1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania përshtat ligjin e migracionit me rregullat e BE-së

Peter Stytzle15 Qershor 2007

Dhjetëra mijëra të huaj të pranuar përkohësisht në Gjermani do të fitojnë shanse më të mira për një qëndrim të përhershëm

https://p.dw.com/p/Axci
Migrantë të huaj në lagjen Kreuzberg në Berlin
Migrantë të huaj në lagjen Kreuzberg në BerlinFotografi: dpa

Bundestagu aprovoi të enjten më 14 qershor, me shumicën e votave të partisë socialdemokrate (SPD) dhe kristiandemokrate (CDU) ligjin e ri të emigracionit, që përmbledh 11 udhëzimet bazë të Bashkimit Evropian.

Sipas këtij ligji fitojnë të drejtën për qëndrim të përhershëm ata të huaj, që deri tani kishin leje qëndrimi të përkohsme dhe që deri në fund të vitit 2009 gjejnë një vend pune dhe janë në gjendje të mbajnë familjet e tyre pa patur nevojën e ndihmës nga shteti. Nga ana tjetër ligji parashikon një ashpërsim të së drejtës së emigrimit. Kështu do të vështirësohet marrja e partnerëve për të mënjanuar kështu martesat e detyruara të grave.

Ishte një debat plot kundërvënie të ashpra në Budestagun gjerman. Kështu përshembull midis deputetit të të gjelbërve Josef Winkler dhe ministrit të brendshëm Wolfgang Scheuble.

Winkler: "Sot po miratohet nga koalicioni i madh një paketë ligjore armiqësore ndaj gruas, ndaj familjes, integrimit duke qenë kundër të drejtave themelore të njeriut. Kjo është e dëmshme e shëmtuar dhe e turpshme."

Ministri i brendshëm Scheuble nuk a la këtë deklarim të pakomentuar: "Ai që e mohon këtë dhe ai që flet në këtë mënyrë si folët ju zoti koleg Winkler, bëhet mëkatar në mosarritjen e qëllimit të integrimit të të huajve në këtë vend."

Rregullat e ashpërsuara për marrjen e bashkëshortëve nga jashtë, Scheuble i shpjegoi me atë se në disa grupe njerëzish, dhe me këta nënkuptoheshin turqit, që jetojnë në Gjermani në brezin e tretë, më shumë se gjysma i marrin bashkëshortet nga jashtë. "Dhe kjo flet për atë se këto lloj martesash të rregulluara, dhe këtu nuk bëhet aspak fjalë për martesa të detyruara, përbëjnë në vetvete një pengesë abuzuese për integrimin. Pikërisht këtë ne duhet ta luftojmë bazuar në nenin 6 të Ligjit Themeltar."

Ky nen 6 flet në mbrojtje të martesës dhe të familjes. Ligji i ri parashikon që partneri duhet të zotërojë gjuhën gjermane përpara se të lejohet të vijë në Gjermani.

Opozita e konsideroi si shkelje të nenit të Ligjit Themeltar, që bashkëshortëve u mohohet e drejta e ardhjes në Gjermani nëse nuk zotërojnë gjuhën gjermane. Në parim megjiathtë pranohet se të huajt që jetojnë në Gjermani duhet të mësojnë edhe gjuhën gjermane. Por që ky fakt deri para pak vitesh ishte i debatueshëm solii në kujtesë Hans-Peter Uhl i partisë kristiansociale bavareze (CSU): "Në qoftë se atëhere dikush kërkonte njohuri të gjuhës gjermane për migrantët, shahej ashpër sidomos nga të gjelbërit. Gjermanizim i detyruar ose racizëm administartiv ishin sharjet më të këqija të tyre, dhe kështu diskriminohej kjo."

Bërjen më të vështirë të marrjes së bashkëshortëve nga jashtë dhe marrja e nënshtetësisë gjermane nga ana e të huajve që janë rritur në Gjermani ashtu siç parashikohen në ligjin e ri të sapomiratuar i kritikoi krahas të gjelbërve edhe Sevim Dagelen i fraksionit të të majtëve: "Eshtë mëse e qartë: ju i doni punëtorët e huaj në Gjermani, por ata duhet të jenë skllavë në Gjermani, ka thënë deputeti i Partisë Socialdemokrate Karl Liebknecht në vitin 1912 kur atëhere diskutohej ligji për nënshtetësinë. Nga kjo pikëpamje edhe sot e kësaj dite nuk ka ndryshuar asgjë në mënyrën e të diskutuarit përveç faktit se partia socialdemokrate nuk është më ajo që ka qenë dikur."

Hartfried Wolf i liberalëve në opozitë e kritikoi ligjin që parashikon që ndryshimet në të ardhmen të së drejtës për azilim nga e Bashkimit Evropian duhet të adaptohen automatikisht në legjislacionin gjerman. "Në këtë mënyrë ndryshime të rëndësishme legjislative nuk do të jenë më nën kontrollin e Bundestagut dhe kështu janë kundrakushtetuese."

Verdiktit të rënies në kundërshtim me kushtetutën e theksuan shumë deputetë të opozitës dhe Fokler Beck i të gjelbërve tha: "Shumë kolegë të partisë socialdemkrate më kanë thënë, se ata e votojnë këtë ligj sepse e dinë se gjykata kushtetuese në Karlsruhe do ta hedhë poshtë. Kjo është një formë e çuditshme e nxjerrjes së ligjeve kur e di më parë se ato nuk do të zbatohen."

Deputeti socialdemokrat Sebastian Edaty tha: "Ne e votojmë këtë ligj vetëm me shpresën se do të bëhen hapa përpara drejt inegrimit. Ne presim që kancelarja të angazhohet për këtë."

Megjithatë shumë deputetë socialdemokratë nuk e dhanë votën e tyre për ligjin në fjalë.