1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

G-8, Siria dhe cinizmi rus

Pavarësisht planifikimit të Konferencës së Paqes: për çështjen e Sirisë nuk do të ketë përparim të madh në samitin e G-8. Por pse Rusia vazhdon ta mbështesë regjimin e Asadd-it?

Nuk ndodh shpesh që presidenti autokrat i Rusisë, Vladimir Putin të acarohet në lidhje me aktet e mizorisë njerëzore. Por pikërisht një gjë të tillë ai e bëri pak para fillimit të samitit të G-8 në Irlandën e Veriut: ai e paralajmëroi Perëndimin me emocione të pazakonta për të mos furnizuar me armë rebelët në Siri. "Ju nuk mund ta mohoni se këta njerëz jo vetëm që vrasin armiqtë e tyre, por edhe hanë organet e trupave të tyre para kamerave. A dëshirojmë t'i mbështesim njerëz të tillë?", pyeti Putin të dielën (16.06.2013) pas një takimi me kryeministrin britanik David Cameron në Londër. Me deklaratën e tij, ai ishte duke iu referuar një videoje në internet që tregon se si një rebel përdhos trupin e pajetë të një ushtari sirian dhe kafshon në organet e tij.

Pamje nga shkatërrimet në Siri

Pamje nga shkatërrimet në Siri

Pa marrë parasysh mizoritë e kryera dhe që ushtrohen prej regjimit të Asadit dhe që mbështeten nga Moska - ky shqetësim i shtirur është një demonstrim i veçantë i cinizmit të madh të pushtetit rus: Në fund të fundit, Moska është bashkëpërgjegjëse për shkallëzimin e konfliktit në mënyrë mizore në Siri. Një vit më parë ka qenë e mundur që përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Assadi dhe palët në konflikt të detyrohen të ulen në tryezën e bisedimeve. Por Kremlini bllokoi çdo rezolutë të mundshme.

Beteja për rikthimin e peshës në skenën ndërkombëtare

"Rusia paraqitet se ndjek rrugën legale", thotë eksperti për Sirinë, Heiko Wimmen. Ata kanë argumentuar gjithmonë se duhet të respektohet sovraniteti i Sirisë, pasi regjimi i Assad-it është një qeveri e njohur ndërkombëtarisht, sqaron politologu nga Fondacioni Shkencë dhe Politikë.

Prandaj është në duart e vet Rusisë që përmes një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të sigurojnë bazën ligjore për një ndërhyrje ndërkombëtare në Siri.

Pamje nga një mbedhje e KS të OKB-së

Pamje nga një mbedhje e KS të OKB-së

Arsyet për linjën e ashpër të politikës ruse lidhur me Sirinë janë të shumta. Por në thelb bëhet fjalë që ajo të jetë përsëri një "lojtar i madh" në skenën ndërkombëtare. Dhe në fakt Rusia me sa duket po ia arrin qëllimit. Pa Kremlinin sot nuk mund të bëhet asgjë në Lindjen e Mesme. I vetëdijshëm për këtë Vladimir Putin merr pjesë më i fortë në samitin e G-8. Pas pengesave që prej rënies së Bashkimit Sovjetik, Moska ka mundësinë sërish që të përjetojë ndjenjën e negociimit me Perëndimin në kushte të barabarta.

Poshtërimi i fundit politik ishte rasti me Libinë: Kremlini nuk ua ka falur kurrë aleatëve perëndimorë që në vitin 2011 e shfrytëzuan zonën e ndalim-fluturimit, për të cilën ishte rënë dakord me Moskën. por që pa marrëveshje me Kremlinin dhe kundër interesave të Rusisë filluan me ndërrimin e regjimit në Libi. "Tani në rastin e Sirisë Kremlini dëshiron të tregojë se ai është një aktor, dhe se njerëzit, që dëshiron t'i mbështesë dhe t'i mbajë në në pushtet Rusia kanë në Moskë një partner të besueshëm", thekson eksperti për Sirinë, Heiko Wimmen.