1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fqinjë të mirë

Gjermania dhe Polonia festojnë 25-vjetorin e Traktatit të fqinjësisë gjermano-polake. Por për momentin marrëdhëniet mes të dy vendeve nuk janë në gjendje të mirë.

"Të afrohemi më tepër. Të dëgjojmë njëri-tjetrin. Ta marrim më seriozisht njëri-tjetrin," kërkoi Joachim Gauck në pritjen e homologut të tij polak Andrzej Duda në Berlin. "Dialogu, debate kontroverse, mbeten të domosdoshme për mua", shtoi ai.

Vizita zhvillohet me rastin e 25 vjetorit të Traktatit të fqinjësisë gjermano-polake. Ky traktat që hodhi themelet për pajtimin gjermano-polak, miqësinë dhe bashkëpunimin, u nënshkrua më 17 qershor 1991. Duke vlerësuar këtë marrëveshje presidenti Gauck u bëri thirrje të dy vendeve për afrim të mëtejshëm.

Kriza e refugjatëve, reforma në gjyqësor, politika ndaj mediave ...

Megjithatë, marrëdhëniet aktualisht nuk janë pa probleme. Ato konsiderohen madje si relativsht të ngarkuara ndër të tjera edhe për shkak të pozicioneve të ndryshme në krizën e refugjatëve. Mosmarrëveshje mes Varshavës dhe evropianëve të tjerë ka edhe për shkak të reformës së gjyqësorit dhe politikës që ndjek qeveria konservatore polake ndaj mediave. Ekspertët e të drejtave të njeriut në BE-së flasin për një dobësim të sundimit të ligjit në Poloni.

Fjalë paralajmëruese për ndarjen e BE-së

Presidenti polak, që i takon partisë së djathtë nacionaliste në pushtet PiS tërhoqi vëmendjen dhe parajmëroi për një ndarje të Bashkimit Evropian. Ne nuk mund t'i ndajmë shtetet në vende që janë më pak apo më shumë evropiane, tha Duda. Ne nuk mund ta përballojmë mosbesimin dhe paragjykimet. Sikurse presidenti Gauck edhe Duda bëri thirrje për të zhvilluar marrëdhëniet gjermano-polake.

Gauck vlerësoi gjithashtu rolin e Polonisë në tranzicion në Evropë dhe në ribashkimin e Gjermanisë. Afrimin gjermano-polak gjatë çerek shekullit të kaluar, ai e quajti një "epokë të re". Duke iu referuar marrëdhënieve të mira ekonomike, shkëmbimeve rinore dhe partneritetit në BE dhe NATO, ai shtoi: "Ne sigurisht jemi afruar më tepër."

Presidentët nuk e shohin ndeshjen së bashku

Për t'u afruar më tepër po, por jo miq të ngushtë - për momentin të paktën. Ndeshjen e futbollit mes Gjermanisë dhe Polonisë presidentët nuk e panë së bashku. Duda e ndoqi lojën në rrethin e bashkatdhetarëve në ambasadën polake në Berlin, Gauck privatisht. Megjithatë futbolli bashkoi një çift tjetër politikanësh gjermano-polakë: ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe ai polak Witold Waszcykowski e ndoqën ndeshjen së bashku në stadium në Paris.