1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Frikë prej një gare të re armatimi?

Para 30 vjetësh Gorbaçovi dhe Reagani ranë dakord që të asgjësojnë raketat me rreze të mesme veprimi. Një ngjarje historike, që mund të shërbejë si shembull për t'iu kundërvënë shqetësimeve aktuale.

Në fund të viteve 70-të e në fillim të viteve 80-të bëhej fjalë për "ekuilibrin e tmerrit". Asokohe Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja zhvillonin një garë të pashembullt në histori armatimesh. Raketat  me rreze të mesme veprimi të tipit "SS 20" nganjëra anë dhe  "Pershing II" nga ana tjetër ishin kthyer në metaforat e konfliktit Lindje-Perëndim. Frika nga një luftë bërthamore ishte reale. Në Gjermani u krijua një lëvizje e re për paqen. Protesta e saj ishte në fakt e pasukses, sepse Bundestagu në fund të vitit 1983 vendosi që të dislokohen raketat me rreze të mesme veprimi në territorin e RFGJ-së.

Asokohe askush nuk e imagjinonte si të mundshme, që pak vite më vonë do të mund të arrihej "marrëveshja e parë e çarmatimit pas 1045". Kështu u shpreh Bernd Greiner, drejtues i Kolegjit të Berlinit për Luftën e Ftohtë, në konferencën mbi Marrëveshjen INF (Intermediate Range Nuclear Forces Treaty) vendosur 30 vjet më parë mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.

Marrëveshja INF ndodhet mbi baza të lëkundura

Parë në retrospektivë shtrohet pyetja, se "si ka qenë e mundur që të ratifikohej një marrëveshje e tillë". Përgjigje për këtë në sfondin e "aktualitetit të politikës së ditës" mundohen të japin pjesëmarrësit në konferecën që vazhdon deri të shtunën (02.12) në Berlin. Shpejt shtrohet në diskutim problemi i Koresë së Veriut dhe vazhdimi i provave me raketat bërthamore që kryen regjimi nën Kim Jong Un. Megjithatë eksperti Greiner dhe të tjerë pjesëmarrës i referohen vazhdimisht çështjes, se si qe e mundur të vendosej marrëveshja INF para 30 vjetësh.

Rusia si trashëgimtare e Bashkimit Sovjetik duket se sot ka pak interes që ta zgjasë afatin e kësaj marrëveshjeje historike. Arsyeja është: dislokimi i raketave me rreze të mesme veprimi në Kinë, Indi dhe në Pakistan. Edhe nga pala e SHBA-së ka "mendime të ngjashme" për t'u shkëputur nga marrëveshja INF. Në një sfond të tillë Greiner shpreh shqetësim lidhur me politikën globale të sigurisë, "sepse debati për rrezikimin e marrëveshjes nuk ka arritur në nivelin ku do të duhej të ishte".  

Nevoja për një politikë shtensionimi 

Por që bota ndodhet vërtetë para një gare të re armatimi këtë e vë në pikëpyetje  Susanne Baumann. Ajo është zëvendësja e së ngarkuarës së qeverisë për çështjet e çarmatimit dhe kontrollit të armatimeve. Megjithatë disa shtete i kushtojnë një rëndësi krejt të re armëve bërthamore. Korenë e Veriut Baumann e konsideron si "shembullin më të spikatur, se si një shtet përpiqet që të sigurojë vendin e vet në botë përmes zhvillimit të armëve bërthamore". Ajo thotë, se situata e sigurisë në Europë "ka ndryshuar në masë me aneksimin e Krimesë".

Armët atomike vitet e fundit kanë fituar peshë në retorikën ruse. Por ekspertja ka dyshim nëse "mund të bëhet fjalë vërtetë për një 'renukelarizim'. Ndërsa Otfried Nassauer nga Qendra e Informacionit për Sigurinë Transatlantike në Berlin është më skeptik. Ai druan, se mund të ketë një diskutim për armë atomike në Europë. Si dëshmi për këtë ai përmend programin e SHBA-së për modernimzimin e armëve të tilla. Otfried Nassauer i cilëson marrëdhëniet aktuale ruso-amerikane si një "raport klasik i një lufte të ftohtë". Ai rekomandon si zgjidhje thelbin e idesë së politikës socialdemokrate të shtensionimit që u aplikua në kohën e Luftës së Ftohtë kur Gjermania ishte e ndarë: "Përpara se të kritikojmë tjetrin, duhet të vihemi njëherë vet në pozitën e tij."