Fundi i dyshtetësisë
9 Shkurt 2013Në ditëlindjen e saj të 18-të Ebru Uzun morri një letër me postë. Përmbajtja e letrës: deri në ditëlindjen tuaj të 23-të ju duhet të vendosni se cilën shtetësi do të mbani, gjermane apo turke. "Unë isha relativisht pragmatike", thotë për DW-në Uzun, e cila më 2 prill të këtij viti mbush 23 vjet. "Unë udhëtoj shumë dhe tani jam duke studiuar jashtë vendit. Prandaj mbajtja e shtetësisë turke është thjesht jopraktike". Vajza e dy prindërve turq vendosi për mbajtjen e shtetësisë gjermane që në vitin 2012. Aktualisht ajo është në përfundim të studimeve të saj Master në Kolegjin Universitar për shkenca neurologjike në Londër. Megjithatë ajo nuk e kishte aq të lehtë kthimin e pasaportës turke. "Nga ana tjetër ajo është edhe një pjesë e identitetit tim, nga i cili mu kërkua që të heq dorë dhe unë me të vërtetë nuk e kisha të qartë përse. Nuk ka asnjë disavantazh real për shtetin, në qoftë se unë kam edhe një shtetësi tjetër," thotë Uzun.
Uzun është një nga 3316 të rinjët me shtetësi të dyfishtë të cilët gjatë këtij viti duhet të vendosin për njërën pasaportë. Të prekur janë fëmijët e prindërve të huaj të lindur në Gjermani pas 1 Janarit 1990. Për ata vlen: nëse prindërit kanë jetuar me qëndrim të rregullt në Gjermani për tetë vjet atëherë fëmijët kanë të drejtën e shtetësisë gjermane. Ky ligj zbatohet në Gjermani që nga 1 Janari i vitit 2000, dhe në mënyrë retroaktive për fëmijët që kanë lindur pas 1 Janarit të vitit 1990. Shumica e këtyre fëmijëve kanë shtetësi të dyfishtë: gjermane dhe të prindërve të tyre.
Opsion i detyrueshëm
Maksimumi deri në ditëlindjen e 23-të këta të rinjë duhet të zgjedhin njërën pasaportë. Pastaj vlen i ashtuquajturi opsion i detyrueshëm. Nëse prindërit e tyre janë nga një shtet i BE-së ose nga Zvicra, ata mund të mbajnë dy pasaporta por me kusht që të kenë parashturar kërkesën për këtë deri në ditëlindjen e tyre të 21-të.
Nëse pasaporta e dytë është e një vendi joanëtar të Bashkimit Evropian atëherë dyshtetësia merr fund. Opsioni i detyrueshëm ofron dy mundësi: të rinjtë vendosin për shtetësinë e vendit të origjinës dhe heqin dorë nga shtetësia gjermane ose ata aplikojnë për lirim nga shtetësia e prindërve të tyre dhe ruajnë shtetësinë gjermane. Nëse deri në ditëlindjen e tyre të 23-të ata nuk dorëzojnë dokumentet e nevojshme në zyrën përgjegjëse për natyralizim ata humbasin automatikisht shtetësinë gjermane.
Mosveprimi me pasoja fatale
Organet këshilluese të tilla si shërbimet për migrimin e rinisë duan të parandalojnë rastet e tilla ekstreme. "Misioni ynë është që t'i paralajmërojmë të rinjët se do të humbasin shtetësinë e tyre gjermane nëse ata nuk ndërmarrin asgjë", thotë Herbert Luken, drejtor i Shërbimit të Migrimit të Rinisë në Bremen. "Ne duhet thjesht edhe njëherë tua bëjmë të qartë: nëse ti nuk bën asgjë, atëherë nga pasnesër do të jesh "vetëm" turk."
Pikërisht kjo i ka ndodhur në janar një vajze të re në Hessen. Megjithë përpjekjet e saj të vazhdueshme ajo kishte dështuar që të dorëzojë me kohë lirimin nga shtetësia e saj turke. Siç njoftoi Këshilli Qeveritar i Darmstadit vajza ka humbur shtetësinë gjermane më 3 Janar 2013. Nëse ajo dëshiron të marrë sërish atë, atëherë ajo tani duhet t'i nënshtrohet procesit të komplikuar gjerman të natyralizimit dhe madje të kalojë edhe testin e shtetësisë.
Për shkak të rasteve të tilla, Fondacioni Bertelsmann ka kundërshtuar opsionin e detyrueshëm. Eksperti i çështjeve të integrimit pranë këtij fondacioni, Ulrich Kober, nga perspektiva e integrimit e quan atë si një "katastrofë" nëse njerëzit për shkak të panjohurisë apo mosrespektimit të afatit do të humbasin shtetësinë e tyre gjermane. "Kjo nuk është një sinjal i mirë për hapjen dhe kulturën mikpritëse", tha Kober në një deklaratë për shtyp me 4 shkurt.