Wulff Rede
20 Tetor 2010Christian Wulff e nisi vizitën e tij të tretë jashtë shtetit në rrethana jo të mira. Në Gjermani zhvillohet një diskutim plot emocione për integrimin. Revista javore "Focus“ botoi në faqen e parë fytyrën e presidentit gjerman - të tjetërsuar si imam. Në fjalimin e tij më 3 tetor, Wulff vetëm vuri në dukje faktin, se feja islame pas kristianizmit dhe judaizmit është një realitet në Gjermani.
Pa rezerva
Vëmendja publike u përqëndrua te fjalimi i parë i një presidenti gjerman në asamblenë e madhe kombëtare të Turqisë. Para parlamentarëve Wulff foli fjalë të qarta, pa u rezervuar. Nga njëra anë ai përsëriti, që feja islame është bërë pjesë e Gjermanisë. Nga ana tjetër ai kërkoi nga Turqia pranimin e faktit, që edhe krishtërimi është pjesë e Turqisë. Të krishterëve u duhet lejuar plotësisht ushtrimi i fesë së tyre, tha presidenti gjerman. Këtu bën pjesë edhe përgatitja e priftërinjve të rinj në Turqi, gjë që deri tani nuk ka qenë e mundur.
Ai nuk i kurseu nikoqirët as nga tema të tjera delikate, për shembull problemi i Qipros dhe çështja e armenëve. Wulff theksoi edhe të drejtën e ekzistencës së Izraelit duke kërkuar në të njëjtën kohë edhe një Palestinë të pavarur dhe të qëndrueshme, të qeverisur në mënyrë demokratike. Ai i bëri kështu indirekt thirrje kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, që ta vazhdojë përsëri dialogun me Izraelin.
Premtime boshe për pranimin në BE Wulff nuk i bëri Turqisë. Në mënyrë të mençur, të qartë dhe pa mëdyshje, Wulff tha se me gjithë progresin demokratik dhe ekonomik negociatat e anëtarësimit do të vazhdojnë të zhvillohen duke mbajtur rezultatin përfundimtar të hapur.
Të mësohet gjuha gjermane nga turqit
Sinjalet e qarta të Wulffit, qoftë drejtuar gjermanëve, qoftë turqve, përqëndrohen në atë që njerëzit me origjinë turke në Gjermani duhet t'i përshtaten shoqërisë. Të binte në sy që Wulff e shmangu fjalën delikate integrim. Kërkesa e tij për mësimin e gjuhës gjermane u mbështet në prag të vizitës nga presidenti turk Abdullah Gül. Megjithatë Gül në konferencën e përbashkët për shtyp para fjalës së Wulff-it në parlament nuk harroi të theksonte, si ai është president i të gjithë qytetarëve turq, edhe i atyre me origjinë armene, hebreje, apo greke dhe se edhe në Turqi të gjithë njerëzit duhet të flasin turqisht.
Vizita shtetërore pesëditore e Wulff-it është një ndihmë e qartë, për të minimizuar keqkuptimet ndërmjet Berlinit dhe Ankarasë. Mënyra e tij pëlqehet nga nikoqirët dhe porositë e tij nuk kalojnë pa u dëgjuar. Por nëse edhe në Gjermani pritet një kthesë në debatin e dalë jashtë kontrolli për integrimin, mbetet të shihet. Ndryshe nga partitë politike Wulff-i nuk ka për të fituar më zgjedhje. Por partitë nuk do të duan të heqin dorë nga strategjia e fushatës elektorale e emocionalizimit të masave kundër të huajve dhe migrantëve.
Autor: Baha Güngör
Redaktoi: Lindita Arapi