1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Giebermann: E kuptova shpejt pse daja e ka dashur Shqipërinë

Në mesin e 38 martirëve të kishës katolike që lumturohen në Shkodër (05.11) është prifti katolik gjerman, Josef Marxen. Mbesa, Cecilia Giebermann rrëfen për rinjohjen me dajën e madh e frymëzimin që i dha figura e tij.

Albanien Seligsprechung von 38 Katholiken (Kahtolische Nachrichten Agentur)

Cecilia Giebermann mes shqiptarësh gjatë udhëtimeve hulumtuese në Shqipëri

Deutsche Welle: Zonja Giebermann, prifti katolik Josef Marxen (1906-1946) është në mesin e 38 martirëve të Kishës Katolike që lumturohen të shtunën më 5 nëntor në Shkodër. Ai është edhe daja juaj i madh, ju ndodheni në Shqipëri për këtë ceremoni, çfarë do të thotë kjo për ju?

Cecilia Giebermann: Kur mësova për herë të parë për lumturimin jam habitur shumë. Mund të them se është një ngjarje që më tronditi emocionalisht. Ky udhëtim në Shqipëri është pika kulmore dhe përmbyllja e një pune disavjeçare, që kanë pasur ndikim edhe në familjen tonë. Jam shumë e gëzuar që këtë herë në Shqipëri mund të jemi të gjithë si familje; bashkëshorti im, pesë fëmjët tanë, dhe sigurisht Gjergji, një djalë i ri shqiptar që jeton prej një viti tek ne.

Sa dinit më parë për dajën e madh - priftin katolik Josef Marxen, i nderuar dikur për përkushtimin e tij mes banorëve, i cili shërbeu në Tiranë nga viti 1930 deri në 1946-n, kohë kur ai u ekzekutua?

Cecilia Giebermann: Kur isha e vogël dhe kam pyetur për vëllezërit dhe motrat e gjyshërve të mi, mësova vetëm se daja i madh, Jozef-i, (në Shqipëri prifti njihej me emrin „Dom Zefi", shën .red.) ka ndërruar jetë në Shqipëri. Në atë kohë u mjaftova me kaq. Por natyrisht në vitin 2008 u rizgjua interesi im për të.

..Ky ishte viti kur ju mësuat se prifti Josef Marxen, martir i kishës katolike do të lumturohet, një motiv për të nisur kërkime të reja, të cilat u përmblodhën në një libër që ju e botuat këtë vit. Çfarë ju nxiti për botimin?

Cecilia Giebermann: Doja me këtë libër „Josef Marxen- misionar në Shqipëri - në kërkim të gjurmëve" të paraqisja figurën e tij si një misionar bindës, i ndershëm, ashtu siç e konfirmojnë edhe rrëfimet e dëshmitarëve të kohës. Doja ta rrëfeja historinë e tij.

Besimtarët katolikë e dinin që komunistët donin t'i vrisnin. Priftërinjtë mund të ishin larguar nga vendi për të vazhduar në siguri jetën e tyre. Por ata vendosën të qëndronin për të lënë edhe një dëshmi të besimit të tyre, shpesh nën tortura të rënda. Pas rrëzimit të diktaturës në Shqipëri besimi është i lirë të praktikohet. Shembulli bindës i martirëve të inkurajon.

Ju keni shkuar për këtë disa herë edhe në Shqipëri. Çfarë mësuat në këto udhëtime?

Cecilia Giebermann: Në Shqipëri e kuptova shpejt pse daja i madh e ka dashur këtë vend: Njerëzit janë miqësorë në një mënyrë të tillë që më ka prekur shumë edhe mua. Në veriun e Shqipërisë ata e jetojnë besimin katolik në një formë shumë të vjetër dhe të respektueshme, shoh shumë të mira tek kjo. Nga këto udhëtime kam marrë me vete këto përshtypje që përmenda dhe disa miqësi.

Dua të them se dëshiroj shumë që lidhja jonë me Shqipërinë dhe shqiptarët që vijnë këtu të bëhet më intensive. Ndoshta mund të na bëhen shembull përzemërsia dhe çiltërsia e priftit Josef Marxen në takimet e tij me shqiptarët.