Gabimet e së shkuarës - Maqedonia rrezikohet nga vendosja e vizave
22 Tetor 2012Pas kërkesës së pesë vendeve anëtare të BE-së për shqyrtimin e rikthimit të regjimit të vizave për Maqedoninë dhe Serbinë për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve nga këto dy vende, institucionet e Maqedonisë kanë ndezur alarmin dhe po shqyrtojnë seriozisht këtë çështje. Sipas zëvëndësministrit të Brendshëm të Maqedonisë, Xhelal Bajrami në vend kalimet kufitare gjatë këtij viti janë ndaluar të dalin 6. 500 persona që supozohet të kenë tentuar të largohen nga vendi për të kërkuar azil në ndonjë vend të BE-s.
Qeveria e Maqedonisë ka ndërmarë masa konkrete për të parandaluar keqpërdorimin e liberalizimit të regjimit të vizave. Është rritur fushata informuese duke zhvilluar takime të shpeshta me qytetarë. Shanset për të fituar azil në vendet e BE-së për qytetarët e Maqedonisë janë zero. Poashtu janë bërë ndryshime edhe në Kodin penal ku parashihen sanksione për ata qytetarë që keqpërdorin liberalizimin e vizave , thotë ministri Bajrami.
“Ligji për pasaportat pësoi ndryshime ku parashihet që të gjithë ata qytetarë të cilët kthehen nga vendet e BE-së dhe që kanë keqpërdorur liberalizimin e vizave, të njëjtëve t'u meret pasaporta në afat prej një viti” .
Azilkërkuesit më të shumtë janë romë
Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur edhe procedurat penale ndaj disa agjencive turistike të venditn të cilat dyshohen se kanë bërë në mënyrë ileagale transportin e azilkërkuesve potencial në vendet e BE-s. Sa i përket numrit të saktë të azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e BE-së ai nuk dihet, meqë sipas konventave ndërkombëtare nuk jepet identiteti i personit që kërkon azil. Policia maqedonase ka bërë analizë për azilkërkuesit vendas.“Mbi 80 apo 90% e azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e Evropës janë të komunitetit rom”, thotë Xhelal Bajrami.
Informimi duhej bërë në kohën e duhur
Duke komentuar mundësinë e rikthimit të vizave politikologia Sonja Stojadinoviq vlerëson se faji për një situatë të tillë qëndron te pala maqedonase: “Realisht pala maqedonase u përqëndrua vetëm në plotësimin e kushteve teknike për të fituar liberalizimin e vizave, por mungoi puna konkrete me informimin e qytetarëve se cilat janë pasojat nga keqpërdorimi i liberalizimit të vizave”, shprehet Stojadinoviq.
Politikollogu Zdravko Savevski thotë se institucionet e kanë vështirë të parandalojnë tërësisht keqpërdorimin meqë vetë regjimi i vizave mundëson qarkullimin e lirë të qytetarëve. Sipas tij mbetet që institucionet e vendit në vazhdimësi të promovojnë dhe të edukojnë qytetarët se çfarë do të thotë liberalizimi i vizave dhe përmes kësaj qytetarët të kuptojnë se fitimi i statusit të azilantit ekonomik në vendet e BE-së për qytetarët e Maqedonisë nuk ekziston.