1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania i ofron ndihmë Shqipërisë për përballimin e situatës në veri

8 Janar 2010

Gjermania merr përsipër në kuadër të BE-së, të japë çdo lloj mbështetje për të ndihmuar zonat e dëmtuara nga përmbytjet e këtij fillim viti, në rrethin e Shkodrës.

https://p.dw.com/p/LP1X
Irene Eidemüller, këshilltare për kulturën dhe marrëdhëniet me mediat në Ambasadën Gjermane në Tiranë.
Irene Eidemüller, këshilltare për kulturën dhe marrëdhëniet me mediat në Ambasadën Gjermane në Tiranë.Fotografi: DW

Shqipëria i drejtoi ditët e fundit BE-së një kërkesë për ndihmë ndërkombëtare, për shkak të përmbytjeve të rënda në rrethin e Shkodrës. Në përgjigje të kësaj kërkese, Organizata gjermane për Asistencë Teknike, ka dërguar ekspertët e saj, që do të jenë pjesë e ekipit të ekspertëve të BE-së, që vepron përmes strukturës së Qendrës Monitoruese dhe Informuese për Mbrojtjen Civile. Ndërkohë autoritetet gjermane janë në kontakt të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat koordinojnë asistencën dhe mbështetjen për Shqipërinë” - tha Irene Eidemüller, këshilltare për kulturën dhe marrëdhëniet me mediat në Ambasadën Gjermane në Tiranë.

Projektet gjermane synojnë parandalimin e situatave të emergjencës

Mbështetja gjermane ka edhe një përmasë tjetër. Ajo synon shmangien në të ardhmen të përsëritjes së përmbytjeve të tilla në zonat përreth hidrocentraleve, të ngritura mbi kaskadën e lumit Drin. Një projekt i madh ndërkombëtar, i financuar me 20 milion euro nga qeveria gjermane dhe organizata të tjera ndërkombëtare financiare, ka nisur rrugën e realizimit. Projekti quhet “ Mbrojtja e digave të hidrocentraleve mbi lumin Drin dhe Mat”.

Pirro Trebicka, koordinator i projektit në zyrën e KfW-së në Tiranë, thotë për Deutsche Welle-n: “Qeveria gjermane përmes KfW-së do të bashkëfinancojë këtë projekt të madh, që synon të sigurojë digat e hidrocentraleve mbi lumin Drin dhe Mat. Ky projekt është ideuar nga realiteti i digave të hidrocentraleve të ngritura mbi këta dy lumenj, ku kërcënimi i dëmtimit të tyre është i pranishëm pasi nuk është e qartë se sa të sigurta janë digat në këto hidrocentrale.”

Sinjalizimi i popullsisë në zonat e rrezikuara - komponent i rëndësishëm i projektit

Projekti përmban edhe mënyrat bashkëkohore të sinjalizimit të popullsisë në zonat pranë hidrocentraleve për çdo eventualitet. Mbështetja financiare gjermane për këtë projekt, niset nga ruajtja e një energjie të padëmshme për mjedisin, energjie ekologjike, siç është energjia elektrike e prodhuar nga hidrocentralet. Kjo qëndron në bazë edhe të finacimit nga Gjermania përmes bankës KfW, të projekteve të mëdha rajonale në sektorin energjetik , si ai i Linjës së Ritransmetimit të tensionit të Lartë, Tiranë – Podgoricë, Prishtinë- Tiranë dhe i Unazës 110 kilovolt në Jug të Shqipërisë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani