1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ne do të përballemi me të kaluarën!"

Eliana Xhani12 Shkurt 2013

Medalja "Rudolf Vogel" u akordohet gazetarëve nga Shoqata për Evropën Juglindore. Por Rudolf Vogel ka një të kaluar në makinerinë e propagandës nacionalsocialiste. Shoqata tani ka ndryshuar emrin e çmimit për gazetarët.

https://p.dw.com/p/17ckv
Gernot Erler flet me DW
Gernot Erler flet me DWFotografi: Anila Shuka

Deutsche Welle: Z. Erler, që prej vitit 1992 shoqata për Evropën Juglindore u akordon gazetarëve medaljen "Rudof Vogel". Si ka ndodhur që për më shumë se dy dekada është dhënë një çmim për gazetarë, i cili mban emrin e një gazetari të propagandës nacionalsocialiste?

Gernot Erler: Shoqata e Evropës Juglindore dhe unë personalisht ndjejmë keqardhje të thellë që jemi fajtorë për një neglizhim të tillë, pra që nuk kemi shqyrtuar me saktësi se cilat kanë qenë aktivitetet në jetën e Rudol Vogel-it. Ne e njihnim atë si një nga presidentët e shoqatës sonë dhe si një njeri që natyrisht kishte rrënjë të thella në jetën politike të pasluftës. Ai ka qenë deputet në Bundestag nga viti 1949 deri 1964 për Partinë Kristiandemokrate (CDU), pastaj katër vite pranë OECD-së në Paris dhe madje për një kohë të shkurtër, nga 1968 deri 1969, sekretar shteti në ish Ministrinë e Thesarit. Ai është nderuar edhe me Kryqin Federal të Meritës. Këto shembuj nuk përmenden për të thënë se nuk duhej të ishim marrë intensivisht me punën e tij gjatë kohës së nacionalsocializmit. Por për fat të keq na duhet të pranojnë se nuk e kemi bërë këtë. Kështu ka ndodhur që ne kemi akorduar medaljen Rudolf Vogel, të cilën ai e ka propozuar vetë kur ishte president i Shoqatës së Evropës Juglindore, e pikërisht në periudhën 1959 deri 1965. Më pas ai ka qenë për 30 vjet zv/president i shoqatës. Ai ka pasur një ndikim të fortë në fazën fillestare të shoqatës dhe ka iniciuar këtë medalje, ndërkohë që ne apo anëtarët e atërhershëm të shoqatës nuk kishin aspak dijeni për veprimtarinë e tij gjatë kohës së nacionalsocializmit.

Vetëm pasi mbajtësi i çmimit për këtë vit Andreas Ernst, refuzoi të pranonte medaljen Rudolf Vogel, çmimit iu dha një tjetër emër. A e dëmton reputacionin e Shoqatës për Evropën Juglindore kjo situatë?

Do të më vinte keq për këtë. Ne i jemi shumë mirënjohës Z. Dr. Andreas Ernst, korrespondent i gazetës "Neue Zürcher Zeitung" në Beograd, që ra dakord menjëherë ta pranonte "Çmimin për gazetarët të Shoqatës për Evropën Juglindore", pasi ne një ditë më parë (të premten, 8 shkurt) me propozimin tim, kishim vendosur njëzëri në presidiumin e Shoqatës, që të mos përdornim në të ardhmen në asnjë rrethanë emrin Rudolf Vogel dhe në vend të kësaj të akordojmë "Çmimin për gazetarë të Shoqatës për Evropën Juglindore".

Sot (e hënë, 11.2.2013) ne u kemi shkruar të 20 mbajtësve të deritanishëm të çmimit dhe kemi kërkuar falje për këtë situatë. Ne kemi bërë edhe një herë të qartë se duam të nderojmë vetëm gazetarinë e angazhuar dhe profesionale për Evropën Juglindore dhe që sigurisht na vjen shumë keq që mbi të bie tani një hije me emrin e Rudolf Vogel-it. Veç kësaj ne kemi kërkuar publikisht falje për këto rrethana, në faqen tonë të internetit është publikuar një deklaratë e imja përkatëse. Ky është një dështim kolektiv për të cilin pas kaq kohësh nuk mund të jepet me saktësi një fajësim individual. Megjithëse prej disa vitesh ka qenë relativisht e lehtë që përmes Google dhe kërkimeve në internet të mësohej se Rudolf Vogel për një farë kohe është marrë me propagandë nacionalsocialiste.

A prisni akuza tani?

