1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama Afghanistan

23 Qershor 2011

Në një fjalim televiziv drejtuar kombit presidenti i SHBA-së Barack Obama sqaroi të mërkurën (22.06.2011) se mund të fillojë tërheqja e ushtarëve nga Afganistani, pasi janë arritur objektivat e përcaktuara në Afganistan.

https://p.dw.com/p/11iG6
Barack ObamaFotografi: AP

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle e përshëndeti synimin e SHBA për të tërhequr deri në fund të verës së vitit të ardhshëm 33.000 ushtarë nga Afganistani.
"Fjalimi i presidentit Obama duhet përshëndetur shumë. Ai përmbush strategjinë ndërkombëtare për të cilën është diskutuar edhe me ne gjermanët."

Westerwelle tha se tani që perspektiva e tërheqjes së trupave është konkrete edhe ushtria gjermane, Bundeswehri do të reduktojë për herë të parë kontingjentin në këtë vend. Por ai nuk pörmendi shifra apo afate kohore tö sakta. Sipas Westerwelle-s deklarata e presidentit Obama për tërheqjen e trupave është një pranim i qartë i strategjisë për t'ua lënë gradualisht afganëve në dorë përgjegjësinë për vendin e tyre.
"Kjo do të thotë që tani hap pas hapi do të vëmë në jetë një politikë të zgjidhjeve politike dhe jo atyre ushtarake. Dhe në vitin 2014 e gjithë përgjegjësia do të kalojë në duart e qeverisë afgane." Ministri i Jashtëm gjerman theksoi se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë ta përkrahë Afganistanin, por pas 10 vjetësh prani ushtarake trupat duhet të fillojnë të reduktohen. Gjithësesi sipas Westerwelle: "Nuk ka shkak që shkalla e alarmit të ulet, por kemi shkak që tani të ndikojmë dhe të bashkëpunojmë me kujdes për t'ua dorëzuar përgjegjësinë afganëve, sepse vendimtarë është që procesi i dorëzimit të dalë me sukses.

Aussenminister Guido Westerwelle (FDP) kommt am Mittwoch (15.06.11) in Berlin im Bundeskanzleramt zur Kabinettssitzung. Das Bundeskabinett will am Mittwoch das neue Afrika-Konzept der Bundesregierung verabschieden. (zu dapd-Text) Foto: Berthold Stadler/dapd
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido WesterwelleFotografi: dapd



Edhe Franca dhe Britania e Madhe deklaruan se do të fillojnë me tërheqjen e trupave nga Afganistani. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen e përshëndeti deklaratën e presidentit amerikan Barack Obama për tërheqjen nga Afganistani dhe e quajti atë rrjedhojë të sukseseve të NATO-s në këtë vend.

Fjalimi i Obama-s drejtuar kombit

Obama: "Al-Kaida ndodhet nën trysninë më të madhe qysh pas sulmeve të 11 shtatorit 2001". Më shumë se gjysma e udhëheqësve të Al Kaidës janë vrarë, e në radhë të parë vet kreu Osama Bin Laden. Prej shtatë vjetësh në Shtëpinë e Bardhë thuhej se nuk kishte asnjë tregues, se në Afganistan po planifikohej ndonjë sulm ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Udhëheqësit e organizatës terroriste Al Kaida ndodheshin deri në kohën e vrasjes së tyre në Pakistan. Al Kaida po ashtu nuk është më në gjendje për të stërvitur terroristët në Afganistan.

Edhe talebanëve i janë shkaktuar humbje të mëdha dhe janë marrë nën kontroll shumë fortifikata të tyre, tha Obama në fjalimin e tij nga Shtëpia e Bardhë. "Së bashku me përforcimin e trupave tona edhe aleatët tanë kanë shtuar angazhimin e tyre. Kjo ka ndihmuar që të stabilizohet një pjesë e madhe e vendit."

