1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futbolli dhe biznesi

4 Shtator 2009

Të 12 klubet futbollistike në Superligën e Shqipërisë janë duke finalizuar për herë të parë kontratat për menaxhimin e përqëndruar të së drejtës televizive dhe të reklamës.

https://p.dw.com/p/JSSq
Fotografi: dpa

Federata Shqiptare e Futbollit ka zgjedhur si partner në këtë projekt, kompaninë gjermane të specializuar "UFA Sports". Ekspertët e shikojnë me optimizëm menaxhimin nga kompania gjermane, pasi ajo është e garantuar për aftësitë e kompetencat profesionale dhe për njohjen e tregut shqiptar dhe evropian të të drejtave.

Aktivitetet futbollistike në Shqipëri kanë filluar të mos shihen tashmë thjesht si burim argëtimi për sportdashësit, apo si krijim të ardhurash nga biletat e vendeve në stadium. Shitja e të drejtës televizive, shfrytëzimi i ambjenteve rreth fushës së blertë për reklama, apo dhe të drejta të tjera që rrjedhin prej tyre, kanë zgjuar interes të madh për menaxhim nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Manager FC Bayern Muenchen ist der Kroesus der Liga
Fotografi: picture-alliance / Sven Simon

Në rreth 15 vitet e fundit e vetmja e drejtë televizive që është administruar ka qënë ajo për ndeshjet e ekipit kombëtare të futbollit. Janë dhe disa klube futbollistike, si Tirana, Partizani, Vllaznia, Dinamo, Teuta apo ndonjë tjetër, që kanë nënshkruar kontrata të veçanta me kompani të specializuara. Por Federata Shqiptare e Futbollit kërkon t'i japë fund spontanitetit dhe të aplikojë një eksperiencë që zbatohet në kampionatet e vendeve ku futbolli është mjaft i zhvilluar.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Eduard Prodani, është pjesë e ekipit të ekspertëve që po negocion për projektin e përqëndrimit të procesit të të drejtave televizive dhe të reklamave me të 12 klubet futbollistike të Supërligës shqiptare.

Në mikrofonin e DW-së ai sqaron se cilat do të jenë efektet pozitive nga aplikimi i këtij modeli: "E para, të shtohet në mënyrë të dukshme sasia e të ardhurave të futbollit shqiptar nga këto të drejta, dhe e dyta të përfitojnë të gjitha klubet. Për këtë arsye ne e konsiderojmë këtë projekt si një nga projektet më të rëndësishme, madje si një pikë kthese në futbollin shqiptar. Dihet që futbolli nuk mund të bëjë përpara pa burime konsistente dhe serioze të ardhurash. Dhe shfrytëzimi i të drejtave televizive, reklamave dhe të tjera që rrjedhin prej tyre janë një burim konsistent dhe serioz për futbollin".

Për Endi Tufën, redaktor sportiv në televizionin privat "Top Channel" rregullimi i këtyre të drejtave nga një kompani e vetme do të sjellë dhe hedhjen e bazave për krijimin në Shqipëri të Ligës së Futbollit.

"Është e rëndësishme që klubet të kenë financat e tyre, për të mos mbyllur bilance negative, apo që këto bilance të jenë me humbje minimale. Të mos kemi skuadra që shkojnë drejt falimentimit, si kemi dhe rastin e Partizanit që nuk ka arritur të sigurojë fonde as për të marrë pjesë në kampionat."

Partneri kryesor i Federatës Shqiptare të Futbollit në këtë proces është përzgjedhur kompania gjermane e specializuar, "UFA Sports". Eduard Prodani e shikon si thelbësor rolin e kësaj kompanie prestigjoze në arenën ndërkombëtare: "UFA Sports ka bërë paraprakisht një studim analitik për realitetin në terren, mbi rezervat që ekzistojnë, si dhe pritshmëritë për të ardhmen. Kjo fazë përgatitore është përcaktuese në fazën e negociatave që po zhvillohen me të 12 klubet e futbollit," - thotë ai për DW.

Në pjesën më të madhe të klubet i kanë nënshkruar kontratat, kurse për dy tre prej tyre janë duke u verifikuar modalitetet e marrëveshjes me kompaninë gjermane.

"UFA Sports për ne duke qënë një partner i vjetër i Federatës Shqiptare të Futbollit, gjithmonë në fushën e shitjes së të drejtave televizive të ekipit kombëtar është i njohur dhe i garantuar për aftësitë, për kompetencat profesionale, për njohjen e tregut shqiptar dhe evropian të të drejtave".

Endi Tufa, redaktor sportiv në Televizion Kombëtar "Top Channel" thotë për DW se centralizimi i menaxhimit të të drejtave televizive, të reklamave dhe të tjera që rrjedhin prej tyre është njëri nga faktorët kryesorë që siguron kapërcim cilësor në futbollin shqiptar. "Kjo mbetet të shoqërohet patjetër dhe me hartimin e një pakete ligjore bashkëkohore për qartësuar rolin dhe statusin e klubit të futbollit. Kështu do të ndikohet drejtëpërdrejtë në vendosjen e rregullave të lojës në aktivitete kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Për arritur standardet që kanë vendet më të zhvilluara në sportin e admirueshëm të futbollit."

Autor: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani