1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asnjë frikë nga manipulimet e zgjedhjeve

Anna Peters / Bahri Cani20 Shtator 2013

Në Gjermani procesi i votimit është rregulluar në mënyrë strikte. Manipulimi i zgjedhjeve është gati është i pamundur, por nuk mund të përjashtohet plotësisht.

https://p.dw.com/p/19kw7
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Zgjedhjet parlamentare në Gjermani janë transparente, në çdo fazë", shpjegon Klaus Pötzsch nga Zyra Federale për Zgjedhje, e cila ëshë përgjegjëse për organizimin dhe ecurinë e zgjedhjeve për Bundestag dhe Parlamentin Evropian. Ajo kujdeset që gjërat të shkojnë si duhet, thotë Pötzsch në bisedë me DW: "Për shembull, situata në vendvotime: ne kemi në të gjitha vendvotimet rreth 8-9 ndihmës vullnetarë". Të dielën do të ndihmojnë rreth 630.000 vullnetarë. Në Gjermani mund të paraqitet për punë vullnetare në zgjedhje secili që ka të paktën 18 vjet. Por komunat kanë të drejtë që pesonat t'i thërrasin për ndihmë. Personi mund ta refuzojë ftesën, vetëm nëse ka ndonjë shkak urgjent.

Klaus Pötzsch: "Procesi zgjedhor në Gjermani është transparent në çdo fazë."
Klaus Pötzsch: "Procesi zgjedhor në Gjermani është transparent në çdo fazë."Fotografi: Destatis

Para hapjes së vendvotimeve ata i kontrollojnë kutitë, në të cilat do të hidhen votat. Gjatë votimeve kontrollojnë identitetin e zgjedhësve dhe letërthirrjet për votime, të cilat janë dërguar më parë me postë.

Detyrat e tjera

Ndihmësitt në zgjedhje kujdesen që votuesit të mos influencohen në procesin e votimit. Nëse anëtari i një partie përpiqet ta influencojë votuesin, ai do të pengohet në këtë punë. Ndihmësit duhet të betohen se nuk do të mbështesin ndonjë parti, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të jenë anëtarë të partive politike. Përkundrazi: në komuna përpiqen që të sigurojnë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha partive në vendvotime. Kjo shumëllojshmëri siguron një kontroll më të mirë të ecurisë së zgjedhjeve.

Vendvotimet mbyllen fiks në ora 18:00 dhe fillon numërimi i votave. "Rezultati nga vendvotimet lajmërohet në komuna, ndërsa ato i lajmërojnë në qarqe", shpjegon Pötzsch. Më pas rezultatet kalojnë nëpër lande deri në Zyrën Federale Zgjedhore.

Problemi me votimet me postë

Transparenca dhe kontrolli sigurojnë që rezultatet të mos manipulohen. Ky sistem është shumë i suksesshëm, por një garanci 100% nuk ka, sepse ekziston mundësia e gabimeve në ndonjë vendvotim, thotë Pötzsch.

Më i lehtë për manipulime është votimi gjithnjë e më i përhapur me postë - sepse rreth 30 % e zgjedhësve në Gjermani e shfrytëzojnë këtë mundësi për të votuar. Dokumentacioni për votim mund të falsifikohet lehtë, ndërkohë që edhe votimi sekret nuk garantohet në tërësi. Mund të ndodhë që dokumentacionin e votimit ta plotësojë ndonjë person, i cili kujdeset për të moshuarit, burri për gruan apo anasjelltas. Në vitin 2002 ka pasur manipulime për shembull në zgjedhjet komunale në Dahau, ku janë falsifikuar 400 vota të dërguara me postë. Kjo ka rënë në sy, vetëm për faktin që personi kishte shkruar me të njëjtin lapës.

Zgjedhësit në Gjermani duhet ta japin votën në kabinën e votimit.
Zgjedhësit në Gjermani duhet ta japin votën në kabinën e votimit.Fotografi: picture-alliance/dpa

Votimi me kompjuter i palejueshëm në Gjermani

Edhe në Gjermani, ashtu si në SHBA dhe Brazil, janë përdorur kompjutera për votime. Kjo ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2005. Por kjo metodë është shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2009. Shkaku: procesi zgjedhor duhet të jetë i hapur dhe transparent. Kjo vlen edhe për numërimin e votave. "Parashikohet që secila votë të lexohet me zë dhe të futet në protokoll. Transparenca është fjala magjike", thotë Pötzsch. Secili pjesëmarrës në procesin e votimit mund të marrë pjesë edhe në procesin e numërimit dhe nëse dyshon se ka parregullsi, votat mund të numërohen nga e para. Kjo nuk ka qenë e mundur në vitin 2005, kur është votuar me kompjuter.