1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dhe Kina: "Marrëdhënie speciale"?

Mathia von Hein / A. Dodi4 Korrik 2014

Kancelarja Merkel do të udhëtojë në fundjavë në Kinë - për herë të shtatë. Vizita është shprehje e një partneriteti të ngushtë, por të vështirë, me një Kinë që bëhet gjithnjë e më e sigurtë në vetvete.

https://p.dw.com/p/1CVvs
Symbolbild Deutschland China Flaggen
Fotografi: Ed Jones/AFP/Getty Images

Jo më larg se marsi e vizitoi kryetari i shtetit dhe i partisë së Kinës, Xi Jinping Berlinin. Në pranverë në Pekin shkuan ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel. Në vjeshtë pritet në Berlin gati i gjithë kabineti qeveritar kinez, për konsultime qeveritare gjermano-kineze. Por megjithë këtë denduri vizitash reciproke, kancelarja gjermane do t'i kushtojë tri ditë vizitës në Kinë. Asnjë kryetar tjetër shteti evropian nuk takohet kaq dendur me udhëheqjen kineze, sa Angela Merkel.

Pa diskutim: ka me të vërtetë dinamikë në marrëdhëniet gjermano-kineze. Ruajtja e kësaj dinamike është për Sebastian Heilmann-in nga Instituti Mercator në Berlin edhe shkaku për këtë udhëtim të kancelares. Me këtë ai ka parasysh konsultimet qeveritare që pritet të mbahen. Në to do të lidhen një sërë marrëveshjesh, nga teknologjia në arsim, deri te programet kulturore, thotë Heilmanni. Këto nuk mund të diskutohen të gjitha në nivel ekspertësh. Për këtë nevojitet edhe niveli i kryetarëve të shteteve.

Angela Merkel dhe Xi Jinping më 28 mars 2014 në Berlin
Fotografi: Reuters

Trampolinë për Perëndimin e Kinës

Kancelarja gjermane do ta fillojë vizitën e saj të dielën (06.07.2014), në provincën veriperëndimore të Kinës, Siçuan. Kjo provincë ka po kaq banorë, sa ka Gjermania. Në kryeqytetin e provincës, Çengdu Gjermania ka prej rreth dhjetë vjetësh një konsullatë të përgjithshme. Edhe për këtë shkak, meqenëse Çengduja për sipërmarrjet gjermane konsiderohet si trampolinë për Perëndimin relativisht pak të zhvilluar të Kinës. Rreth 160 sipërmarrje gjermane kanë hapur filiale në Çengdu. Këtu do të ndërtohet një fabrikë e Volkswagen-it, të cilën do ta vizitojë kancelarja.

Të dielën pasdite, Merkeli do të udhëtojë në Pekin. Atje ajo do të nisë bisedimet me kryeministrin Li Keqiang. Të hënën Merkeli do të takojë edhe kryetarin e shtetit dhe të partisë së Kinës, Xi Jinping. Liu Liqun, profesor i politikës gjermane në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin pret që në qendër të bisedimeve të jenë çështje ekonomike. Kina është partneri i dytë për nga rëndësia për Gjermaninë jashtë Evropës dhe partneri i pestë në përgjithësi. Për ndërtuesit gjermanë të makinerive dhe pajisjeve, Kina është tregu më i rëndësishëm i qarkullimit. Anasjelltas, Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Kinës në Evropë. Dhe meqenëse në Kinë vlerësohet mbështetja politike për bizneset, Merkelin e shoqëron një delegacion sipërmarrësish të lartë të Deutsche Post-ës, Siemens-it, Volkswagen-it, Airbus-it dhe të Deutsche Bank-ës.

Për herë të parë në prani të Merkelit dhe të homologut të saj Li do të mblidhet Forumi Konsultativ ekonomik. Ai do të diskutojë problemet në marrëdhëniet bilaterale dhe do të formulojë propozime për qeveritë.

Tema ndërkombëtare do të jenë kriza në Siri dhe në Irak, mosmarrëveshja atomike me Korenë e Veriut dhe Iranin, tensionet në Detin e Jugut dhe të Lindjes si dhe Ukraina. Eksperti i Kinës, Heilmann thotë se duhet ta harrojmë idenë që Merkeli mund ta përdorë ndikimin e saj te udhëheqja kineze, që kjo e fundit të ndikojë te Moska për qetësimin e gjendjes në Ukrainë: "Kina i ndjek në mënyrë shumë konsekuente interesat e saj në politikën ndërkombëtare dhe ndjek atje një politikë të rafinuar lisharësi, e cila lejon që të fitohen hapësira veprimi ndaj të gjitha palëve", tha Heilmann. Temë diskutimi pritet të jenë edhe të drejtat e njeriut në Kinë, por për vetë natyrën e temës, përmbajtja nuk bëhet publike.