1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i një jave diskutimesh të nxehta për buxhetin

Peter Stützle/ Auron Dodi15 Shtator 2012

Bundestagu përfundoi debatin e parë për buxhetin shtetëror të vitit 2013. Ky debat u ndikua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ESM. Pasiguri të mëdha mbeten.

https://p.dw.com/p/169Y8
Debat i nxehtë për buxhetin në Bundestag
Debat i nxehtë për buxhetin në BundestagFotografi: dapd

"E vetmja gjë, që duan të arrijnë ata është t'ia hedhin vitit elektoral." Me këto fjalë socialdemokrati Carsten Schneider e akuzoi qeverinë federale se i mungon dëshira për të konsoliduar buxhetin. Me të vërtetë, buxheti i vitit 2013 ka rëndësi të madhe për koalicionin në pushtet. Aktualisht, thuajse saktësisht një vit para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, në bazë të sondazheve koalicioni qeveritar është mjaft larg arritjes së një shumice në votime. Një gjendje e mirë financiare shtetërore do të ishte një argument i mirë, për të kërkuar besim tek zgjedhësit për katër vjet të tjera.

Oratorë të partive anëtare të koalicionit qeveritar theksuan në debatin katërditor për buxhetin edhe se vendi ndodhet në rrugë të mbarë për të arritur një buxhet pa borxhe. Vitin e ardhshëm, sipas projektbuxhetit të qeverisë federale do të bëhen edhe 18 miliardë euro borxhe të reja. Me këtë arrihet tri vjet më parë se kërkesa kuota 0,35 e produktit kombëtar bruto, e cila pas frenës së borxheve në kushtetutë u vendos që të mos kapërcehet prej vitit 2016.

Kancelarja Angela Merkel me Ministrin e Jashtëm Westerwelle dhe Ministrin e Ekonomisë, Rössler
Kancelarja Angela Merkel me Ministrin e Jashtëm Westerwelle dhe Ministrin e Ekonomisë, RösslerFotografi: picture-alliance/dpa

Opozita nuk sheh një linjë të qendrueshme

Oratorët në raundin përmbyllës të debatit për buxhetin tërhoqën vëmendjen se po përvijohet një rënie e zhvillimit ekonomik në Gjermani. Konsolidimi i buxhetit nga qeveria nuk është i qendrueshëm, kritikoi për shembull politikani i Gjelbër, Sven Christian Kindler: "Ju notoni mbi valën konjukturore. Nëse ajo dobësohet, buxheti juaj do të shkatërrohet si një shtëpi kartoni."

Lehtësim për vendimin për euron

Kristjandemokrati Hans Michelbach kuptohet që për këtë kishte krejtësisht një mendim tjetër. Gjermania është një spirancë stabiliteti për Evropën, tha kolegu i partisë së Angela Merkelit: "Ne japim një sinjal të fortë se cili është potenciali që ka Gjermania, kur qeveriset siç duhet." Tani ka rëndësi, tha ai që në Evropë të marrë fund pasiguria. Vendimin e së mërkurës të Gjykatës Kushtetuese për ta miratuar me kushte fondin permanent të shpëtimit të euros ESM dhe Paktin Fiskal evropian, politikani kristjandemokrat e vlerësoi si konfirmim të politikës së qeverisë.

Autor: Peter Stützle/ Auron Dodi

Redaktoi: