1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fitorja e qendrës së majtë e bën Danimarkën për herë të parë me një femër kryeministre

16 Shtator 2011

Të inatosur për mënyrën sesi koalicioni i qendrës së djathtë ka drejtuar ekonominë e vendit, votuesit në Danimarkë kanë zgjedhur të qeverisen tashmë nga kryeministrja e parë femër në historinë e këtij vendi.

https://p.dw.com/p/12aV0
Helle Thorning-Schmidt, kryeministrja e re e Danimarkës
Helle Thorning-Schmidt, kryeministrja e re e DanimarkësFotografi: dapd

Socialdemokratët danezë dhe aleatët politikë të qendrës së majtë dolën fitues në zgjedhjet parlamentare të së enjtes dhe Helle Thorning-Schmidt është bërë kryeministrja e parë femër në historinë e Danimarkës. Zgjedhjet në mbarë vendin, u vendosën për t'u zhvilluar muajin e kaluar pasi koalicioni qeveritar, u përball me kritika të ashpra për ekonominë.  

Fitorja e Thorning-Schmidt, i jep fund influencës së fuqishme dhe populiste të partisë Daneze të Popullit, një parti kundër emigrantëve dhe aleate kryesore e tashmë, ish -kryeministrit Lars Loekke Rasmussen.

Blloqet partiake

Partitë janë ndarë në dy blloqe me linja të theksuara ideologjike: Blloku i Kuq i Socialdemokratëve, Partisë Socialiste të Popullit, Social-Liberalëve, dhe Aleancës Kuqe-Blertë në një anë, si dhe në anën tjetër blloku Blu me Liberalët qeverisës, partitë Konservative, si dhe Aleancën liberale dhe Partinë e Popullit Danez.

Nën influencën e Partisë së Popullit Danez, blloku Blu i kryesuar nga Rasmusseni, ka ndërmarrë një sërë reformash për të krijuar në vend një klimë miqësore për biznesin dhe investitorët, por ka ndërmarrë masa kufizuese për emigrantët.

Kryeminstrja e re Thorning-Schmidt është zotuar se do ta kalojë peshën e taksave tek danezët e pasur dhe tek bankat, si dhe do të bëjë shkurtime në buxhet. Ajo ka premtuar gjithashtu, se do të lehtësojë pikat e kontrollit dhe doganat nga masat e ekzagjeruara në kufirin me Gjermaninë dhe Suedinë, gjë e cila ka acaruar BE-në dhe fqinjët e Danimarkës.

Autor: reuters/dpa/A.Borici

Redaktoi: Auron Dodi