Akuzat janë të përligjura pasi asnjë në shoqatën tonë, e duhet thënë edhe asnjë nga njëzet mbajtësit e deritanishëm të çmimit, nuk i ka rënë prapa pyetjes, qoftë edhe thjesht nga kureshtja, se kush ka qenë në të vërtetë Rudolf Vogel. Dëmi ka ndodhur pasi ne kemi qenë neglizhentë. Por unë tërheq vëmendjen se Shoqata për Evropën Juglindore me instancat e saj reagoi menjëherë pasi u vu në dijeni. Ajo i dha fund menjëherë akordimit të medaljes Rudolf Vogel. Më parë ne kishim vendosur pavarësisht nga ky zhvillim që të merreshim më intensivisht me historinë e shoqatës. Vitin e kaluar shënuam 60-vjetorin e themelimit të shoqatës dhe kemi porositur që atëherë një hulumtim më intensiv të historisë sonë pa ditur aspak se kjo do të kishte të bënte edhe me Rudolf Vogel. (...)Në 8 shkurt në asamblenë e anëtarëve në Bochum ne vendosëm të konkretizojmë dhe përshpejtojmë këtë punë me historinë dhe në vjeshtë si një hap të parë do të hapim një kolokium mbi historinë e Shoqatës për Evropën Juglindore. Pra ne kemi bërë gjithçka mund të bënim në këtë situatë të vështirë. E kemi bërë menjëherë dhe njëzëri. Dhe të gjithë të prekurve u kemi dhënë shpjegime dhe u kemi kërkuar falje për këtë neglizhencë, e cila nuk mund të mohohet.

Logo e Shoqatës së Evropës Juglindore
Logo e Shoqatës së Evropës Juglindore

A do të ndërtohet ky grup ekspertësh për përpunimin e historisë së Shoqatës për Evropën Juglindore sipas shembullit të Ministrisë së jashtme, e cila ka angazhuar një komision të pavarur historianësh për përpunimin e historisë së saj?

Ne përballemi me të kaluarën tonë. Do të kujdesemi që të kemi një dokument të shkruar për kolokiumin, i cili të paraqesë stadin e tanishëm të njohurive dhe të formulojë edhe pyetje, të cilave u duhet dhënë përgjigje. Por siç e thashë më parë, detyra për këtë është dhënë më parë dhe tani vetëm është përshpejtuar. Ne pra ishim të vendosur të merreshim më nga afër me historinë tonë, e cila natyrisht ka të bëjë me historinë para vitit 1945, me institutin për Evropën Juglindore dhe Shoqatën për Evropën Juglindore në Vjenë.

Ne kemi disa historianë në radhët tona dhe i jemi lutur një grupi pesë vetësh të merren me këtë. Por ne do të përfshijmë edhe historianë jashtë Shoqatës, të cilët janë marrë me këtë temë. Një i tillë është për shembull Dr. Mathias Beer, i cili është marrë në aspektin shkencor me tema të ngjashme. Pra do të marrim edhe ekspertizë nga jashtë.

Kur priten rezultatet e studimit?

Në vjeshtë do të zhvillohet aktiviteti i parë, një simpozium. Puna e madhe më arkivin, e cila është e nevojshme, nuk mund të përshpejtohet pasi ajo duhet të pregatitet me imtësi. Në aktivitetin në vjeshtë ne duam të konsultohemi se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe nëse na duhet të japim porosi për punë kërkimore. Kjo pastaj do të bëhet. Simpoziumi sidoqoftë duhet të japë një pamje të përgjithshme për atë çfarë dimë dhe atë çfarë nuk dimë, thënë më saktë të tregojë se ku janë pyetjet ende të hapura.

A do të analizojnë ekspertët me neutralitetin e nevojshëm të shkuarën e Shoqatës për Evropën Juglindore?

Ekspertët e jashtëm patjetër. Por besoj se edhe ekspertët tanë kanë interes të madh të mësojmë më shumë në këtë çështje. Ka segmente të ndryshme kohore: është periudha deri në vitin 1945 dhe ne natyrisht e dimë se shoqatat pararendëse kanë luajtur një rol në "Rajhun e tretë", veçanërisht sa i takon "analizës së armikut". Ne e dimë gjithashtu se në mjedisin dhe në rrethin e themeluesve të Shoqatës për Evropën Juglindore, të themeluar në 1952, ka pasur vazhdimësi në personel. Në këtë histori shfaqen persona të cilët kanë një të kaluar përkatëse me organizatat pararendëse. Për këtë vazhdimësi në personel, për historinë e mëparshme dhe zhvillimet pas vitit 1945 deri në themelimin e Shoqatës, nuk ka shumë publikime. Për këtë do të duhet të bëhet punë shkencore për të arritur në konkluzione konkrete dhe të bazuara. Por tani po fillojmë nga puna duke mbledhur atë çfarë është e njohur, për të vendosur më pas se cilat do të jenë pikërëndesat e punës së sonë dhe punës së specialistëve të jashtëm.

Intervistoi: Yordanka Yordanova

Redaktoi: Eliana Xhani