Aktualisht numri i forcave afgane të sigurisë është mbi 100 mijë. Në disa krahina dhe bashki ndërkohë ka filluar kalimi i kompetencave dhe përgjegjësive të sigurisë tek forcat afgane. Bartja e këtyre përgjegjësive, që është vendosur nga NATO-ja vitin e kaluar në Lisbonë duhet të përfundojë deri në vitin 2014.

Waffen Abrüstung von Milizen in Afghanistan NO FLASH
Çarmatimi i milicëve në AfganistanFotografi: DW/Faridullah Zahir

Obama: " Duke pasur parasysh dhunën dhe frikësimin, afganët po luftojnë dhe po vdesin për vendin e tyre, po ngrejnë stacione lokale të policisë, po hapin tregje dhe shkolla duke iu dhënë grave dhe vajzave mundësi të reja dhe përpiqen që pas një lufte dhjetëvjeçare të hapin një kapitull të ri."

Në dhjetor të vitit 2009 gjatë një fjalimi në Akademinë Ushtarake në West Point Obama pat urdhëruar shtimin e trupave në 30.000 ushtarë, dhe më vonë ai i dha urdhërin për dislokimin edhe të 3.000 trupave të tjerë për të siguruar mbështetjen logjistike për trupat luftarake. Njëkohësisht po në West Point Obama kishte përmendur korrikun e vitit 2011 afat për fillimin e tërheqjes së këtyre ushtarëve nga Afganistani. Tani ai fillon me realizimin e këtij premtimi, por pjesërisht përmbush edhe kërkesën e ushtarakëve të tij që tërheqja të mos të bëhet shumë shpejt. Gjendja në Afganistan përshkruhet si jo qëndrueshme nga gjeneralët e tij. Sukseset e arritura nga përforcimi i trupave nuk janë të pakthyeshme. Si "kohë kryesore luftimeve" në Afganistan konsiderohet vera. Prandaj plani i prezantuar nga Obama parashikon mbështetjen e plotë luftarake të ushtrisë gjatë kësaj vere dhe verës së ardhshme. Aktualisht në Afganistan ndodhen rreth 100 mijë ushtarë amerikanë dhe rreth 40 mijë ushtarë të Trupës Mbrojtëse Ndërkombëtare ISAF.

Edhe shpenzimet luajnë rol në vendimmarrje

Obama paralajmëroi në fjalimin e tij se nuk do të jetë e thjeshtë që të sigurohen sukseset e arritura. "Sfida të mëdha mbeten para nesh", tha ai.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes në largim Robert Gates së fundi ka paralajmëruar nga rreziqet e një tërheqjeje të shpejtë e trupave. Por në këtë mes një rol luajnë edhe shüpenzimet e misionit, të cilat aktualisht përllogariten të jenë rreth dhjetë miliardë dollarë në muaj. Kjo nuk u la anash as në fjalimin e presidentit Obama. Në dekadën e fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpenzuar për luftë një trilion dollarë, kryesisht në Afganistan dhe në Irak. Në kohët e vështira ekonomike tani është momenti që të investohet tek populli amerikan. "Amerikë, është koha që të përqëndrohemi në ndërtimin e kombit këtu në shtëpi. Ne duhet të mobilizojmë forcën e novacioneve që krijojmë vende të reja pune, duhet të rindërtojmë infrastrukturën, duhet të gjejmë burime të reja të energjisë së pastër dhe mbi të gjitha duhet të rizbulojmë pikësynimin e përbashkët që na bashkoi në fillim të kësaj lufte, pasi vendi ynë gjen fuqi tek pluralizmi, dhe kur vendi ynë është i fortë, asnjë horizont nuk është i paarritshëm”, tha Obama.

Presidenti u foli nga zemra amerikanëve, të cilët janë të lodhur nga lufta dhe duan që ushtarët sa më parë të kthehen në shtëpi. Madje edhe vet deputetët republikanë, të cilët deri tani e kanë mbështetur kursin e presidentit në Afganistan, shprehen gjithashtu për tërheqjen e trupave.

Autor: C. Bergmann / W.Labuhn (era/pp)

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora