1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fundi i terrorizmit bask?

Organizata ilegale baske ETA deklaroi se do të heqë dorë nga sulmet terroriste dhe ka shpallur sërish armëpushimin.

default

Videomesazhi

ETA i dërgoi një mesazh me video stacionit britanik BBC dhe gazetës baske "Gara". Në to thuhet se ETA ka vendosur të heqë dorë nga dhuna për t'i hapur rrugën një procesi demokratik.

Pamjet që transmetoi të dielën pasdite (5.9.) televizioni spanjoll ishin marciale: fytyra të mbuluara me kapuçë të bardhë me vrima të vogla për sytë, në kokë berreta të zeza baske - tre anëtarët të ETA-s ulur përpara një perdeje me simbolin e organizatës lexojnë një komunikatë me anë të së cilës shpallin armëpushimin. Një zë gruaje flet në gjuhën baske, duke deklaruar në mënyrë patetike se armët e zjarrit do të pushojnë:

"ETA do të ndihmojë për gjetjen e një zgjidhjeje demokratike, në mënyrë që qytetarët baskë të kenë mundësi që në bazë të dialogut dhe të bisedimeve të vendosin vetë në mënyrë të lirë dhe demokratike për të ardhmen tonë."

Në mesazhin e dërguar me video ETA shpall se nuk do të ndërmarrë një herë për një herë vepra të dhunshme. Por se sa kohë do të vazhdojë ky armëpushim nuk thuhet. ETA duket se është dobësuar shumë prej arrestimeve të muajve të fundit, gjatë të cilave ndër shumë drejtues u arrestua edhe shefi ushtarak i kësaj organizate separatiste Mikel Carrera Sarobe, të cilin e thërrasin Ata. Disa komentatorë e konsideruan këtë arrestim si fundin e ETA-s, ministri spanjoll i Punëve të Brendshme Alfredo Rubalcaba tha se ky ishte një aksion shumë i rëndësishëm.

Përveç kësaj edhe brenda kësaj organizate ka pasur gjithnjë diskutime nëse nuk është më mirë që për të fituar një territor bask të pavarur, të hiqet dorë prej prej luftës me armë.

Në një reagim të parë të Ministrisë së Brendshme spanjolle thuhet se e vetmja gjë që vlen është që ETA të deklarojë përfundimisht se do të heqë dorë nga lufta e armatosur. Por për një gjë të tillë në mesazh nuk bëhet fjalë.

Në komunikatë, e cila në disa pjesë të duket si ndonjë testament politik i organizatës terroriste ETA, thuhet se ka ardhur koha që të respektohet dëshira e shumicës së popullit bask. Dhe vërtet anketimet e viteve të fundit tregojnë se shumica e baskëve nuk identifikohen më me qëllimet e ETA-s, për të krijuar një shtet të pavarur socialist bask.

ETA lufton që 40 vjetësh për pavarësinë e territoreve baske në veri të Spanjës dhe në jugperëndim të Francës. Ajo konsiderohet si përgjegjëse për vdekjen e më tepër se 800 vetëve. Tani mbetet të pritet se sa seriozisht e ka kjo organizatë me ofertën e tanishme të armëpushimit.

Autor: Daniel Sulzmann/Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 06.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P4sd
  • Data 06.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P4sd