1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franz-Lothar Altmann: "Kosova nuk ka nevojë për armatë“

Bahri Cani12 Mars 2014

Intervistë me Franz-Lothar Altmann, anëtar i kryesisë së Shoqatës për Evropën Juglindore dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit.

https://p.dw.com/p/1BNmO
Fotografi: DW

Deutsche Welle: Zoti Altmann, qeveria e Kosovës ka vendosur që të krijojë Forcat e Armatosura të Kosovës. A ka nevojë Kosova për ushtri apo mund të mbështetet tek mbrojtja nga trupat ndërkombëtare?

Franz-Lothar Altmann: Mendoj se Kosova duhet të shkojë në një drejtim tjetër – që siguria e shqiptarëve, por edhe e serbëve në Kosovë të garantohet nga trupat ndërkombëtare. Në Ballkan duhet të punohet më shumë drejt çarmatimit dhe jo drejt armatimit. Mendoj se është shumë vështirë të paramendohet që një armatë e Kosovës do të ishte në gjendje ta mbrojë vendin nga një armik imagjinar, i cili në rastin më të dyshimtë mund të jetë Serbia. Por edhe në këtë rast një armatë e Kosovës, e cila do të ishte e vogël, nuk do të kishte kurfarë shansash që ta mbrojë tërësinë territoriale të vendit. Ndaj nuk mund ta kuptojë vendimin për krijimin e një ushtrie. Mendoj se Kosova duhet të krijojë një forcë për ndihma teknike, të ngjashme me forcat në Gjermani për mbrojtje nga katastrofat dhe në situatat emergjente brenda vendit. Kosova nuk do të duhej ta ngarkojë buxhetin e saj me shpenzimet për armatimin e një ushtrie, e cila për mbrojtjen e vendit nuk ka shumë kuptim.

Kjo do të thotë se trupat ndërkombëtare duhet të mbeten për një kohë më të gjatë në Kosovë, apo jo?

Jo domosdoshmërisht, por duhet të jepen garanci jo vetëm nga vendet perëndimore dhe NATO-s, por edhe nga Rusia dhe Serbia për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Ky është edhe qëllimi: që shteti i Kosovës dhe tërësia territoriale të jenë të pacënueshme. Këtë ndërkohë e ka pranuar edhe Serbia përmes negociatave dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve në Bruksel. Pra garancat janë më të rëndësishme se sa vetë mbetja e trupave ndërkombëtare në Kosovë.

Megjithatë zoti Altmann qeveria në Kosovë pohon se çdo vend sovran ka një ushtri për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial. Pra pse Kosova të mos e ketë një ushtri të veten?

Ky nuk është ndonjë argument i qëndrueshëm, sepse Lihtenshtajni apo Luksemburgu nuk kanë ndonjë armatë të këtillë. Ky është një lloj mendimi i shekullit të kaluar. Kjo do të kishte pasur kuptim në shekullin 20, por ne ndërkohë kemi shkuar më larg dhe tani në Evropë jemi në rrugën e zvoglimit të rëndësisë së mbrojtjes së sovranitetit nga ushria e një vendi të caktuar.

Qeveria e Serbisë dhe serbët e veriut të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre pas vendimit për krijimin e një ushtrie të këtillë. Sa të kuptueshme janë këto shqetësime, edhe pse qeveria e Kosovës pohon se serbët nuk kanë nevojë të brengosen?

Deri diku mund të kuptohet ky shqetësim, por edhe tani kemi një situatë kur Policia e Kosovës ka të drejtë dhe mund të ndërhyjë në veri të vendit. Policia e Kosovës në veri është krijuar në përputhje me përbërjen e popullatës. Ndërkohë që armata e Kosovës nga pala serbe shihet si kërcënim, pra si një faktor të cilit nuk i besohet shumë.

Zoti Altmann, kur shikoni gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe në veçanti në veri, edhe sa kohë duhet të qendrojë KFOR-i në këtë vend dhe a mund të bëhet fjalë për tërheqjen e trupave ndërkombëtare nga Kosova në një ardhmëri të afërt?

Kjo është një cështje shumë e rëndësishme dhe mendoj se KFOR-i duhet të mbetet edhe një kohë më të gjatë në Kosovë. Për fat të keq, situata në veri të Kosoës ende nuk është zgjidhur dhe nuk mund të thuhet se është e qetë. KFOR-i duhet të mbetet në Kosovë deri në zgjidhjen e kësaj situate, sepse për sigurinë atje nuk mund të kujdeset ndonjë ushtri e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar edhe largimin apo ndryshimin e mandatit të EULEX-it. Kjo me siguri që mund të ndodhë shpejt apo jo?

