1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania vend i preferuar për imigrim

Katharina Bahn/Pandeli Pani21 Maj 2014

Tregu i fuqishëm gjerman i punës po tërheq gjithnjë e më shumë emigrantë nga Evropa Jugore dhe Lindore.

https://p.dw.com/p/1C3cx
Fotografi: Becky Stares/Fotolia.com

Gjermania është bërë një ndër vendet më të preferuara për imigrim. Gjermania renditet kështu e dyta pas SHBA-së, si vend ku vijnë ndërkohë shumica e imigrantëve. Në këtë përfundim arrin së fundi Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim, OECD. Gjermania i ka kaluar tashmë prej kohësh vendet tradicionale të emigracionit, si Kanadaja dhe Australia. Megjithatë SHBA vazhdon të mbetet në radhët e vendeve të industrializuara vendi, ku shkojnë me diferencë të madhe më shumë emigrantë.

Sidomos fuqia e kualifikuar e punës, si p.sh. inxhinierë, apo teknikë janë shumë të mirëpritur, sepse në Gjermani po ndihet mjaft mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe ekonomia gjermane mund ta mbyllë hendekun, që ekziston për punonjës të kualifikuar vetëm përmes emigrantëve.

Ky fakt po tërheq në Gjermani gjithnjë e më shumë njerëz, sidomos nga Evropa Jugore dhe Lindore. Shumë prej tyre shpresojnë se do të gjejnë këtu punë dhe një të ardhme më të mirë. Për shkak të krizës ekonomike vendet e Evropës Jugore, si Spanja, Italia, Greqia, apo Portugalia po largohen gjithnjë e më shumë njerëz.

Rritje e konsiderueshme

Që nga viti 2009 numri i emigrantëve në Gjermani po rritet në mënyrë të konsiderueshme. Në vitin 2012 numëroheshin 400.000 emigrantë të përhershëm. Një rritje prej rreth 40 për qind në krahasim me një vit më parë. Sipas studimit të OECD-së në asnjë vend tjetër anëtar të kësaj organizate nuk ka pasur një rritje të ngjashme.
Më shumë se dy të tretat e emigrantëve kanë gjetur një punë në Gjermani. Një e treta e tyre madje edhe punë me kualifikim të lartë, inxhinierë mjedisi, informaticienë etj.
Po ashtu vihet re edhe se jo vetëm që në Gjermani vijnë më shumë emigrantë, por edhe se ata qëndrojnë më gjatë. Shumë prej tyre gjejnë më me lehtësi punë në Gjermani, sepse ata janë mesatarisht më të arsimuar se emigrantët, që vinin dhjetë, apo 20 vjet më parë.