1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gabriel kritikon rendin botëror të Trumpit

Para OKB-së, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel paralajmëroi për rrezikun e "egoizmit nacional" në politikën botërore. Pa e përmendur me emër, fjalët e Gabrielit i drejtoheshin para së gjithash presidentit Trump.

Një moto si "vendi ynë i pari" vetëm shton konfrontimin nacional dhe në më pak mirëqënie, tha ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel në daljen e tij të parë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. "Në fund ka vetëm të humbur", paralajmëroi Gabrieli në adresë të Presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili e ka bërë "Amerika e para" linjën orientuese të mandatit të tij.

Në dallim nga Trumpi, Gabrieli u shpreh për një forcim të Kombeve të Bashkuara. Emrin e Presidentit të SHBA, zëvendëskancelari Gabriel nuk e përmendi në fjalimin e tij. Megjithatë, pjesa qendrore e fjalës së tij ishte në adresë të Presidentit të SHBA.

Fuqi përmes partneritetit

Po ta hedhësh vështrimin në botë, sheh se po fiton përparësi një botëkuptim, që fokusohet në mënyrë absolute në interesat nacionale, konstatoi Gabrieli.

Por egoizmi nacional nuk është i përshtatshëm si parim i një rendi. Sepse pastaj do të jetë në fuqi e drejta e më të fortit dhe jo forca e së drejtës ndërkombëtare. "Jam i sigurtë se këtë ne duhet ta përballim me botëkuptimin tonë", theksoi Gabrieli. I nevojshëm është më shumë bashkëpunim ndërkombëtar dhe më pak egoizëm nacional dhe jo anasjelltas.

Përvoja historike e gjermanëve pas Luftës së Dytë Botërore tregon se Gjermaninë nuk e bëri të fortë dhe të mirëqenë motoja "Gjermania e para", por partneriteti me ish-kundërshtarët e luftës në Evropë, tha ministri i Jashtëm gjerman.

Gabrieli këmbënguli në rëndësinë që ka bashkëpunimi - para së gjithash kur vjen puna te kriza e Koresë së Veriut.

Ai tha se Gjermania e përshëndet raundin e ri të sanksioneve të fundit të aprovuara nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut. Por ai shtoi se kriza e Koresë së Veriut është një problem global të cilin "duhet ta vëmë së bashku nën kontroll".