1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frymë e re në Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë

13 Korrik 2011

Me ndërrimin e strukturave në krye të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duket se po hapet një faqe e re në marrëdhëniet e bashkësisë fetare me institucionet dhe shoqërinë e Kosovës.

https://p.dw.com/p/11uU8
Peshkopi Teodosije dhe igumeni Sava Janjiq pas vizitës në komunën e Deçanit.
Peshkopi Teodosije dhe igumeni Sava Janjiq pas vizitës në komunën e Deçanit.Fotografi: DW

Këtë faqe të re e hapi vizita e parë zyrtare e peshkopit të ri të Rashkes dhe të Prizrenit, Teodosije së bashku me igumanin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq në komunën e Deçanit.

„Kisha, ashtu si i takon, gjithmonë ka qënë e hapur për shoqërinë në të cilën jeton. Ne kemi pasur kontakte me komunen edhe më parë dhe vazhdimisht tek ne kanë ardhur përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Ka kaluar mjaft kohë nga ngjarjet e luftës, është ndërtuar një mirëbesim dhe unë jam i lumtur që vërtet ekziston vullneti i mirë dhe gatishmëria nga të dyja palët dhe shpresojmë që këto marrëdhënie të zhvillohen më tej. Ne si manastir respektojmë zakonet, vlerat dhe rregullat dhe jemi gjithmonë të hapur për komunën tonë, për njerëzit që jetojnë këtu, sepse ne i përkasim kësaj komune dhe dëshirojmë që popullata e këtushme Manastirin e Deçanit ta shohë si të vetin“, thotë igumani i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Ndryshime që duhej të kishin ndodhur vite më parë

Manastiri i Deçanit.
Manastiri i Deçanit.Fotografi: DW

Kryetari i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj, thotë se do të vazhdojë të luajë rolin që i përket si kryetar i komunës në ndërtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

„Manastiri është objekt fetar në komunen e Deçanit dhe ne si të tillë e respektojmë dhe e ruajmë. Mirëpo, mendoj se ka ardhur koha për ndryshime që do duhej të ndodhnin para shumë vitesh dhe Manastiri i Deçanit të jetë shtytje e zhvillimit ekonomik apo thënë më ndryshe, ndihmesë e hapjes së rrugës së zhvillimit të turizmit në komunën e Deçanit, konkretisht për projektin tonë prioritar, rruga Decan-Plavë”.

Një meritë e veçantë në përparimin e marrëdhënieve komunë-manastir i takon ambasadorit novergjez Serre Johan Kvale, i cili në mbyllje të misionit të tij në Kosovë ishte pjesë e vizitës së parë të përfaqësuesve të kishës ortodokse në institucionet e Kosovës, pikërisht në komunën e Deçanit.

“Dhe kjo nuk ishte aspak e vështirë, sepse ekzistonte vullneti i mirë nga të dyja anët dhe unë jam krenar që jam mik i të dyja palëve. Mua kjo më bën shumë të lumtur sepse e shoh se ajo për të cilën kemi punuar një kohë të gjatë po ndodh para nesh, gjë e cila është shumë e mirë“, mendon z. Kvale, i cili jo fort larg u shpall edhe Qytetar Nderi i Deçanit.

Ardhja e peshkopit Teodosije sjell ndryshime pozitive

Vizita e parë dy javësh në Komunën e Deçanit shënon edhe daljen e parë zyrtare të përfaqësuesve të Manastirit të Deçanit në komunën e tyre, por edhe daljen e parë zyrtare të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse të Kosovës. Dhe mbyllja në vete për 12 vjet u bë për shumë arsye, thotë igumani i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, i cili megjithëse përmend se sulmet e disa individëve ndaj Manastirit kanë ndikuar në pasigurinë e murgjve shpreh bindjen se prapa tyre nuk qëndron popullata e këtushme e cila këtë manastir e ruajti me shekuj.

Kryetari i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj.
Kryetari i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj.Fotografi: DW

„Ndërsa ndër pengesat kryesore të mbylljes sonë ka qënë qëndrimi i peshkopit tonë të mëparshëm Artemije, i cili praktikisht ka dalë nga Kisha Ortodkse Serbe dhe ka formuar një sekt në vete. Me ardhjen e Peshkopit të tanishëm Teodosije, njeri i matur dhe konstruktiv bashkëpunimi i dioqezës sonë me Bashkësinë Islame dhe Kishën Katolike është përmirësuar dukshëm sikurse edhe hapja jonë ndaj shoqërisë në të cilën jetojmë. Tashmë kemi hyrë në një periudhë kur pavarësisht statusit, vërtet dëshirojmë të dëshmojmë se Kisha Ortodokse e Kosovës do të jetë një pjesë e mirë dhe konstruktive e kësaj shoqërie, me shpresën se rolin tonë do ta njohin edhe të tjeret, do na ndihmojnë dhe do na respektojnë„- thotë igumani i Manastirit, Sava Janjiq.

Deçanasit ende kujtojnë mangësitë e vazhdueshme si pasoje e politizimit të çdo lëvizjeje përgjatë zonës ku shtrihet manastiri, sidomos pas shpalljes së Zonës së Veçantë, në 2005.

Projekte të përbashkëta mes komunës dhe manastirit

Nisur nga disa raste në të kaluarën në Kosovë është krijuar bindja se Manasitiri i Deçanit është shndërruar në pengesë për zhvillimin e komunës. Një perceptim i gabuar ky, sipas igumanit Janjiq: „Përkundrazi, Manastiri i Deçanit përfaqëson një ndër burimet më të rëndësishme të kësaj komune dhe ai gjithsesi do të jetë burim i zhvillimit ekonomik të kësaj hapësire, sepse falë këtij monumenti fetar vijnë njerëz nga mbarë bota e të tjerë mësojnë ku është Deçani. Një nga treguesit më të qartë se Manasitiri nuk është pengesë për zhvillimin ekonomik të komunës është investimi që vjen së shpejit në hidrocentrale me instalime nëntokësore në këtë zonë nga kompania austriake KELKOS. Ky është njeri ndër investimet më kapitale në Kosovën e pasluftës, i cili do të ndikojë në zhvillimin e komunës së Deçanit dhe në përmirësimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, në përgjithësi“.

Sidoqoftë, popullata e këtij rajoni Manastirin e Deçanit e konsideron pjesë të vetën dhe vizita e përfaqësuesve të tij ishte e natyrshme. Ata duan të besojnë se mosmarrëveshjet kanë mbetur në të kaluarën dhe me hapjen e një faqeje të re, Komuna dhe Manastiri bashkarisht do të hyjë në rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.

Autore: Ajete Beqiraj

Redaktoi: E. Xhani