1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Futbolli kosovar merr mësime nga Gjermania

Federata e Futbollit të Kosovës do të mësojë nga futbolli gjerman. Michael Nees punon atje si drejtor teknik.

Lufta ende është e ngulitur thellë në kokat e njerëzve në Kosovë. Por në këtë vend me 1.8 milionë banorë ka edhe lëvizje pozitive, që e dëshmon pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA. Për zhvillimin e strukturave të futbollit kosovar është angazhuar edhe gjermani Michael Nees, nga Stutensee pranë qytetit Karlsruhe. Ai ka punuar si trajner i kombëtareve, drejtor teknik dhe në pozita të tjera në Ruandë, Afrikën e Jugut dhe së fundi në Izrael. Ndërsa nga fundi i janarit Nees është angazhuar në Federatëtn e Futbollit në Kosovë. 50-vjeçari është angazhzuar në kuadër të programit të Ministrisë së Jashtme, Komitetit Olimpik dhe Federatës Gjermane të Futbollit (DFB).

Arsye për angazhim në Kosovë ka shumë. "Së pari, për mua është një sfidë e madhe që të punoj në një federatë të re, siç është ajo e Kosovës, ku shoh shumë mundësi për zhvillimin e strukturave profesionale. Ndërkohë që me avion mbërrin shumë shpejt dhe jam më afër familjes në Karlsruhe", thotë Nees, i cili është shumë i kënaqur me Kosovën. "Njerëzit në Kosovë janë shumë mikrpitës dhe miqësor. Prej ditës së parë e kam ndjerë veten të mirëseardhur. Ndërkohë që njerëzit këtu janë shumë të dhënë pos futbollit. Kemi potencial të mirë për të bërë diçka të madhe këtu në vitet e ardhshme."

Kosova nuk ka kushte elementare

Megjithatë Nees-in dhe kolegët e tij i pret edhe shumë punë në Kosovë, që shihet edhe nga rezultatet e ekipit të parë të Kosovës. "Dardanët", siç i quajnë tifozët, kanë fituar në kualifikime deri tani vetëm një pikë dhe gjenden në vendin e fundit në grupin e kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Kundërshtari i radhës të shtunën është Kroacia.

Në ekipin e Kosovës ka shumë lojtarë të rinj por edhe disa me përvojë, si Besart Berisha, i cili para disa vitesh së bashku me gjermanin Thomas Broich është bërë kampion  në Australi, me ekipin  Brisbane Roar. Valon Berisha nga Red Bull Salzburg apo Milot Rashica, nga Vitesse Arnheim janë lojtarë të tjerë me kualitet të dëshmuar.

"Natyrisht që ne këtu kemi edhe lojtarë me kualitet shumë të lartë. Por për sukses në futboll kërkohen edhe struktura të mira jashtë fushës së futbollit. Ajo që në vendet e tjera është normale, këtu ende nuk është krijuar", thotë Nees. Kosova vazhdon t'i luajë ndeshjet kualifikuese si palë pritëse jashtë vendit, për shkak se nuk ka një stadium që i plotëson kushtet e FIFA-s.

Kosova nuk ka as infrastrukturën e duhur sportive dhe nuk është anëtare e Konventës së UEFA-s për trajnerët. Kombëtarja e Kosovës ende nuk ka trajner për përgatitjen fizike dhe specialistë për analizimin e ndeshjeve.

Nees thotë: "Unë shoh që po bëhen përparime dhe se FFK po bën përpjekje për një zhvillim më të shpejtë. Por është plotësisht utopike që të besohet se Kosova në kushtet e tanishme mund të kualifikohet në Kampionatin Botëror, në një grup me Turqinë, Kroacinë, Islandën dhe vende të tjera."