Edhe këtu shtrohet pyetja se a janë në gjendje institucionet e Kosovës të marrin mbi vete detyrat që i ka kryer deri tani EULEX-i? Të shikojmë për shembull vetëm rastin e Oliver Ivanoviqit. Nuk e di tamam se cilat janë shkaqet për arrestimin e tij nga EULEX-i, por arrestimi eventual i Ivanoviqit nga institucionet e Kosovës me siguri që do të shkaktonte protesta masive dhe ragime shumë më të ashpra të Beogradit. Ndaj mendoj se Eulexi është një faktor shumë i rëndësishëm, i cili ende nuk mund të zëvendësohet nga Qeveria e Kosovës.

Zoti Altmann, presidenti rus Vlladimir Putin e ka krahasuar së fundi gjendjen në Krime të Ukrainës me Kosovën, për të justifikuar ndërhyrjen e trupave ruse atje. A mund të krahasohen këto dy raste?

Ky është një krahasim i dardhave me molla, sepse këto dy raste nuk mund të krahasohen fare. Popullata e Kosovës ka qenë e cënuar ekzistencialisht nga ushtria dhe forcat serbe. Atje ka pasur deportime masive dhe ka cënuar mundësia e gjenocidit, gjë që ka shkaktuar edhe reagimin nga jashtë. Por ndërhyrja nga jashtë nuk ka qenë pjesë e një strategjie për bashkimin ne Kosovës me Gjermaninë apo me SHBA-në. Ndërkohë që në rastin e Krimesë situata është krejt tjetër. Popullata ruse në Krime nuk cenohet nga askush. Atje nuk ekziston rreziku i një pogromi si në rastin e Kosovës. Ndërkohë që ndërhyrja e trupave ruse është bërë me qëllim që Krimeja të kthehet në territorin e Rusisë.

Sa mund të influencojë referendumi i Krimesë për bashkangjitje me Rusinë në situatën në veri të Kosovës, në jug të Serbisë, në Maqedoni, në Bosnje-Hercegovinë apo dhe në Spanjë dhe vendet e tjera, ku mund të dëgjohen ide për pavarësi dhe shkëputje nga territoret e tanishme? Apo Krimeja është një lloj su generis?

Çdo rast është sui generis. Shikoni Rusinë për shembull: ajo ka ndërhyrë në Çeçeni për të evituar seperatizmin dhe ndarjen e Çeçenisë nga Rusia. Ndërsa tani dërgon trupat në Krime për të mundësuar seperatizmin, shkëputjen e Krimesë nga Ukraina dhe bashkangjitjen e saj me Rusinë. Dallime ka pra edhe në këto dy raste, ndërkohë që krahasimi i situatës në Krime me Kosovën, apo me Spanjën dhe Skocinë, nuk është fare i mundur. Çështja e vetvendosjes është ndërkombëtarisht shumë e kontestueshme. Ende nuk ka rregulla të qarta se kur duhet të pranohet një referendum për vetvendosje, kur mund të pranohen seçesionet etj. Deri tani dihet vetëm se një shkëputje mund të pranohet vetëm në rastet kur një popull cënohet nga dëbimet masive dhe gjenocidi. Rastet si Krimeja, Çeçenia, Kosova apo Katalonja nuk mund të krahasohen. Duhet shikuar rastet një nga një dhe duhet shqyrtuar shkaqet për dëshirën e vetvendosjes dhe shkëputjes. Në rastin e Krimesë është bërë i mundur një referendum vetëm pas ndërhyrjes së Rusisë dhe dërgimit të trupave ruse atje.

A ka ndonjë mundësi për zgjidhjen paqësore të krizës në Ukrainë, ku Perëndimi dhe Rusia do të ruanin fytyrën?

Po, një zgjidhje e tillë do të ishte përmes federalizimit të Ukrainës ku Krimeja dhe pjesët e banuara me shumicë ruse do të kishin një autonomi edhe më të madhe. Në këtë mënyrë do të evitoheshin konfliktet, Ukraina do të ruhej si shtet, ndërsa Rusia dhe Putini do ta ruanin influencën e tyre në këto pjesë.