1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet gjermane ndaj marrëveshjes me Iranin

Jeanette Seiffert / E. Xhani25 Nëntor 2013

Gjermania luajti një rol të rëndësishëm në marrëveshjen me Iranin. Reagimet gjermane janë me nota optimizmi të kujdesshëm. Marrëveshja shihet si një hap i ndërmjetëm, por ekonomia gjermane mund të përfitojë.

https://p.dw.com/p/1AOHx
Fotografi: Reuters

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP), i cili mori pjesë në negociatat në Gjenevë së bashku me ministrat e jashtëm të vendeve me të drejtë vetoje në OKB, Rusisë, Kinës, Britanisë së Madhe dhe Francës, foli për një moment kthese të rëndësishëm: "I jemi afruar një hap më shumë synimit tonë për të penguar armatosjen bërthamore të Iranit."

Pas negociatash disavjeçare Irani për herë të parë tregohet i gatshëm të ndalojë zgjerimin e programit të tij bërthamor dhe të reduktojë pjesë të rezervave. Marrëveshja është megjithatë e kufizuar fillimisht vetëm për gjashtë muaj. Ish kryetari i Komisionit të Jashtën më Parlamentin gjerman dhe eksperti për Iranin Ruprecht Polenz (CDU), paralajmëron ndaj pritjeve të mëdha: marrëveshjet e arritura tani do të thonë para së gjithash se është fituar kohë për negociata të mëtejshme. "Irani ka nënshkruar shumë për gjashtë muajt e ardhshëm dhe para së gjithash ka pranuar masa përkatëse kontrolli, që garantojnë respektimin e premtimeve të tij", tha Polenz në intervistë me DW.

Gjermania ndërmjetëse e rëndësishme

Deputeti ekologjist gjerman Omid Nouripour (Bündnis 90/Die Grünen)
Deputeti ekologjist gjerman Omid Nouripour (Bündnis 90/Die Grünen)Fotografi: picture-alliance/dpa

Sipas politikanit ekologjist Omid Nouripour nuk është aspak vendimtare se për çfarë është rënë dakord në detaje: "Nuk është një kthesë në vetë konfliktin me Iranin por në bashkëpunimin mes palëve", thekson deputeti me origjinë iraniane, i cili është zëdhënës për çështje të politikës së sigurisë në grupin parlamentar të ekologjistëve.

"Është një kthesë pasi dy vjet më parë nuk ishte aspak e përfytyrueshme që palët të uleshin në një tryezë bisedimesh. Ndërsa sot negociohet për zgjidhje kalimtare." Kjo ka të bëjë para së gjithash me faktin që qeveria e re iraniane nën drejtimin e Presidentit Hassan Rohani e ka vënë veten nën trysni të madhe kohore dhe nga tjetër SHBA ishte e gatshme për kompromis.

Edhe përfaqësuesit gjermanë kanë një pjesë të konsiderueshme në këtë sukses: "Gjermania ka luajtur një rol pozitiv për ruajten e koezionit të bashkësisë ndërkombëtare, nga njëra anë rusët dhe kinezët dhe nga ana tjetër amerikanët. Dhe pastaj edhe në mesin e evropianëve, të cilët jo gjithnjë janë në unison", tha Nouripor për DW.

Fillim i ri për marrëdhëniet ekonomike gjermano-irakiane?

Struktura bërthamore në Bushehr, Iran.
Struktura bërthamore në Bushehr, Iran.Fotografi: Fars

Interesi kryesor i iranianëve është natyrisht zbutja e sanksioneve ekonomike ndaj vendit të tyre. Dhe këtë e kanë arritur, të paktën pjesërisht: në këmbim të lëshimeve të gjera në programin bërthamor, tani do të hiqen sanksione të caktuara ndaj arit dhe metaleve të çmuara, në sektorin e automobilëve dhe në sektorin e industrisë kimike. Linjat ajrore iraniane do të kenë mundësi të sigurojnë përsëri pjesë këmbimi për avionët e tyre të vjetëruar.

Ruprecht Polenz konsideron të mundshme që kjo të sjellë edhe avantazhe ekonomike për Gjermaninë, pasi tregtia me Iranin do të jetë përsëri e mundur: "Gjermania ka marrë pjesë gjerësisht në sanksione dhe nëse tani një pjesë e tyre zbutet, ka gjasa që të preken pozitivisht interesat ekonomike gjermane."

Por kufizimet në biznesin me naftën dhe transaksionet financiare do të mbeten një herë për një herë. "Kështu duhet të jetë deri në negociimin dhe zbatimin e një marrëveshjeje përfundimtare", thotë Polenz.

Ndryshim i interesave të Iranit

Vendimtare do të jetë megjithatë, nëse iranianët do të tregohen të besueshëm dhe do të zbatojnë me përpikmëri rezultatet e negociatave. Politikani ekologjist Omid Nouripour është optimist: "Përshtypja ime është që iranianët e kanë shumë seriozisht, pasi interesat e tyre kanë ndryshuar: Siria është bërë dukshëm më e rëndësishme se çështja e programit bërthamor të Iranit."

Deputeti kristiandemokrat gjerman Ruprecht Polenz (CDU).
Deputeti kristiandemokrat gjerman Ruprecht Polenz (CDU).Fotografi: picture-alliance/dpa

Ruprecht Polenz nga CDU shprehet me tone më kritike: muajt e ardhshëm do të shihet, nëse Irani e ka seriozisht me premtimet e tij, apo kërkon të fitojë vetëm kohë."Nuk do t'ia këshilloja një gjë të tillë Iranit, pasi në këtë rast sanksionet do të hynin sërish në fuqi."

Por edhe Perëndimi ka interesa, që shkojnë përtej programit bërthamor: negociatat e ardhshme duhet të shfrytëzohen për të diskutuar edhe tema të tjera të rëndësishme. "Këtu bën pjesë para së gjithash gjendja katastrofale e të drejtave të njeriut. Rohani ka bërë disa hapa të parë, por duhet t'i bëjmë të qartë se presim më shumë", tha Polenz.