Të paktën nëntë të vdekur nga orteku në Kosovë
12 Shkurt 2012Lajmi për goditjen nga orteku në fshatin Restelicë, ku si pasojë kanë humbur jetën të paktën nëntë vetë, u konfirmua nga kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jonuzi. Shtatë trupa të pajetë u gjetën të shtunën në mbrëmje, ndërsa, dy trupa të tjerë u gjetën të dielën (12.02.2012) paradite. Autoritet thonë se po kërkojnë edhe një person, që mendohet se mund të ketë mbetur i ngujuar në një shtepi të mbuluar nga bora. Një vajzë pesë vjeçare u shpëtua nga gërmadhat e një shtëpie pak para mesnatës të së shtunës.
Vazhdon operacioni i emergjencës
Sipas zyrtarëve të shërbimit të emergjencave, orteku me një thellësi prej 10 metrash dhe gjatësi 500 metra ka mbuluar 15 shtëpi të fshatit Restelicë. Për të ndihmuar fshatin e goditur nga Orteku që nga pasditja e së shtunës, janë angazhuar Forcat e Sigurisë së Kosovës, trupa të KFOR-it dhe shërbimet e emergjencës të komunës së Dragashit. Ministri i infrastrukturës në qeverinë e Kosovës, Fehmi Mujota, thotë se operacioni i kërkim shpëtimit po vazhdon. "Janë të angazhuara të gjitha forcat dhe do të punojnë derisa të arrijnë të gjejnë edhe personat e fundit, që kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre, për shkak të ortekut. Ne ende po shpresojmë që të ketë mbijetuar dikush prej tyre, por gjasat janë gjithnjë e më të vogla", tha ministri Fehmi Mujota.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e cilësoi ngjarje të rëndë dhe të trishtueshme humbjen e jetëve në Restelicë.
Në disa komuna shpallet gjendja e jashtëzakonshme
Edhe qeveria e Kosovës duke shprehur ngushëllimet e saj për jetët e humbura ka theksuar se po ndjek nga afër situatën në fshatin Restelicë por edhe në zonat e tjera të prekura nga moti i ashpër që ka përfshirë Kosovën. Për t'u njohur nga afër me gjendjen në Restelicë këtë të dielë rajonin e viziton kryeministri i Kosovës Hashim Taci. Reshjet e mëdha të borës po shkatëtojnë vështirësi të mëdha edhe në komunat perëndimore të Kosovës. Trashësia e borës ka arritur në 1.5 metra në komunën e Pejës, Deçanit dhe Junikut. Të tri këto komuna kanë shpallur gjendje të jashtzakonshme.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora