040511 Merkel Bin Laden
4 Maj 2011"Jam e gëzuar që u arrit të vritet Bin Laden …“ - Kjo fjali e kancelares ngjalli shumë kritika, jo vetëm në radhët e opozitës por edhe tek kishat e madje edhe në mesin e kristiandemokratëve.
Kryetarja e grupit parlamentar të ekologjistëve gjermanë në Bundestag, Renate Künast, u shpreh kështu për deklaratën e Angela Merkelit:
„Në një shtet ligjor një kancelare si përfaqësuese e një vendi nuk mund të shprehë kënaqësi për një vrasje, edhe kur bëhet fjalë për një kriminel. Kjo thjesht nuk është me vend.“
Opozita: kjo nuk është e mundur në një shtet ligjor
Politikania tjetër e gjelbër Katrin Göring-Eckhardt, e cila si drejtuese e Sinodës, mban edhe postin më të lartë drejtues të Kishës Protestante në Gjermani, citohet me këto fjalë nga gazeta Berliner Zeitung: „Si e krishterë mund të them vetëm se nuk ka asnjë arsye për t'u gëzuar, kur dikush vritet me qëllim.“
Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare, socialdemokrati dhe njohësi i SHBA-së Gernot Erler, tha:
„Mund të shprehësh mirëkuptim për gëzimin e viktimave dhe të vendit të viktimave, Amerikën. Por të shprehësh vetë gëzim, këtë nuk e kuptoj dot."
Kritikë edhe nga partia e saj CDU
Mirëkuptimi mungon edhe tek disa në radhët e kristiandemokratëve të Merkelit. Zëvendëskryetarja e grupit parlamentar Ingrid Fischbach tha për Berliner Zeitung: "Nga këndvështrimi i krishterë nuk është e përshtatshme të shprehësh gëzim për vrasjen me qëllim të një njeriu dhe për vdekjen e tij". Kristiandemokrati Thomas Dörflinger, ashtu si Fischbach anëtar i komitetit qendror të katolikëve gjermanë, plotësoi se "ndjen lehtësim që Ossama Bin Laden nuk mund të shkaktojë më fatkeqësi, por jo patjetër gëzim".
Mjaft qartë u distancua nga kancelarja Merkel ipeshkvi katolik i ushtrisë Franz-Josef Overbeck. Për grupin e gazetave WAZ në Essen ai u shpreh:
„Vdekja e çdo njeriu nuk është kurrë arsye për gëzim, aq më pak kur e themi këtë si të krishterë. Pëkundrazi për çdo njeri vlen: një vdekje është gjithnjë një fund, ku i lutemi Zotit për falje dhe mëshirë.“
Edhe nga Kisha Protestante, së cilës i përket kancelarja Merkel, pati kritikë. Kryetari i Kishës Protestante në Gjermani, Nikolaus Schneider, u shpreh për shërbimin evangjelist të shtypit, se vdekja e një njeriu nuk mund të lidhet me ndjenjën e gëzimit.
Meqenëse partia Kristiandemokrate (CDU) e Merkelit merr veçanërisht shumë vota nga të krishterët në zgjedhje, kjo kritikë nga Kishat nuk është e parrezikshme për kancelaren.
Autor: Peter Stützle / Eliana Xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj