1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gauck shkakton polemika të reja për fenë islame

2 Qershor 2012

Presidenti gjerman Joachim Gauck është distancuar nga fjalia e paraardhësit të tij Christian Wulff, se feja islame i përket Gjermanisë. Kjo ka shkaktuar shumë debate.

https://p.dw.com/p/156k2
Fotografi: picture-alliance/dpa

Nuk e largon dot përshtypjen se "tani çdo president i ri gjerman duhet të japë një deklaratë specifike për fenë islame, gati sikur kjo të ishte një traditë e re në krishterimin perëndimor", citohet kryetari i Këshillit Qendror të Muslimanëve (ZMD), Aiman Mazyek, në faqen e internetit së organizatës së tij ombrellë. "Reagimet ndaj intervistës së Presidentit në gazetën javore "Die Zeit" janë më shumë ironike, të befasuara, më pak agresive.

Presidenti, që është në detyrë prej më shumë se dy muajsh, kishte deklaruar se nuk e përvetëson fjalinë e pararendësit të tij, Christian Wulff, se krahas krishterimit dhe judaizmit edhe feja islame i përket Gjermanisë: "Unë thjesht do të kisha thënë, se muslimanët, të cilët jetojnë këtu, janë pjesë e Gjermanisë."

Gauck lë në këtë mënyrë të hapur, nëse kjo vlen edhe për fenë e emigrantëve. Ai thotë se mund t'i kuptojë ata, që shtrojnë pyetjen: "Ku ka ndikuar ky Islam në Europë, a e ka përjetuar ai iluminizmin, apo reformacionin?" Ai është "shumë i interesuar" për diskutimin teologjik brenda një islami evropian.

Tonet e reja nga pallati Bellevue befasojnë muslimanët

Gauck gjatë vizitës në Ramallah
Gauck gjatë vizitës në RamallahFotografi: Reuters

Paraardhësi i tij Wulff pati shkaktuar në tetor 2010 një diskutim të thellë më deklaratën e tij për fenë islame. Sipas sondazheve mendimi i Wulff-it hasi në refuzimin e qytetarëve në shumicën e rasteve. Por muslimanët e patën përshëndetur fjalimin e presidentit, si një lloj çlirimi, i cili do të kontribuonte për një integrim më të mirë. Tani ata duken pak të habitur prej toneve të reja nga pallati Bellevue, nga selia e Presidentit. Intervista e Gauckut, që vetë është prift protestant, mund të rindizte në publik polemikën mbi pozicionin e fesë islame në Gjermani.

DITIB, organizata e migrantëve me numrin më të madh të anëtarëve, kryesisht myslimanë me origjinë turke, nuk donte ta komentonte fillimisht. Në Këshillin Qendror të muslimanëve shprehen me maturi.

Kjo shoqatë ombrellë mbështet fuqimisht diskutimin teologjik, të cilin e inspiron Gauck dhe ajo propozon që një proces i tillë dialogu të bëhet nën patronazhin e tij, thotë shefi i Këshillit qëndror, Mazyek. Aty mund të sqarohet, se çfarë pjese ka Islami në Evropën e sotme," sepse pa dyshim perëndimi i sotëm evropian rri edhe në këmbë orientale."

Në të njëjtën kohë organizata ombrellë muslimane publikon një ditë pas intervistës së Gauck-ut një ese të dy dijetarëve islamë, që kujtojnë se që nga shekulli i 18-të "në territorin gjerman jetojnë një pjesë e konsiderueshme muslimanësh" dhe shumë ideale të lindura në Evropë i "kanë rrënjët kryesisht në Orientin islam."

Akuza ndaj punëdhënësve, mësuesve të kulturës fizike dhe politikanëve

Pakica muslimane në shumë raste jeton tashmë në Gjermani në brezin e tretë dhe kontribuon në kulturën gjermane. Shkrimi përmban edhe tone të mprehta dhe kritikon shoqërinë gjermane për mungesë vullneti për të pranuar muslimanët. Pengesat për këtë qëndrojnë më pak te "dhuna në familje" dhe "martesat e detyruara" në mesin e muslimanëve,që ndodhin në mënyrë sporadike. Më shumë janë punëdhënësit gjermanë, që refuzojnë aplikantët e kualifikuar me emra myslimanë pa zhvilluar me ta biseda dhe mësuesit gjermane të edukatës fizike, që kërkojnë që vajzat muslimane në mësimin e notit të heqin burkinin, i cili lejohet me vendim gjykate. Ndër pengesat janë edhe ato përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe shoqërisë, që i heqin fesë islame përkatësinë në identitetin gjerman. Traktati i dy dijetarëve islamë është deklaruar si një letër të hapur drejtuar kryetarit të grupit parlamentar të CDU / CSU, Volker Kauder. Ky ka deklaruar së fundi se muslimanët janë pjesë e Gjermanisë, por jo feja islame.

Autor: Bernd Gräßler/Angelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani