1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Garda e Rusisë si trupë policore e vetë Putinit

Presidenti Putin ka nisur një reformë të madhe policore. Garda e re do të jetë në varësi personale të presidentit. Vëzhguesit spekulojnë nëse ajo do të përdoret kundër terrorizmit apo kundër opozitës?

Parlamenti rus voton të mërkurën në leximin e parë për krijimin e një force të re policore. Me këtë çohet një hap më tej reforma e shpallur papritur në fillim të prillit nga Putinit.

Së pari u bë fjalë për krijimin e Gardës Kombëtare, por disa e konsideruan këtë term si të zgjedhur keq. Për disa, ai tingëllonte "shumë perëndimor". Të tjerë kritikuan se ai të kujton Gardën Kombëtare të Ukrainës, e cila në Rusi quhet "Skuadrat e ndëshkimit", sepse ajo është themeluar rreth dy vjet më parë për të marrë masa kundër separatistëve prorusë në lindje të vendit. Sipas projekt-ligjit të botuar më vonë emri i shkurtër ishte "Rosgwardija", që përkthehet si "Garda ruse" ose "Garda e Rusisë".

Ish-truproja në krye

Organizata e re do të ngrihet kryesisht mbi bazën e të ashtuquajturave forca të brendshme të Ministrisë së Brendshme. Fjala është për njësi të policisë të ngjashme me ato të ushtrisë, të cilat veprojnë në vend që nga koha sovjetike. Përveç kësaj në sturkturën e re do të përfshihen edhe njësitë speciale të policisë Omon dhe të shërbimit të rojeve policore. Ekspertët rusë vlerësojnë se numri i përgjithshëm i Gardës së re të Rusisë do të jetë 30.000 - 400.000 vetë. Shifrat zyrtare nuk ka. Dallimi qendror me më përpara: forca e re e policisë do të jetë drejtpërdrejt nën komandën e Presidentit.

Në krye të Gardës së Rusisë në rangun e një gjenerali të ushtrisë Putini emëroi një të besuar të tij prej shumë kohësh, Viktor Zolotovin. 62-vjeçari ishte zëvendësministr i Brendshëm dhe shefi i trupave të brendshme. Gazeta e Moskës "Novaya Gazeta" e përshkruante një herë Zolotovin si "njeriun më të afërt të presidenti rus." Ashtu si Putini edhe Zolotovi ka shërbyer në KGB. Në vitet 90-të ai ishte përgjegjës për mbrojtjen personale të kryetarit të komunës së Shën Petersburgut, Anatoli Sobçak, dhe zëvendësit të tij Putinit. Kur Putini u bë në vitin 1999 kryeministër, Zolotovi ishte truproja e tij kryesore. Pas zgjedhjes së Putinit si president në vitin 2000, Zolotovi u gradua si kreu i Shërbimit të Sigurimit Presidencial, ku qëndroi për më shumë se dhjetë vjet.

Margarete Klein nga fondacioni i Berlinit "Stiftung Wissenschaft und Politik" (SWP) e sheh emërimin Solotovit si një tregues që "nën presidentin po krijohet i një organizatë, e cila lidhet vërtetë me personin e tij."

Hamëndje për qëllimet e trupës së re

Në Rusi po hamendësohet se cili mund të jetë qëllimi i vërtetë i krijimit të trupës së re. Putini e arsyetoi krijimin e Gardës së Rusisë me sfidat e reja të vendit. Sipas projekt-ligjit ndër detyrat e trupës janë mbrojtja kundër terrorizmit apo mbrojtja e objekteve strategjike, por gjithashtu përmendet edhe "sigurimi i një regjimi të gjendjes së jashtëzakonshme". Kjo do të thotë se Garda e Rusisë mund të përdoret edhe për shpërndarjen e demonstratave apo të protestave. Ajo do të ketë të drejtë të qëllojë pa paralajmërim, të bastisë banesa ose mund të paralizojë sistemin e telefonave celularë.

Disa ekspertë mendojnë se Garda e Rusisë do të përdoren sidomos në rast protestash pas zgjedhjeve parlamentare të vjeshtës 2016 dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare në vitin 2018.

Shpjegimi i dytë mjaft i përhapur është se struktura e re ka si detyrë ta mbrojë Putinin prej ndonjë grushti të mundshëm shteti nga radhët e veta. Në lidhje me këtë mundësi ka kohë që spekulohet, edhe pse prova konkrete nuk ka.

Kërcënimi prej të kthyerve nga IS-i

"Novaya Gazeta" përmendi edhe një shpjegim të tretë të mundshëm. Garda e re e Rusisë do të ketë ndër të tjera si detyrë dobësimine e kreut të fuqishëm çeçen Ramzan Kadyrov. Kadyrovi ka ndërtuar në republikën ruse në Kaukazin Verior një trupë të fuqishme policore e cila i takon vetëm atij. Kjo trupë tani do të përfshihet në Gardën e Rusisë.

Margarete Klein nga fondacioni SWP tërheq po ashtu vëmendjen se edhe arsyeja zyrtare, lufta kundër terrorizmit, luan një rol. "Rusia është një nga vendet që preket më fort prej sulmeve terroriste në mbarë botën," tha ekspertja për DW-në. Sidomos të kthyerit nga milicia terroriste "Shteti Islamik" (IS) janë një kërcënim real.