1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gaz lotsjellës në kuvendin e Kosovës, deputetë të përjashtuar e të arrestuar

23 deputetë të opozitës u përjashtuan nga seanca e 19 shkurtit në parlamentin e Kosovës, pas hedhjes së gazit lotsjellës e pengimit të mbajtjes së seancës. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dorëzon mandatin e deputetit.

Në kuvendin e Kosovës opozita riktheu të premten (19.02) metodat e hedhjes së gazit lotsjellës në nisje të sesionit pranveror parlamentar për të penguar mbajtjen e seancave. Bilanci: 23 deputetë të opozitës të përjashtuar nga seanca, nëntë nga ata të arrestuar dhe nëpër stacione policore, disa të alivanosur nga gazi dhe gjatë përleshjes në kuvend. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, jep dorëheqjen nga mandati i deputetit. Këto zhvillime përshkruan një ditë të gjatë me 19 shkurt në parlamentin e Kosovës.

Partitë politike opozitare që në nisje të seancës hodhën gazin lotsjellës, duke mos lejuar mbajtjen e seancës, e cila duhet të niste sesionin pranverorë me 25 pika të rendit të ditës, në të cilat përfshiheshin edhe disa kritere për liberalizimin e vizave. Opozita kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndërsa, partitë në pushtet e kundërshtojnë fuqishëm këtë ide të opozitës. Duke qenë e pamundur të zhvillohet seancë normale, kryetari i kuvendit të Kosovës vendosi që të përjashtojë nga seanca si u tha, në mënyrë individuale, 23 deputetë të opozitës. Shumica e tyre refuzuan ta lëshojnë sallën, ndërsa, sigurimi i kuvendit i nxorri me forcë nga salla e kuvendit të Kosovës.

Ramush Haradinak jep dorëheqjen

Tre udhëheqësit e tri partive politike në opozitë, Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj, nga AAK dhe Fatmir Limaj, nga Nisma, vendimin për përjashtimin e deputetëve të opozitës e cilësuan arbitrar, ndërsa, thanë se ata vendimin nuk e kanë marrë me shkrim. Ramush Haradinaj, menjëherë pas përjashtimit nga seanca, në një deklaratë për media, bëri publik vendimin e tij për ta lënë postin e deputetit. “Duke parë se Kuvendi i Kosovës, është shndërruar në një institucion për mbulesën e shkeljeve kushtetuese që i ka bërë qeveria; duke e parë se Kuvendi është shndërruar në një vend ku deputetët me urdhër politik, tërhiqen zvarrë nga policia; dhe duke e parë përjashtimin arbitrar të deputetëve të Opozitës nga Kuvendi, jap dorëheqje të parevokueshme nga mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkruan në letërdorëheqjen Ramush Haradinaj. Ramush Haradinaj, tha se ai do të vazhdojë të jetë përkrah opozitës, si lider i AAK-së.

Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj jep dorëheqjen nga mandati i deputetit

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, para se në kuvend të hidhej gazi lotsjellës, foli shkurt në foltoren e kuvendit duke akuzuar qeverinë e Kosovës dhe duke e cilësuar atë si një qeveri antikushtetuese, pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve, atë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionn me Malin e Zi. “Kjo qeveri nuk ka qenë kurrë, ka filluar si regjim dhe po përfundon si regjim. Po mundohet dhunshëm ta mbajë shtetin të kapur. Po mundohet dhunshëm të mbajnë seanca për ta vazhduar kapjen e shtetit, deri në majën e tij, deri në Presidencë. Deputetët po i kidnapojnë, arrestojnë e mbajnë burgjeve. Aktivistët po i përndjekin e mbajnë burgjeve, po i rrahin nëpër maune e stacione policore”, tha Visar Ymeri, duke njoftuar se nuk do të lejojnë mbajtjen e seancës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke folur para mediave tha se Kuvendi nuk do të jetë vendi ku do të rrëzohet Qeveria e Kosovës, përderisa shumica e deputetëve sipas tij ka vullnet të vazhdojë punën. Ai e ftoi opozitën për dialog.

“Ftoj opozitën për dialog brenda institucioneve, dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhje të mosmarrëveshjes. Ritheksojë se çdo veprim si sot, që synon të pengojë funksionimin, është veprim i dëmshëm, i papranueshëm dhe shkatërrues. Kuvendi do të vazhdojë punën”, tha kreu i kuvendit Kadri Veseli.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, kandidati i vetëm për president të vendit, shprehu një mal akuzash drejt opozitës, duke i cilësuar si penguesit e proceseve në Kosovë.

“Kjo që po ndodh është fytyra e vërtetë e eprorëve opozitarë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Asnjë fuqi çfarëdo të jetë, nuk do të mund ta ndalë punën e institucioneve. Partnerët e koalicionit janë të angazhuar që kjo gjendje të tejkalohet, pavarësisht reagimeve”, tha Hashim Thaçi, duke i ftuar edhe njëherë opozitën për dialog.

Reagim i ambasadorit të SHBA-së

Qindra qytetarë përkrahës të opozitës ishin mbledhur përreth kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur një thirrje të opozitës që t'i mbështesin deputetët kundërshtues, që mos të lejojnë mbajtjen e seancës. Po ashtu qindra policë të përgatitur për trazira të mundshme mbanin të rrethuar godinën e kuvendit të Kosovës.

Qortues dhe i ashpër në një deklaratë u shpreh ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie. Ai tha se veprimet e dhunshme të opozitës janë të neveritshme. “Jam këtu për të mbështetur Kuvendin e Kosovës. Duhet të ketë një Kuvend funksional që të zgjidhen problemet. Mua më vjen keq që kushtet e deputetëve janë minimale për të bërë punën e tyre, për shkak se disa persona nuk po e lejojnë këtë. Shumë qytetarë të Kosovës kanë ikur e kanë vdekur vite me radhë që të kenë këtë pavarësi, që sot të jetojnë të lirë. Kjo që po bën opozita është e neveritshme”, tha ambasadori Delawie.

Mbledhje e Kuvendit për presidentin

Sidoqoftë, nën tymin e gazit lotsjellës dhe pas përjashtimit të shumicës së deputetëve të opozitës nga seanca, kuvendi miratoi një deklaratë që kundërshton vendimin e një gjykate të Serbisë e cila dënoi në mungesë 9 ish pjestarë të UCK-së, për periudhën e vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë. “Dënimet e tilla janë politike dhe ndikojnë drejpërdrejt në marrëdhëniet Kosovë-Serbi”, thuhet në deklaratën e kuvendit.

Kuvendi po ashtu miratoi edhe një kriter shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me liberalizimin e vizave, ligjin për prokurimin publik, që ishte kërkesë e Komisionit Evropian.

Kuvendi i Kosovës gjatë këtij muaji duhet të mblidhet serish për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, një muaj para se presidentes aktuale të Kosovës Atifete Jahjaga, t'i skadojë mandati me (07.04). Kandidati i vetëm i partive në pushtet për postin e Presidentit është Hashim Thaçi. Partitë opozitare janë zotuar se do ta pengojnë zgjedhjen e Thaçit president sepse, sipas tyre, “Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit”.