1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania përballë Ganës

23 Qershor 2010

Në Kampionatin Botëror të futbollit në Afrikën e Jugut zhvillohen sot ndeshjet vendimtare në grupin C dhe D. Gjermania ka sot përballë Ganën

https://p.dw.com/p/O12B
Tifozë ganezë në Gjermani
Tifozë ganezë në GjermaniFotografi: Kathrin Gänsler

Gana kryeson aktualisht tabelën e grupit D, me 4 pikë. E dyta është Gjermania me tri pikë, sa edhe Serbia, e cila ka një golavarazh më të dobët se gjermanët. Australia është e fundit me vetëm një pikë, por edhe ajo ka gjasa teorike për kualifikim në garat e mëtejshme, që e bën gjendjen në këtë grup shumë interesante.

Për t'u kualifikuar me siguri në mesin e 16 ekipeve më të mira të këtij kampionati Gjermanisë i duhet fitorja kundër ekipit afrikan. Në rast barazimi apo humbjeje, mund të ndodhë, që për herë të parë në historinë e kampionateve botërore, lojtarët e trajnerit Joachim Lëw, të kthehen në shtëpi pas garave në grupe. Por këtë aktualisht në ekipin gjerman nuk do ta besojë askush.

Trajneri Joachim Lëv pohon se nuk do të bëjë ndryshime të mëdha në formacionin e deritanishëm, i cili shkëlqeu kundër Australisë (4:0) dhe dështoi kundër Serbisë (0:1). Deri tani është e sigurt se atij i duhet të gjejë një zëvendësues për qendërsulmuesin Miroslav Klose, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen kundër Serbisë. Kandidatë për këtë pozicion janë Cacau, Mario Gomes dhe Stefan Kießling.

"Vendimi përfundimtar do të merret pas trajnimit të fundit dhe konsultimeve me trajnerët tjerë, sepse gjithmonë kemi mundësi të ndryshme. Por në këtë moment mendoj se Cacau do të fillojë ndeshjen, të paktën sa i përket sulmit", - theksoi Lëw, i cili në këtë mënyrë e la të hapur mundësinë për ndryshime edhe në pjesët tjera të ekipit.

Pas ndeshjes së fundit ka pasur kritika të shumta në lidhje me mbrojtësin 20 -vjeçar, Holger Badstuber, nga Bajerni i Mynihut, i cili në ndeshjen kundër Serbisë ka humbur shumë duele me sulmuesin e djathtë Millosh Krasiq. Lojtarët dhe trajneri i kombëtares gjermane janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes kundër Ganës, por shprehen të sigurt se do të kualifikohen ndër 16 ekipet më të mira.

"Unë më shumë i gëzohem kësaj loje se sa që kam frikë nga ajo", thotë Lëv.

Ndeshja do të jetë interesante edhe për një fakt tjetër, sepse lojtarët gjermanë për herë të parë do të ndeshen ballë për ballë me lojtarin Kevin Prince Boateng të Ganës, i cili më parë ka luajtur për të gjitha skuadrat e reja gjermane. Tani ai ka vendosur të luajë për Ganën, por edhe më i rëndësishëm është fakti që në kampionatin anglez ai ka lënduar rëndë kapitenin e kombëtares gjermane Michael Ballack dhe i ka pamundësuar pjesëmarrjen në këtë Kampionat Botëror. Vëllai i tij prej babe Jerome Boateng, luan me ekipin e Gjermanisë. Por ai dhe shumë lojtarë të tjerë paralajmërojnë se duhet hequr dorë nga emocionet dhe duhet përqendruar tek rezultati i ndeshjes.

Në ndeshjen tjetër të grupit D, Serbia konsiderohet si favorit në ndeshjen me Australinë, por australianët në ndeshjen e fundit kundër Ganës kanë barazuar (1:1) edhe pse gati një orë kanë luajtur me një lojtar më pak. Deri tani dihen kundërshtarët në dy ndeshje që do të zhvillohen ndeshjet e raundit të dytë drejt finales: Uruguaji dhe Koreja e Jugut si dhe Argjentina me Meksikën.

Autor: Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani