1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Financat e 'Shtetit islamik'

'Shteti islamik' ka burime të mëdha financiare, që ushqehen nga burime të ndryshme. Për t'i luftuar ato, komuniteti ndërkombëtar krahas dhunës, mund të përdorë edhe fuqinë e tregut.

Shtetit islamik (IS) nuk i duhet të shqetësohet për anëtarë të rinj. Thuajse nga të gjitha anët e botës djem të rinj, (gjithnjë e më shumë edhe gra) shkojnë për t'iu bashkuar xhihadistëve. Disa e bëjnë këtë për bindje fetare, të tjerë sepse besojnë, se kështu u ndihmojnë vëllezërve të besimit. Disa të tjerë i josh aventura, ose thjesht dëshira për krime dhe dhunë. Por një gjë i bashkon të gjithë milicët e IS, ata marrin rrogë. 500 deri 600 dollarë merr një luftëtar i zakonshëm në muaj. Por t'i llogaritësh të gjithë kjo është një shumë e madhe. IS ndërmerr edhe disa programe bamirësie, me të cilat ai mbështet jetimët, gratë e veja dhe të plagosurit. Gjithsej, njofton gazeta "Al-Araby al-Jadeed", IS ka një buxhet prej rreth dy miliardë dollarë për vitin 2015. Megjithatë gazeta nuk përjashton mundësinë, që shuma të jetë edhe më e lartë.

Si i ofron IS këto shuma? Deri në vjeshtën e kaluar ai ka fituar kryesisht nga tregtia me naftën. Si në Irak ashtu edhe në Siri ai ka vendosur nën kontrollin e tij rajone të tëra, ku prodhohet naftë. Impiantet e naftës kanë mbetur të paprekura megjithë luftimet, kështu që terroristët kanë mundur të shesin vazhdimisht naftë. Në vjeshtën e kaluar IS sipas të dhënave të revistës "Foreign Affairs" prodhonte 44.000 fuçi naftë në ditë në Siri dhe 4.000 fuçi në Irak. Por pastaj u shtuan sulmet e aleancës ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA kundër organizatës terroriste. Avionët e saj bombarduan edhe zonat e nxjerrjes së naftës. Si rezultat është zvogëluar dukshëm biznesi i naftës.

Rafineria e naftës Baixhi në Irak bombardohet nga koalicioni kundër IS

Rafineria e naftës Baixhi në Irak bombardohet nga koalicioni kundër IS

Një sërë burimesh

Por IS ka zbuluar ndërkohë burime të tjera. Kështu përmenden gjithnjë e më shumë të ardhurat nga shtetet e Gjirit. Por kjo nuk është vertetuar ende sa duhet. Me sa duket ka individë që u dërgojnë shuma të konsiderueshme xhihadistëve nga simpatitë për idetë e tyre ekstremiste. Të tjerët paguajnë për motive të kundërta. Ata kanë frikë se IS mund të bëhet aktiv edhe në Gadishullin Arabik. Në fakt luftime të para ka patur edhe në kufirin saudito-irakian. Për të parandaluar përhapjen e dhunës ekstremiste brenda gadishullit, këto shtete i dërgojnë para organizatës terroriste. Këtë e pohojnë së paku përfaqësues të qeverisë kurde në Irakun verior. Se cilat organe i paguajnë në të vërtetë këto shuma, nuk është e njohur.

Në mënyrë të konsiderueshme IS financohet edhe nga veprimtari kriminale. IS bën tregti si me cigare, drogë dhe telefona celularë, ashtu edhe si dhe me objekte antike siriane dhe irakiane. Ai ofron edhe pasaporta. Ato vijnë nga luftëtarët e huaj të organizatës, të cilët pasi hyjnë në Siri dhe Irak, i shesin ato për disa mijë dollarë secilën. Vendimi thellësisht simbolik politik, për të lënë pas identitetin e vjetër, bëhet në këtë mënyrë një tjetër burim i të ardhurave për IS.

Përhapja e IS në Irak dhe Siri

Përhapja e IS në Irak dhe Siri

Fonde shtesë i vijnë IS edhe nga rrëmbimet dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Nëse nuk është fjala për pengje të shquara perëndimore, IS përpiqet që t'i këmbejë pengjet me para. Ai financohet gjithashtu edhe nga shitja e pengjeve femra, si për shembull e jezideve të rrëmbyera. Kohët e fundit është njoftuar, se IS ka hyrë edhe në tregtinë me kufoma, më saktë me pjesë të kufomave. Organet e njeriut kërkohen shumë në spitale dhe klinika. Përveç kësaj IS i kërkon taksa popullsisë së territoreve të pushtuara.

Të mundet tregu me treg

Një pjesë e madhe të suksesit të tij IS-it i vjen edhe nga përvoja e anëtarëve të tij. Në mesin e tyre nuk ka vetëm të rinj pa orientim, të cilët mendojnë se gjejnë mbështetje tek organizata terroriste. Disa drejtues të rangjeve të larta dhe të mesme janë ish -anëtarë të ushtrisë irakiane nga koha e Sadam Huseinit. Të arrestuar nga amerikanët dhe të futur në burgje të ndryshme të vendit, ata kanë lidhur atje kontakte me botën e krimit të Irakut. Tek ata mbështeten tani.

Një burim tjetër i financimit të IS, qyteti i lashtë Palmira, trashëgimi e kulturës botërore

Një burim tjetër i financimit të IS, qyteti i lashtë Palmyra, trashëgimi botërore

Sipas kriminologes Louise Shelley, që merret me terrorizmin dhe krimin ndërkombëtar, bizneset e IS nuk mund të parandalohen vetëm me masa policore apo ushtarake. Shelley shkruan në një artikull për revistën Foreign Affairs. "Për të mundur një konkurrent ekonomik, duhet të bësh më shumë se të presësh burimet e tij të të ardhurave. Me fjalë të tjera duhet një biznes legal për të goditur një biznes ilegal."

Prandaj shkruan ajo, SHBA duhet të ndihmojnë qeverinë irakiane në mbështetjen e ekonomisë kombëtare për ta bërë atë tërheqëse dhe konkurruese. Nëse në këtë treg mungojnë oferta tërheqëse, klientët mundohen t'i tërheqin në rrugë të tjera. Gjithashtu duhet të shfrytëzohet më mirë know-how i bizneseve vendore, në mënyrë që të identifikohen më mirë rrugët tregtare të IS, me qëllim që atyre t'u vihen përballë oferta të tilla. Tregu ndjek rregullat e veta. Kush i injoron, dështon. Kjo është e vërtetë edhe për terroristët në dukje të plotfuqishëm.