1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dhe Rusia të shqetësuara për Sirinë

2 Qershor 2012

Presidenti rus Vlladimir Putin gjatë vizitës në Gjermani u takua me kancelaren Angela Merkel dhe me presidentin Joachim Gauck. Temat për bisedime ishin të shumta, por koha ishte e shkurtër.

https://p.dw.com/p/156ov
Merkel dhe Putin
Merkel dhe PutinFotografi: dapd

Vetëm një orë zgjati takimi mes presidentit të Rusisë Vlladimir Putin dhe kancelares gjermane Angela Merkel në Berlin, ku ata biseduan për marrëveshjet për energjinë, marrëdhëniet ekonomike, krizën e euros, programin atomik iranian dhe gjendjen në Siri. "Masakra më e fundit në Al - Hula nxorri në pah se sa e tmerrshme është gjendja e të drejtave të njeriut në Siri", deklaroi kancelarja Merkel, në një konferencë të shkurtër pas këtij takimi, duke shtuar: "Ne të dy kemi bërë të qartë se angazhohemi për një zgjidhje politike."


Plani i të deleguarit të posaçëm Kofi Anan mund të jetë pikënisje e mirë për zgjidhje politike të konfliktit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të punojë që ky plan edhe të realizohet, e në rast nevoje edhe të plotësohet me masa të reja, theksoi Merkel por pa dhënë detaje të reja se me çfarë masash mund të plotësohet plani i tanishëm i Ananit.

Brengosje nga mundësia e luftës qytetare në Siri

Edhe Putini u deklarua për çështjen e Sirisë. Ai hodhi i poshtë kritikat sipas të cilave Rusia është e njëanshme në mbështetjen e regjimit të Asadit. "Sa i përket Sirisë ne kemi raporte shumëvjeçare të mira. Por ne nuk mbështesin asnjërën prej palëve në konflikt", theksoi Putin duke shtuar se Moska nuk i furnizon palët me armë, që mund të përdoren në një luftë civile. Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International ka kërkuar më parë prej Rusisë që të ndërpresë furnizimin e Sirisë me armë.
Putini paralajmëroi nga rreziku i luftës civile në Siri, sepse qysh tani po shihen shenjat fillestare të saj. Kjo është shumë e rrezikshme. Ne jemi të një mendimi me kancelaren Merkel, se duhet ta evitojmë luftën civile. Për këtë duhet të bashkëpunojmë me KS të OKB, presidentin e Sirisë, vendet arabe dhe të gjitha vendet e interesuara për zgjidhjen e këtij konflikti. Në këtë kuptim, Putini tha se duhet pasur durim. "Ne duhet t'i japim një shans planit të Ananit dhe jo të flasim për dështimin e tij. Me dhunë nuk mund të arrihet asgjë", theksoi Putin.

Përqafimet dhe sjellja miqësore

Takimi mes Putinit dhe kancelares Merkel u prit me shumë interes. Mediat patën spekuluar më parë se mes tyre mbizotëron një atmosferë e akullt dhe mungon përzemërsia. Ky ishte edhe shkaku pse kishin ardhur shumë gazetarë për ta ndjekur këtë takim, i pari qysh pas rizgjedhjes së Putinit në postin e presidentit. Ata ishin të interesur për çdo fjalë dhe gjest që mund të simbolizonte marrëdhënjet mes dy politikanëve. Por Merkel dhe Putin lanë një përshtyphe shumë profesionale. Përshëndetja me dy puthje në faqe, buzëqeshjet miqësore dhe fjalët e përzgjedhura ishin ato që dëshmojnë për një raport respektplotë mes tyre.
Si dëshmi e një partneriteti të mirë Putini theksoi edhe bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë ekonomik dhe rritjen e volumit të shkëmbimit të mallrave mes këtyre dy vendeve. Ndërsa Merkel lavdëroi kredibilitetin e palës ruse në furnizimin me gaz.

Përshëndetje mes Angela Merkel dhe Vladimir Putin
Demonstrimi i miqësisëFotografi: Reuters
Angela Merkel dhe Vladimir Putin
Shumë tema e pak kohë.Fotografi: picture-alliance/dpa/RIA NOVOSTI POOL


Pas takimit me kancelaren Merkel, Putini u takua edhe me presidentin gjerman Joachim Gauck. Ishte ky takimi i parë mes tyre në postin e presidentëve. Putini e ftoi presidentin gjerman për një vizitë zyrtare në Rusi.

Autor: Bettina Marx/Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora