1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania dhe krimi i organizuar

Në Berlin u zhvillua këtë javë një konferencë për luftën kundër mafias - shumë plane e pak vepra!

Ndodh më rrallë por edhe Gjermania duhet të pranojë se në këtë vend ka krime të rënda: para dhjetë vitesh në Duisburg pas të shtënave me armë zjarri mbetën të vrarë në rrugë disa vetë. Gjashtë të vdekur ishte bilanci i tmerrshëm i konfliktit të armatosur mes klaneve të 'NdranghetA" të Kalabrisë.

Ndërkohë deri më sot gjërat nuk kanë ndryshuar thuajse aspak. Policia gjermane ka konstuatuar se në këtë vend jetojnë të paktën 560 persona që mund të ndërlidhen me krimin e organizuar jo vetëm në Itali. Bëhet fjalë për persona nga bandat e ndryshme ruse, shqiptare, turke dhe të tjera. Kësaj i shtohen edhe të ardhurit nga Afrika, të cilët merren kryesisht me punë të "pista", pasi punët më të mëdha i kanë kapur të tjerët.

"Mysafir tek mafia"

Pjesëtarët e klaneve të organizuara mirë kaherë kanë nisur punë "më të mira", siç janë pastrimi i parave të kontrabandës, organizimi i transportit të narkotikëve, trafikimi i qenieve njerëzore apo dhe krime të tjera, ku nuk ka nevojë për armë. "Mafia sot gjithnjë e më pak merret me vrasje dhe dhunë", tha ministri i Brendshëm italian Marco Minniti, në një konferencë të mbajtur të mërkuren në Berlin.

"Por kjo nuk do të thotë se mafia nuk ekziston. Mafia është edhe në Gjermani prezente, por e padukshme. Mund të gjendeni në një restoran shumë të bukur në Mynih dhe nuk e dini se jeni mysafir tek mafia, apo në ndonjë tendë në Oktoberfest." Krimi i organizuar është shtrirë jo vetëm në shtete por edhe në fusha të ndryshme të biznesit.

Mafiozët e pëlqejnë Gjermaninë

Shitjen e drogës e shohin të gjithë, por jo edhe paratë e investuara nga krimi në ndonjë biznes, thotë David Ellero, një polic me përvojë 20-vjeçare në luftën kundër krimit të organizuar. Ai ka filluar punën në Napoli, ndërsa tani është në krye të sektorit të Europolit për luftën e krimit në ekonomi. Gjermania është sipas tij selia e pastrimit të parave të kontrabandës dhe për organizimin e narkotikëve. Pasojnë Belgjika dhe Holanda. Në shumë pak vende të tjera mund të shkosh dhe të blesh një orë "Rolex" me 30.000 euro "cash", pa të pyetur shitësja se ku i more këto para. Në parim kjo nuk lejohet, por edhe më tej ekzistojnë rrugë dhe mundësi që diçka e tillë të bëhet.

Kriminalëve u pëlqen edhe infrastruktura në Gjermani dhe u shkon në favor zhvillimi ekonomik. Ndërkohë që në favor u shkojnë edhe ligjet e dobëta ku përkatësia në ndonjë grup kriminal nuk dënohet si dhe ndarja e policisë në lande.

"Bisha me tri këmbë"

Ellero e krahason krimin e organizuar me "një bishë me tri këmbë". Këmba e parë janë zbraztësirat në ligjet e vendeve të BE-së, ku Gjermania është një shembull shumë i mirë. Në veçanti kur dihet se prokuroria duhet të dëshmojë nëse dikush ka arritur ndonjë pasuri në mënyrë ilegale. Në Itali të gjithë duhet të dëshmojnë se paratë i kanë fituar në mënyrë të ndershme. Një person me Rolex në dorë që nget një Ferrari e ka shumë të vështirë të dëshmojë prejardhjen e pasurisë.

Këmba e dytë është mungesa e vetëdijes për ekzistencën e mafias. Polici nga jugu i Italisë sugjeron që "atje ku shihni një piceri italiane në afërsi mund të jetë edhe mafia". Ndaj mafia nuk duhet të paramendohet vetëm si një grup i njerëzve të dyshimtë në dukje, me theks italian dhe me armë në brez.

Dhe këmba e tretë është shpërndarja e resurseve shtetërore në shërbime të ndryshme, në kohën e rrezikut nga terrorizmi. Policia tani është përqendruar më së shumti në luftën kundër ekstremizmit islamik ndërsa kriminelët u shëtisin para hundës. Përparësia e vetme është që mafia tani nuk merret aq shumë me shitjen e armëve, sepse kjo i ka mbetur shtresës më të ulët të kriminelëve. Shitja e armëve ndiqet tani nga të gjitha strukturat e shtetit dhe është një punë tepër e rrezikshme.

Nota e dobët

Polici italian thotë se prerja e vetëm njërës prej këtyre "këmbëve" do të thoshte rrëzim i bishës. Ligjet duhet të ndryshohen dhe të ashpërsohen, sepse mafiozët e sotëm shëtisin me rroba të shtrenjta dhe lëvizin me makina shumë të mira. Ata mbajnë ndoshta edhe kurse në bursa, por në esencë kanë mbetur kriminelë. Ministri i Brendshëm italian Minniti thotë se "nuk e di cili është më i keq - terroristi i ISIS-it apo një shef i krimit të organizuar." Nuk duhet të harrojmë luftën kundër terrorizmit, por as kundër krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore dhe narkotikë.

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizier duhet të bëjë edhe shumë gjëra. Edhe ai vet ka paralajmëruar se duhet forcuar lufta kundër krimit të organizuar. Ai tha se lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar duhet të shfrytzohet si model për një luftë më të mirë kundër krimit të organizuar. Por aktualisht ka shumë probleme.

FBI evropiane?

Në Berlin askush nuk thotë se kriminelët nuk janë aktivë në Gjermani. Një ndër organizatorët e konferencës në Berlin, "Mafia, Nein Danke" (Mafia - jo faleminderit) ka llogaritur se mafia vetëm në Gjermani pastron në vit rreth 100 miliardë (100.000.000.000) euro. Ajo është aktive gjithandej - prej bursave e deri tek kafenetë dhe piceritë.

Ministri gjerman de Maiziere megjithatë paralajmëron se Kushtetuta gjermane nuk lejon krijimin e një force të përbashkët policore, si ajo FBI në SHBA. Por është i mundur bashkëpunimi më i ngushtë, në radhë të parë me "profesorët" nga Italia. Minniti mendon se duhet krijuar edhe një isntitucion evropian me kompetenca të mëdha për luftimin e mafias. Ndërkohë në Gjermani është paralajmëruar ashpërsimi i ligjeve, por mbetet të shihet nëse kjo "këmbë" e prerë do ta rrëzonte bishën (mafian) përtokë.

Nico Pointner, dpa