1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania për Serbinë dhjetë vjet pas ndryshimeve

5 Tetor 2010

Dhjetë vjet pas ndryshimeve të pesë tetorit, analistët gjermanë kanë mendime të ndryshme rreth procesit të demokratizimit të Serbisë dhe shoqërisë së saj. Ndryshimet nuk mund të vërehen, por as problemet…

https://p.dw.com/p/PW3c
Beograd, 5 tetor 2001
Beograd, 5 tetor 2001Fotografi: AP

Kur para disa ditësh qëndroi në Berlin Slavica Gjukiç-Dejanoviç, sot kryetare e Kuvendit Popullor të Serbisë e në kohën e diktaturës së Milosheviçit, bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, homologu i saj Norbert Lamert, presidenti i Bundestagut Gjerman pati komentuar:

„Nuk mund të mos i vësh re ndryshimet që janë bërë në Serbi, vitet e shkuara, para së gjithash orientimi i Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Këtë e vërteton edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian. Megjithatë, raporti poashtu dëshmon edhe faktin që qëllime të caktuara vihen në letër, por nuk implementohen në praktikë", ka thënë Lamert.

Norbert Lammert dhe Slavica Gjukiç-Dejanoviç në Berlin
Norbert Lammert dhe Slavica Gjukiç-Dejanoviç në BerlinFotografi: Selma Filipovic

„Qytetarë, merruni më pak me nacionalizëm dhe më shumë me probleme jetike!“

Wolfgang Klotz, i cili drejton tani në Beograd Fondacionin “Heinrich Böll” mendon se Serbia sot nuk është atje ku duhej të ishte një vend evropian, i cili e ka filluar demokratizmin e shoqërisë para dhjetë vjetësh. Në Serbi ekziston një frikë e madhe dhe nuk ka besim në mes të elitës qeveritare dhe qytetarëve, vlerëson Klotz.

„Edhe pse në opinion paraqiten ndryshe, elita qeveritare nuk është e vetëdijshme çfarë do të thotë Evropa për ta dhe për Serbinë. Nëse qytetarët do të merreshin me probleme jetike, siç është një sistem funksional shëndetsor e arsimor, në vend që nga mëngjesi në darkë të merren me çështje nacionaliste, të cilat ua servirin politkanët nëpërmjet mediave, atëherë Serbia do të ishte më shpejt në rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë“, mendon Klotz.

Demokracia nuk arrihet brenda nate

Nuk ka dyshim se Serbia sot është me demokratike se para dhjete vjetësh, thotë Solveig Richter, bashkepunetorja me përvojë e fondacionit gjerman „Shkenca dhe Politika“. Milosheviçi gjatë kohës së qeverisjes së tij, qëllimet e brendshme dhe të jashtme politike i ka arritur pjesërisht edhe me dhunë, përderisa qeveria e tanishme këtë e bën në rrugë paqësore dhe diplomatike, sqaron Solveig Richter.

„Natyrisht, Serbia është edhe më tutje një vend në tranzicion, i cili ndërton dhe forcon demokracinë e vet. Në këtë rrugë, Serbisë sikurse edhe vendeve të tjera në tranzicion i shfaqen probleme, siç është korrupsioni, nepotizmi, mungesa e lirisë së shtypit dhe gjyqsorit, funksionimi i keq i sistemit institucional. Të gjitha këto janë deficite, të cilat në procesin e demokracisë nuk mund të tejkalohen brenda nate“, thotë Solvezh Rihter.

Presidenti Tadiç shpeshherë sillet në mënyrë jokushtetutese

Boris Tadic, presidenti i Serbisë
Boris Tadic, presidenti i SerbisëFotografi: DPA

As reporteri shumëvjeçar i mediave gjermane të shtypit për Evropën Juglindore, Norbert Mapes-Niedek nuk dyshon në përmirësimin dhe progresin e Serbisë në dhjetëvjeçarin e fundit. Ky gazetar mendon se në Serbinë e sotme problemi më i madh është nepotizmi. Shpeshherë, kontaktet personale dhe private janë më të rëndesishme se ato institucionale, prandaj edhe vetë presidenti i Serbisë Boris Tadiç sillet në mënyrë jokushtetutese, komenton Mapes-Niedek.

„Presidenti Boris Tadiç shpeshherë tejkalon autoritetin e paraparë me kushtetutë. Ndoshta kjo herë-herë ka edhe një qëllim për t´u lavdëruar, por kjo nuk është në pajtim me atë që kërkon kushtetuta", thotë Norbert Mapes Niedik.

Autor: Selma Filipović/Berlin/Ajete Beqiraj

Redaktoi: Auron Dodi