1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Formula e OKB për rininë: Fuqizim, përfshirje dhe barazi

10 Prill 2019

Rinia duhet vendosur në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm. Forumit rinor i OKB-së në Nju Jork diskuton me ministra dhe zyrtarë të organizatës për të përcaktuar rolin e rinisë në Agjendën 2030.

https://p.dw.com/p/3GWFv
USA UN ECOSOC Youth Forum in New York
Fotografi: picture-alliance/Photoshot/Li Muzi

Të rinjtë e mbledhur në sallën 12 diskutojnë për problemet e të rinjve në Europë dhe në Amerikën Veriore. Në sallat e tjera të rinj të tjerë flasin për problemet e rinisë në kontinentet e tjera. Forumi rinor i OKB, organizuar nga ECOSOC, Këshilli ekonomik dhe social. Forumi ka mbledhur qindra të rinj në selinë e OKB në Nju Jork, që të diskutojnë me ministra dhe zyrtarë të organizatës, për të përcaktuar rolin e rinisë në Agjendën 2030. Rinia duhet vendosur në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm. Ky është synimi, në një kohë kur bota po merret me pasojat e globalizimit.

Të rinjtë e mbledhur këtu nuk janë si Greta Thurnberg, aktivistja 16 vjeçare në mbrojtje të klimës. Të rinjtë e mbledhur këtu janë të veshur me kostume.

OKB, përcakton se rinia për të ka moshë 15 der 24 vjeçare. Por, shton se rinia është kategori fluide më shumë se sa moshë fikse, dhe me rini quhet ajo kategori popullsie që ndodhet në kohën e shkollimit dhe të futjes në punë për herë të parë. Secili vend e përcakton vetë kë pjesë të popullsisë quan rini, por UNICEF kërkon të bëjë unifikimin e definicionit. Mosha 15 deri 24 vjeçare përbën 16 përqind të popullsisë së botës, duke arritur shifrën e 1,2 miliardë vetëve.

Nevojat e të rinjve në nivele rajonale

Një nga çështjet rajonale është a janë adaptuar politikat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivele lokale për të arritur synimet e Agjendës 2030. Shembujt që vijnë thonë edhe po edhe jo. Nga SHBA një shembull thotë se qeveria federale ka bërë adaptimet, një shembull thotë se adaptimet për klimën nuk janë bërë dhe qeveria federale nuk i merr ato seriozisht. Një pjesëmarrëse nga Norvegjia thotë, se nuk bëhet sa duhet në shkolla dhe nga sektori publik. Në përgjithësi në Europë synimet e zhvillimit të qëndrueshëm nuk kanë mbërritur në nivele lokale.

Në luftën kundër margjinalizimit, nga Kanadaja vjen shembulli i Kampusit të Universitetit të Torontos, ku burimet për trajtimin e shëndetit mendor janë zvogëluar megjithëse numri i vetëvrasjeve nuk ka rënë. Një pjesëmarrëse nga Turqia flet për shkollimin e refugjatëve në moshë të re, për të cilët nuk bëhet sa duhet nga komuniteti ndërkombëtar. 1,8 milionë refugjatë janë në moshë shkolle dhe 30 përqind e tyre nuk shkojnë në shkollë. Një i ri nga Kamboxhia që ka imigruar në SHBA, kërkon që të rinjtë migrantë të mos kthehen: „Ne kemi bërë rrugë të gjatë për të ardhur deri këtu. Dhe nuk duam të kthehemi", përsërit ai disa herë.

Për diskriminimin e të rinjve, një vajzë sjell shembull nga qyteti i Nju Jorkut ku ndarja rracore ka krijuar një hendek në sistemin e arsimit. Një pjesëmarrëse flet për Bullgarinë, diskriminimin e romëve në sistemin e arsimit dhe punësimit atje, bullizmin, diskriminimin gjinor dhe mosratifikimin nga Bullgaria të konventës kundër diskriminimit gjinor.

Diskriminimet e ndryshme

Një pjesëmarrëse flet për diskriminimin kundër myslimanëve, një tendencë globale. Ajo tregon për përvojën e saj, si grua, që e detyrojnë kur udhëton në Evropë për biznes që të heqë shaminë nga koka. Diskriminim kundër myslimanëve bëhet edhe nga tregu i punës në shumë vende.

Si ndikon teknologjia në zhvillim? Një pjesëmarrëse nga Mbretëria e Bashkuar flet për mbetjen mbrapa të të rinjve që nuk kanë mundësi të financojnë telefona celularë dhe kompjutera. Një pjesëmarrëse thotë se paqja dhe siguria duhet të jenë temë për të rinjtë edhe në Europë, megjithëse shumëkush mendon se atje sundon paqja dhe nuk është e nevojshme. 1 në 4 të rinj në botë ndodhet nën ndikimin e një konflikti të armatosur.

Një tjetër flet për diskriminimin që i bën ligji të rinjve për shkak të moshës për të marrë poste të caktuara. Në shumë vende ekziston diskriminimi për shkak të moshës, që vendos barriera për zgjedhje në poste të caktuara. 73 përqind e vendeve kanë kufizime moshe për marrjen e posteve të caktuara mbas moshës 35 ose 40 vjeçare.

Kurse një pjesëmarrës flet për praktikat që nuk paguhen, madje edhe në agjencitë e OKB. Prandaj organizata ka marrë vendim që pas 2020, të gjithë të rinjtë që bëjnë praktikë të paguhen.

Këto janë disa nga nevojat rajonale të të rinjve nga Europa dhe Amerika e Veriut, në bazë të të cilave do të përpilohen rekomandimet për politikbërësit. Forumi rinor do të përfundojë me një deklaratë presidenciale, që do të lëshohet pas dy ditësh këshillimesh.