Gjermania fiton festivalin Eurovision 2010
30 Maj 2010Eshtë hera e dytë në historinë e këtij festivali tradicional evropian, që Gjermania fiton vendin e parë. 19-vjeçarja nga Hannoveri, Lena Meyer-Landrut, arriti të bindë miliona teleshikues në mbarë Evropën me tingujt e këngës së saj me një rezultat mahnitës: 246 pikë.
Kënga "Satellite" ishte që përpara festivalit të Eurovision-it një hit në Gjermani. "Jam shumë e lumtur që arritëm vendin e parë", tha Lena pas shpalljes së votave."Ju falenderoj, kjo është absolutisht një mrekulli, nuk mund të jetë reale."
Brohorima gëzimi e festë në Gjermani
Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, mijëra teleshikues nga Gjermania brohoritën e festuan nëpërmjet ekranit televiziv me star-in e tyre.
Në fakt Lena duhet të përgatitej për provimet e maturës. Por ajo e shtyu përkohësisht mësimin, sepse donte të këndonte patjetër. Suksesi dëshmoi se 19-vjeçarja morri vendimin e duhur. Sidoqoftë tani, menjëherë pasi të kthehet në Gjermani, ajo do t'u rikthehet librave të shkollës.
125 milionë teleshikues nga mbarë Evropa
Kostume ekstravagante si edhe drita e efekte pafund e kthyen festivalin e Eurovizionit në Arenën Telenor pranë Oslos, në një spektakël të vërtetë. 25 vende nga Evropa morrën pjesë në të. Turqia morri vendin e dytë, e ndjekur nga Rumania. Në vendin e katërt u rradhit Danimarka, në të pestin Azerbajxhani.
Shqipëria në vendin e 16-të
Shqipëria morri pjesë me Juliana Pashën dhe këngën "It's all about you" (Nuk mundem pa ty). Megjithëse arriti të marrë vetëm vendin e 16-të, Pasha dëshmoi me zërin e saj kumbues dhe paraqitjen sovrane në skenë, se Shqipëria është ndërkohë një vend pjesëmarrës i denjë për spektakle të tilla si Eurovisioni.
Autore: Sonila Harasani/dpa
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi