1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetarët nën lupën e pushtetit në Kosovë

23 Prill 2012

Parlamenti i Kosovës miraton kodin e ri penal të Kosovës, me anë të të cilit gazetarët bëhen përgjegjës për vepra penale dhe obligohen që të zbulojnë burimet e tyre. Media kosovare proteston ashpër kundër kodit.

https://p.dw.com/p/14jbQ
Fingerabdruck unter der Lupe
Symbolbild DetektivFotografi: BilderBox

Miratimi i dy neneve për mediat dhe gazetarët në kodin e ri penal të Kosovës, bëri që dhjetëra gazetarë nga pothuaj të gjitha mediumet në Kosovë, të protestojnë të Hënën para parlamentit dhe qeverisë. Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, thotë se parlamenti i cili miratoi kodin e ri penal, po tenton të ngulfat lirinë e shtypit. Parlamenti i Kosovës të Premten e javës së shkuar miratoi kodin e ri penal të Kosovës, me anë të të cilit gazetarët bëhen përgjegjës për vepra penale dhe obligohen që të zbulojnë burimet e tyre.

Parlamenti tenton të frikësojë mediat

Arben Ahmeti, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, thotë për programin tonë se deputetët qëllimisht i miratuan edhe dy nenet duke tentuar të frikësojnë mediat. “Kjo tregon se të gjithë ata që e kanë provuar pushtetin, të gjithë ata që kanë qenë në pozita të ndryshme edhe ata që janë deputetë, kanë qenë pjesë e trajtimit të mediave në Kosovë, të cilat kanë raportuar për keqpërdorime të ndryshme të tyre dhe kjo tregon se mediat në Kosovë kanë bërë punë të mirë dhe nuk e kanë lënë rehat madje as opozitën”, thotë Arben Ahmeti.

Në të njejtën linjë shprehet edhe kryeredaktori i të përditshmes kosovare, “Expres”, Leonard Kërquku. Ai thotë se kuvendi i Kosovës nga njëra anë miraton strategjinë e veprimit për integrime evropiane, ndërsa, në anën tjetër ndërmerr një veprim, i cili nuk është në frymën evropiane.

Parlamenti në Prishtinë
Parlamenti në PrishtinëFotografi: dapd

Në Kosovë u vihen sanksione mediave dhe gazetarëve

“Të gjithë kësaj i vjen erë, sikur të jemi në një regjim komunist, i cili tenton që fjalën e lirë dhe punën e gazetarit, ta kontrollojë dhe tenton ta monitorojë dhe ta sanksionojë në bazë të interesave të ndryshme”, thotë Leonard Kërquku. Ymer Mushkolaj, gazetar dhe publicist i tha DW-së, se miratimi i neneve për mediat dhe gazetarët në kodin e ri penal të Kosovës, do ta dëmtojë shumë punën e gazetarëve sidomos atyre që merren me tema hulumtuese.

Në Kosovë do të ketë më pak gazetari hulumtuese

“Tash e tutje gazetarët do të bëjnë më pak gazetari hulumtuese, si pasojë e miratimit të ligjit për kodin e ri penal, sepse ne e dimë se pjesa më e madhe e gazetarisë hulmtuese në Kosovë është mbështetur në burime për shkak se zyrtarët institucional nuk kanë qenë transparent që të flasin për raste të ndjeshme të korrupsionit apo krimit të organizuar dhe poashtu gazetarët kanë shumë vështirësi që të kenë qasje në dokumente zyrtare. Pra, pas miratimit të këtij ligji, gazetarët do të vetëcensurohen nga frika e detyrimit të zbulimit të burimit të informatës”, thotë Ymer Mushkolaj.

Por, me qëndrimet e gazetarëve, nuk pajtohet Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili thotë se gazetaria në Kosovë është përplot shpifje. Sipas tij, kodi i ri penal, ka të bëjë me penalizmin e shpifjes dhe jo të medieve dhe gazetarëve.

'Gazetaria në Kosovë është plot me shpifje'

“Kodi Penal nuk është kundër gazetarëve, gazetave, kryeredaktorëve e editorëve. Realisht kemi të bëjmë në shoqërinë tonë me një fenomen që duhet të gjithë ta kuptojmë, shpifja duhet të jetë e dënueshme. Ekzistojnë shpifje marramendëse në gazetarinë tonë”, thotë Jakup Krasniqi.

Por, gazetarët thonë se kodi penal, pjesa që flet për gazetarët dhe mediat nuk e specifikojnë qartë se cilat janë veprat penale që kryhen me anë të medieve dhe kjo u lë mundësinë gjykatësve, prokurorëve që ta interpretojnë kodin sipas vullnetit të tyre.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës, ka kërkuar që burimi i informacionit të zbulohet vetëm në rastet, kur janë shterur të gjitha mundësitë e hetimeve për një çështje të caktuar. Ndërsa pas miratimit të kodit të ri penal, organi i ndjekjes mund të kërkojë burimin e gazetarit qoftë edhe për ndonjë temë që nuk ka rëndësi të madhe por që në fakt e zbulon identitetin e personave që kanë dhënë informatën.

Presidentja e Kosovës është autoriteti i fundit që duhet ta nënshkruajë ligjin mbi kodin e ri penal të Kosovës në mënyrë që ai të hyjë në fuqi. Zyrtarë të presidencës thonë se ligji akoma nuk ka arritur te presidentja dhe presidentja do ta shqyrtojë atë nen për nen dhe më pas do të marrë qëndrim. Kthimin për rishqyrtim të një ligji në parlament presidentja e vendit e ka të garantuar me kushtetutë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi