1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fjalët e Steinmeierit në momentin e gabuar

14 Shtator 2009

Frank-Walter Steinmeier përmend për herë të parë një datë për tërheqjen e ushtrisë gjermane nga Afganistani. Kjo temë komentohet gjërësisht në shtypin e sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/JeSk
Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier në Afganistan.
Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier në Afganistan.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Në valën e diskutimeve të ndezura rreth angazhimit gjerman në Afganistan, sidomos pas goditjes së dy autoboteve kandidati socialdemokrat për kancelar Frank-Walter Steinmeier përmendi , për herë të parë një datë për tërheqjen e ushtrisë gjermane. Ministri i Jashtëm gjerman prezantoi një plan dhjetëpikësh, në të cilin ai kërkon që misioni gjerman në Afganistan të përfundojë deri në vitin 2013. Steinmeier kërkon më tej, që në konferencën e ardhshme ndërkombëtare për Afganistanin, qeveria gjermane të mos mjaftohet me koncepte të vagullta. Kjo temë komentohet gjerësisht në shtypin e sotëm gjerman, aq më tepër që deklaratat në lidhje me angazhimin në Afganistan janë tashmë edhe pjesë luftës elektorale:

«Financial Times Deutschland» shkruan:

Ajo që bëri këtë fundjavë kandidati socialdemokrat për kancelar Frank-Walter Steinmeier, nuk është as më shumë dhe as më pak se një thyerje tabuje. Dy javë përpara zgjedhjeve parlamentare dhe pikërisht në ditën e duelit të tij televiziv me kandidaten tjetër kryesore, kancelaren Merkel, MPJ hap një debat për tërheqjen e bundeswehrit nga Afganistani. Këto fjalë të Steinmeierit çajnë kartelin e heshtjes. Gjë e mirë kjo. Por ai e bën këtë në momentin e gabuar. Politika gjermane u fsheh për një kohë të gjatë pas temës tabu Afganistan. Steinmeieri ka të paktën tani përparësinë e atij që hedh i pari idenë në drejtim të mendimit të shumicës. Por kjo përparësi mund të zhduket sërish shumë shpejt. Sepse me siguri që pas saj do të dalë në pah shpejt thyerja e një tabuje tjetër.

Gazeta «Leipziger Volkszeitung» shkruan:

Me të drejtë shoqata e Bundeswehr-it ankohet për një mbështetje të pamjaftueshme të ushtarëve që vënë kokën në rrezik jashtë vendit.

Ndërkohë që ish-gjeneralë dhe disa politikanë përpiqen të sqarojnë situatën e vështirë në të cilët u gjend koloneli gjerman që dha urdhërin në Kundus, krerët ushtarakë heshtin.

Nuk ka pse çuditesh që trupa e cila gjendet në Hindukush jo për qejf, por sepse kështu e vendosi parlamenti, është e pasigurt. Edhe pse raporti hetimor i afganëve e çliroi një herë për një herë nga përgjegjësia Bundeswehrin, priten raporte të tjera. Në rast nevoje pas tyre mund të ketë pasoja. Pas incidentit të fundit, i cili shkaktoi edhe viktima civile, duhet ta ketë marrë vesh edhe i fundit, se Bundestagu nuk i ka nisur ushtarët për të shpuar puse, por në përleshje luftarake. (pp/dpa/aca)