1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania si fuqi negociuese

Nga Ukraina te Irani, deri tek kriza në Siri, politika e jashtme gjermane në vitin 2015 ka ndërmjetësuar me sukses. Gjermanët e kanë gjetur me sa duket rolin e tyre në politikën ndërkombëtare.

Gjithë natën, rreth 17 orë zgjasin negociatat në Minsk të Bjellorusisë. Në fund arrihet një marrëveshje, me të cilën ende sot të gjithë janë të pakënaqur. Por në këtë moment ekziston rreziku i luftës në Ukrainën lindore - luftë ndërmjet Ukrainës dhe separatistëve, të cilët mbështeten nga Rusia. Në Minsk kancelarja gjermane dhe presidenti francez i bindin presidentin rus dhe atë ukrainas për një plan, me të cilin fillon të bëhet e imagjinueshme një zgjidhje.

Zbatimi i "Minsk" është ende i paplotë, armëpushimi i brishtë. Por në intervale të rregullta ministrat e jashtëm të katër vendeve Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë, Francës takohen rregullisht dhe diskutojnë për hapat e tjerë të vegjël.
Paralelisht me këtë gjermanët kanë arritur të forcojnë sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe t'i mbajnë ato kundër interesave të disa evropianëve dhe një pjese të ekonomisë gjermane.

Kriza 2 - Greqia në korrik

Angela Merkel dhe Alexis Tsipras

Angela Merkel dhe Alexis Tsipras

Edhe në natën e negociatave me 13 korrik dëshmohet një prej cilësive të veçanta të politikës së jashtme gjermane: qëndrueshmëria. Përsëri Angela Merkel negocion për 17 orë. Pastaj paketa e tretë e ndihmës për Greqinë është gati. Qeveria e re e majtë greke e zgjedhur në janar nën Aleksis Tsipras prej muajsh përpiqej të shmangë logjikën e shpëtimit të BE-së me kushtet e tij për reforma të rrepta. Rruga e Tsipras: ndarja. Gjermanët i bën gogol, në të njëjtën kohë ai kërkon aleatë në mesin e vendeve të tjera të Evropës Jugore.
Por këtu shfaqet një cilësi tjetër e politikës së jashtme gjermane: përfshirja e të tjerëve. Angela Merkel dhe përsëri Francois Hollande, kancelarja konservatore dhe kryeministri socialist demonstrojnë unitet evropian në vizitën e tyre të përbashkët në Athinë. Ndjenja mbizotëruese pas miratimit në korrik: lodhje dhe lehtësim, jo entuziazëm. Drama greke është një serial, episodi tjetër po zhvillohet ndërkohë.

Fundi i një krize - Irani në korrik

Dymbëdhjetë vjet negociata, një fazë përfundimtare prej 14 ditësh, ku negociatorët i shtyjnë vazhdimisht afatet, që i kanë vënë vetë. Përsëri orë të tëra negociatash të vështira. Dhe në fund arrihet më 14 korrik në Vjenë marrëveshja bërthamore me Iranin. Për asnjë vend tjetër nuk vlejnë kontrolle kaq të rrepta: Për 25 vjet do të kontrollohen të gjitha aktivitetet bërthamore të Iranit, pasurimi dhe zhvillimi do të jenë shumë të kufizuara. Nga ana e tij Perëndimi heq sanksionet ekonomike, por mund t'i vendosë përsëri, nëse Irani shkel marrëveshjen.

Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier në Teheran

Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier në Teheran

Gjermania ka luajtur rolin e saj të rëndësishëm si ndërmjetëse - Irani i beson veçanërisht gjermanëve, edhe pse ata qëndrojnë të palëkundur në anën e Izraelit. Kjo e fundit dhe gatishmëria për të marrë mbi vete edhe dëmet që shkaktojnë për ekonominë e saj sanksionet shumëvjeçare, forcojnë nga ana tjetër besimin tek pesë fuqitë me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ministri i Jashtëm Steinmeier ka përvojë ndërmjetësimi që nga mandati i tij i parë. Dhjetë vjet - me ndërprerje – bisedime të shpërblyera me një marrëveshje historike.

Kriza e madhe – Siria dhe refugjatët në fund të verës

Pas më shumë se katër vitesh në luftë civile, lufta civile në Siri arrin Evropën dhe në mënyrë të veçantë Gjermaninë. Miliona sirianë kanë marrë arratinë nga tmerri i regjimit të Asadit dhe të IS, shumica fillimisht në vendet fqinje. Por atje bashkësia ndërkombëtare kujdeset gjithnjë e më pak për ta, OKB-së i duhet të reduktojë racionet. Në verë ata fillojnë të lëvizin drejt veriut. Gjermania shihet si toka e premtuar, pasi ajo ka hapur kufijtë për refugjatët e luftës.

Shumica e evropianëve të tjerë nuk e shohin me sy të mirë këtë vendim. Por nën presionin e numrit të refugjatëve dhe shqetësimit në rritje që terrori i IS mund të përhapet, për herë të parë më 30 tetor mblidhen në Vjenë të gjithë aktorët kryesorë për të biseduar në lidhje me një plan politik për Sirinë - me të vërtetë të gjithë, edhe fuqitë rajonale Arabia Saudite dhe Irani. Ata janë armiq për vdekje, por janë bindur të marrin pjesë: Dy javë para bisedimeve në Vjenë, ministri i jashtëm gjerman udhëtoi në dy vendet për bisedime politike.

Ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen me refugjatët në Bavari

Ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen me refugjatët në Bavari

Në të njëjtën kohë hapësira ajrore e Sirisë zihet gjithnjë e më shumë: Pas sulmeve terroriste të Parisit më 13 nëntor edhe francezët dhe britanikët sulmojnë nga ajri IS në Siri, të mbështetur nga avionët gjermanë të zbulimit dhe për furnizimin me karburant.

Kriza të vazhdueshme


Europa nuk i ka punët mirë, solidariteti po shkërmoqet. Gjermania është e rrethuar nga vende, ku shumica e zgjedhësve marshojnë në drejtim të rinacionalizimit dhe mbylljes. Britania e Madhe sipas sondazheve lëviz në drejtim krejtësisht jashtë BE-së. Politika e jashtme gjermane lufton për të penguar brexitin. Kancelarja gjermane takohet këtë vit katër herë vetëm me kryeministrin britanik, për të mos llogaritur bisedimet e posaçme në margjinat e samiteve.

Që në lidhjen transatlantike ka largim, mund të shihet në raportin me Kinën: gjermanët e shohin Kinën nga perspektiva e politikës tregtare, perspektiva amerikane është më konfliktuale dhe dominohet nga ushtria.
Në Afrikë sundimtarët e përjetshëm dhe korrupsioni rrezikojnë t'i marrin frymën kontinentit, jo vetëm në Burundi. Tetë udhëtime në shtetet e Afrikës subsahariane ka ndërmarrë ministri i Jashtëm gjerman në vitin 2015.

Në 65 vende ka qenë gjithsej Frank-Walter Steinmeier këtë vit, përveç udhëtimeve në Bruksel, Gjenevë dhe Vjenë. Strategjia pas kësaj? Nuk ka një strategji të madhe të politikës së jashtme. Vetëm nëse përpjekja e vazhdueshme për të ndërmjetësuar dhe për të mos hequr dorë, konsiderohet si e tillë.