1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjeorgjia larg anëtarsimit në Nato

Bernd Riegert / Esat Ahmeti3 Prill 2014

Nato nuk dëshiron të përkeqësojë krizën me Rusinë. Prandaj, as Ukraina as Gjeorgjia nuk do të bëhen edhe për një kohë anëtare të Aleancës. Por Gjeorgjia mund të vazhdojë të shpresojë. Shansi tjetër: samiti i vjeshtës.

https://p.dw.com/p/1BaJJ
Fotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Presidenti amerikan Barack Obama e ka thënë shumë qartë gjatë vizitës së tij në Bruksel javën e kaluar se ai aktualisht nuk i sheh Ukrainën dhe Gjeorgjinë në rrugën e anëtarësimit në NATO. Megjithatë, ministrat e Jashtëm të Aleancës janë takuar në Bruksel me homologen e tyre nga Gjeorgjia, Maja Panjikidze, për të folur për përpjekjet e ish-republikës sovjetike në Kaukaz për anëtarësim në Nato.

Ashtu si në shumë takime tjera të mëparshme, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen deklaroi se Gjeorgjia dikur do të bëhet anëtare e NATO-s. "Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Ne vazhdojmë të mbështesim qëllimet transatlantike të Gjeorgjisë", tha Rasmussen. Megjithatë Brukseli heziton, për shkak se Rusia, ashtu si dhe në rastin e Ukrainës, është kundër një anëtarësimi të Gjeorgjisë në Aleancën Veriatlantike. Por zyrtarisht Rasmussen theksoi parimin: nuk ka vend, madje as Rusia, që duhet t'i përcaktojë një vendi tjetër se në cilën aleancë duhet të anëtarësohet.

Gjeorgjia dëshiron të qëndrojë në lojë

Nga diplomatët e NATO-s thuhet se për sa kohë që Rusia do të mbajë të pushtuara dy krahinat separatiste të Gjeorgjisë dhe nuk do të jenë zgjdhur këto dy konteste, NATO vështirë se do të përfshihet në një konflikt të tillë përmes një oferte për pranimin e Gjeorgjisë. Në verën e vitit 2008, Rusia pas një lufte të shkurtër me Gjeorgjinë kishte pushtuar de facto Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut. Të dy provincat që nga fillimi i viteve 1990 kërkojnë pavarësinë, përkatësisht bashkimin me Rusinë. Disa muaj më herët, në prill të vitit 2008, NATO kishte vendosur në Samitin e Bukureshtit për pranimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Qysh atëherë presidenti rus Vladimir Putin kishte refuzuar një gjë të tillë në mënyrë rigoroze. Shqetësimet e tij kontribuan jo zyrtarisht që disa vende anëtare të Natos të heqin dorë nga përcaktimi i një afati kohor dhe plani për përgatitjet për anëtarsimin e këtyre dy vendeve.

Belgien NATO Außenminister Treffen in Pamje nga takimi në Bruksel, në foto: Frank-Walter Steinmeier dhe John Kerry
Pamje nga takimi në Bruksel, në foto: Frank-Walter Steinmeier dhe John KerryFotografi: Reuters

Sot, gjashtë vjet më vonë, qeveria e re e Gjeorgjisë ende dëshiron të bëhet anëtare e Aleancës Veriatlantike. "Kjo përpjekje mbështetet nga shumica dërrmuese e popullsisë së Gjeorgjisë dhe partive kryesore politike", ka thënë kryeministri i ri i Gjeorgjisë Irakli Garibashivili gjatë vizitës së tij të fundit në selinë e NATO-s në fillim të shkurtit. "Qeveria e Gjeorgjisë do të ndërmarrë të gjitha masat për të vazhduar rrugën e reformave të cilat do të na sjellin më afër NATO-s", ka premtuar Garibashivili.

Belgien NATO Außenminister Treffen in Në foto: Frank-Walter Steinmeier dhe Maia Panjikidze
Në foto: Frank-Walter Steinmeier dhe Maia PanjikidzeFotografi: Reuters

NATO heziton për shkak të kundërshtimit të Rusisë

Sekretari i Përgjithshëm në largim i Natos nuk deshi të flasë nëse në samitin e ardhshëm të Aleancës, i cili është planifikuar të mbahet në shtator në Uells, do të diskutohet edhe për Gjeorgjinë dhe pranimin e anëtarëve të rinj. Në qershor, siç është raportuar nga diplomatët e NATO-s në biseda konfidenciale, Aleanca do të shqyrtojë edhe njëherë aplikimet për anëtarësim. Është e mundur që Gjeorgjia deri atëherë të përgatisë dhe të ofrojë një plan paraprak për anëtarësim. Por së pari duhet të tejkalohet kriza e Ukrainës me Rusinë. "Tani nuk është koha për t'i hapur vetes sërish punë me probleme të reja", thonë diplomatët e NATO-s në Bruksel. Nga ana tjetër ata nuk duan të lejojnë që të shantazhohen nga Rusia.

Ministri i Jashtëm ukrainas nuk u ka shprehur homologëve të tij asnjë dëshirë për një aderim të shpejtë. Por ndoshta Nato do që të forcojë bashkëpunimin politik dhe jo-ushtarak me Ukrainën. Eventualisht mund të ketë edhe manovra të përbashkëta me trupat e NATO-s.