1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Solidaritet kundër terrorit të Boko Haram

exh (dpa, rtr)17 Maj 2014

Fati i më shumë se 200 nxënësve të rrëmbyera në Nigeri shqetëson opinionin ndërkombëtar. Kryetarë të shteteve afrikano-perëndimore konsultohen në Paris për hapat kundër Boko Haram - me ftesë të Presidentit Hollande.

https://p.dw.com/p/1C1di
Francois Hollande dhe presidenti i Nigerisës Goodluck Jonathan
Fotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti i Nigerisë Goodluck Jonathan është nën trysni masive për shkak të dramës së rrëmbimit në vendin e tij. Masat e marra prej tij kundër sektit terrorist islamist Boko Haram janë konsideruar gjithnjë si ngurruese dhe të pasuksesshme ushtarakisht. Së fundi qeveria e tij nuk bëri figurë të mirë kur fillimish deklaroi papritur "gatishmëri për dialog" me ekstremistët myslimanë, për t'u tërhequr më pas nga ky qendrim. Lirimi i luftëtarëve të burgosur të Boko Haram në këmbim të nxënësve të rrëmbyera nuk mund të bëhet, u tha së fundi në Abuja.

Rrëmbimi i më shumë se 200 vajzave nga një shkollë prej islamistëve ishte për Presidentin e Francës François Hollande shkas për t'u përpjekur për një bashkërendim ndërkombëtar në luftën kundër terrorit të Boko Haram. Këtë të shtunë (17.05.) ai ka ftuar në Paris krerët e shumë shteteve afrikane në një të ashtuquajtur "samit për sigurinë".

Demonstratë kundër Boko Haram në Nigeri, 14.05.2014
Fotografi: Reuters

Krahas Presidentit nigerian Jonathan priten edhe përfaqësues nga vendet fqinje Kamerun, Niger, Çad dhe Benin. Në veçanti Nigeria dhe Kameruni duhet të jenë shumë të interesuar për një strategji të bashkërenduar kundër sulmeve të milicëve islamistë.

Qysh javën e kaluar Franca njoftoi krijimin e një njësie ndërkufitare anti-terror me 3000 ushtarë francezë në zonën Sahel. Rreth 1000 trupa do të stacionohen në veri të Malit, ku Franca me shtete të tjera zhvillon që prej fillimit të vitit të kaluar luftë kundër terroristëve islamistë. 2000 ushtarët e tjerë do të shpërndahen në pjesë të tjera të zonës Sahel.