presidenti i ardhshëm francez Emmanuel Macron do të vizitojë pak pas ardhjes në postin e ri Gjermaninë. Ndërsa kancelarja Angela Merkel i gëzohet bashkëpunimit.

Presidenti i ri i Francës Emmanuel Macron do ta marrë këtë post deri të dielën e ardhshme nga paraardhësi i tij François Hollande. Ndërsa udhëtimin e tij të parë jashtë vendit si president ai do ta realizojë në Gjermani, thotë eurodeputetja Sylvie Goulard. Dilema e vetme është nëse Macron më parë do të vizitojë trupat franceze të stacionuara jashtë vendit, apo menjëherë do të shkojë në Berlin dhe të takohet me kancelaren Angela Merkel.

Merkel i gëzohet takimit

Kanclerja Angela Merkel i gëzohet takimit me presidentin e ri Macron dhe shpreson vazhdimin e marrëdhënieve të mira në frymën e miqësisë gjermano-franceze, tha zëdhënësi i saj Steffen Seibert. Ndërsa vetö Merkel theksoi se "Franca dhe Gjermania duhet të udhëheqin Bashkimin Evropian drejt një të ardhme të sigurt".

"Këto dy vende kanë një lidhje shumë të rëndësishme mes tyre. Unë i gëzohem shumë bashkëpunimit me presidentin e ri Macron", theksoi Merkel të hënën në Berlin. Por Merkel për momentin është e përmbajtur ndaj kërkesave që Gjermania të mbështesë edhe më shumë qeverinë e re franceze. Gjermania do të ndihmojë që të ulet edhe më shumë numri i të papunëve, në veçanti numri i të rinjve të papunë. Presim që së pari të njihemi me përfytyrimet dhe kërkesat e Macronit, tha Merkel.

Gjermania partnere e mirë dhe e sigurt

"Franca ka nevojë për rezultate konkrete në rrafshin ekonomik, uljen e papunësisë dhe integrimin", nënvizoi kancelarja gjermane duke shtuar se qeveria gjermane është gjithmonë e gatshme për ndihma në këtë aspekt. "Por mbështetja gjermane nuk mund të zëvendësojë politikën franceze", tha Merkel, e cila fitoren e Macronit ndaj nacionalistes Marinne le Pen e ka quajtur të mrekullueshme dhe shumë të rëndësishme për Evropën.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se Gjermania do të jetë një partnere e mirë dhe e sigurt në anën e presidentit të ri Macron. Ndërsa kandidati i socialdemokratëve për kancelar, Martin Schulz uroi francezët për zgjedhjen e mirë dhe shtoi se tani ka ardhur koha që të bëjmë "një Evropë edhe më të mirë".